Fokus

Ky është numri i qytetarëve që dolën nga Kosova në 15 ditët e para të vitit 2024

Autori: Elvira Haxhiu 10:06 | 19 January 2024

Viti 2024 për kosovarët filloi më ndryshe. Kjo pasi që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të lëvizin pa viza në të gjitha shtetet e zonës schengen.

E me mundësinë e lëvizjes pa viza, numri i qytetarëve që dolën nga kufijtë e Kosovës ka shënuar rritje.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga të dhënat që ka siguruar Infokus nga Policia e Kosovës.

-Advertisement-

Sipas këtyre statistikave, nga 1 deri më 15 janar nga kufijtë tokësorë të Republikës së Kosovës kanë dalë 511 mijë e 604 udhëtarë.

Kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2023, numri i atyre që dolën nga kufijtë tokësorë të Kosovës ishte 464 mijë e 178 udhëtarë.

E nëse bëhet një krahasim mes periudhave të njëjta, këtë viti numri i atyre që kanë dalë nga Kosova përmes kufijve tokësor është rritur për 10.2%.

Një numër i madh atyre që lëshuan Kosovën këtë janar nuk zgjodhën kufijtë tokësorë për të udhëtuar në vendet e jashtme.

Duke u bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, 155 mijë e 816 qytetarë kanë udhëtuar jashtë Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’.

Ndërkaq, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas këtë viti ka një rritje për 13.2% të qytetarëve që kanë dalë nga Kosova përmes aeroportit.

“Nga data 01.01.2024 deri me 15.01.2024 përmes Aeroportit kanë kaluar 155816 udhëtar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi rritje për 13.2 %”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Infokus.

Në total numri i qytetarëve që dolën nga Kosova përmes rrugëve tokësore e përmes Aeroportit të Prishtinës arrin në mbi 667 mijë qytetarë. Por një pjesë e tyre kanë udhëtuar në vendet fqinjë ku edhe janë kthyer, një pjesë tjetër janë kthyer në vendet e tyre pas qëndrimit në familje për festat e fundvitit.

Kujtojmë se liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera