Lajme

Avokati serb: Ndjej dhembje për qytetarët e e vra*ë në Kosovë, nuk i frikësohem arrestimit

Autori: Gazeta inFokus 17:41 | 18 January 2024

Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe sot te varri i Blerina Jasharit, shtatëvjeçares së vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz në vitin 1998.

Ai në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, pasi bëri nderimet dhe kërkim-faljen, tha se nuk frikësohet nga arrestimi sikur që i ndodhi politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

Stojkoviq la edhe një mesazh, ku thuhej “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”.
“Nëse vendi im e ka arrestuar dhe rrahur Nikolla Sanduloviq sepse ka vendosur lule në këtë vend sipas ndërgjegjes dhe sipas mendimit të tij, tani vendi im ka mundësinë të më arrestojë edhe mua dhe t’i shpallë botës se ka një rregull të ri sipas të cilit vendosja e luleve të pajtimit në varret e kombeve të tjera dënohet me burgim. Nëse nuk është kështu, atëherë duhet t’i shpjegojnë të njëjtës botë pse trëndafilat e mi janë të ndryshëm nga trëndafilat e Nikollës apo dikujt tjetër, pse unë jam një përjashtim që nuk jam arrestuar… Blerina, urrejtja vdes, por ti do të jetosh përgjithmonë”, tha ai.

-Advertisement-

Ai tha se për shkak të propagandës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, por edhe ish-kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, populli serb nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë.
“Aleksandër Vuçiq dëshiron më shumë pushtet dhe dëshiron të mbetet në pozitën e pushtetit. Dhe kjo është arsyeja pse ai krijon gjithnjë e më shumë urrejtje, sepse nëse serbët mendojnë se shqiptarët janë terroristë, nëse serbët mendojnë se perëndimi i urren serbët, atëherë serbët do të izolohen vetë, me vullnetin e tyre, dhe kështu sundojnë diktatorët”, deklaroi ai.

Stojkoviq ditë më parë ka paralajmëruar se pas këtij veprimi do të dorëzohej tek autoritetet e Beogradit për t’i sfiduar dhe treguar se në Serbi ekziston një rregull i ri sipas të cilit çdo vendosje lulesh në varret e fëmijëve shqiptarë dënohet me rrahje dhe burg.

Politikani opozitar serb Nikolla Sanduloviq ishte arrestuar dhe është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye. Në fletarrestin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur ai pati bërë homazhe te varrezat e Jasharëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera