Lajme

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Kaçanik

Autori: Gazeta inFokus 14:16 | 16 December 2023

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin më 7 qershor 2023 Afet dhe Agron Dalloshi ishin liruar nga akuza se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona në Kaçanik dhe se e kishin lënduar një tjetër.

Vendimi i Apelit është marrë më 18 tetor 2023, me të cilin është refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërsa është hudhur si e palejuar ankesa e palës së dëmtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“II.REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.628/2014, i datës 07.06.2023, VËRTETOHET. II. HUDHET si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar A.B.a av. J.M. e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, …., i datës 07.06.2023” thuhet në vendimin e Apelit.

-Advertisement-

Fillimisht, kundër vendimit të Themelores për lirimin e Afet dhe Agron Dalloshit nga akuza, ankesë ka parashtruar PSRK, duke propozuar që për shkak të shkeljeve ligjore, çështja të kthehet në rigjykim.

Gjithashtu, edhe pala e dëmtuar ka parashtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores, duke i propozuar Apelit që vendimin e Themelores ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Ndaj ankesës së PSRK-së dhe palës së dëmtuar, kanë paraqitur përgjigje mbrojtësja e të akuzuarit Afet Dalloshit, avokatja Kosovare Kelmendi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Agron Dalloshi, avokati Ahmet Ahmeti, duke i propozuar Apelit që të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.

Andaj, Apeli në gjetjet e tyre ka theksuar se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të PSRK-së dhe palës së dëmtuar, të cilat pretendime do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimi të ankimuar.

Sipas shkallës së dytë, dispozitivi i aktgjykimit të Themelores është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij dhe se është i qartë dhe konkret, duke përmbajtur kështu të gjitha arsyet e duhura mbi faktet relevante të çështjes penale në fjalë.

Tutje, Apeli ka sqaruar se Themelorja drejt ka vërtetuar se nga dispozitivi i akuzës nuk rezulton të jenë të përfshira faktet vendimtare që do të përbënin elemente e veprës penale, me të cilën janë akuzuar Afet dhe Agron Dalloshi.

Prandaj gjithnjë sipas Apelit, Themelorja ka bërë analizimin e të gjitha provave të proceduara në këtë çështje penale gjatë shqyrtimi gjyqësor dhe ka ardhur në konkludime të drejta, objektive dhe të ligjshme.

Në vendim, Apeli ka theksuar se nga dëshmia e dëshmitarëve M.B., H.B., I.B., B.B., A.B. dhe V.B përveç fjalëve që ata kanë dëgjuar nga të tjerët për rrethanat e sulmit të mundshëm me armë ndaj të afërmve të tyre, në fund është vërtetuar se të njëjtit nuk kishin asnjë të keqe me të akuzuarit.

Pretendimet e PSRK-së se të akuzuarit kishin bartur me makinë dy të armatosur, Apeli thotë se nuk bazohen në asnjë provë- dëshmi, por kjo rrethanë është përshkruar ashtu siç Prokuroria e ka menduar pa mbështetje në prova.

Gjithnjë sipas këtij vendimi, dëshmia e dëshmitari R.T është vlerësuar si shmangie nga thëniet e tij pas ngjarjes kur e ka pasur kujtesën më të freskët dhe se ndryshimi i deklaratës nga R.T sipas Apelit është bërë pas takimit të tij me familjarët e të dënuarve Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.

Tutje, sipas Apelit të dënuarit Hasani dhe Qerimi vazhdimisht kanë bërë përpjekje për ndryshimin e rrethanave dhe versionit të ngjarjes së ndodhur, duke kontaktuar dëshmitarë dhe njërin nga të akuzuarit Dalloshi, saqë njëri nga ta ishte dërguar në burgun e Dubravës për t’u takuar me Hasanin.

Apeli, po ashtu konstatoi se nuk mund të llogaritet se janë provuar veprimet e të akuzuarve Dalloshi vetëm për faktin se dy të dënuarit Hasani dhe Qerimi kishin realizuar takime në burgun e Dubravës me të dëmtuarit, vetëm që të ndriçohet rasti.

Po ashtu, Apeli ka sqaruar se edhe sa i përket pretendimeve të PSRK-së për shkelje të Ligjit Penal, Themelorja ka ofruar prova të mjaftueshme me të cilat konsiderohet se në veprimet e të akuzuarve nuk qëndrojnë elementet esenciale të veprës penale për të cilën akuzohen.

Ndërkaq sa i përket ankesë së të dëmtuarit, Apeli të njëjtën e ka hedhur poshtë me arsyetimin se pala e dëmtuar mund të parashtrojë ankesë vetëm për sanksionin penal kur të akuzuarit shpallen fajtorë e që në rastin konkret të akuzuarit janë liruar, andaj ankesa e palës së dëmtuar nuk lejohet.

Ndryshe, me aktgjykimin e 7 qershorit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave i liroi nga akuza të akuzuarit Afet dhe Agron Dalloshi.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena, për veprën penale të vrasjes, kurse ndaj Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtorë, duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdonjërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në Prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtatorit 2007, andaj Prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

Kurse, me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e kishte cilësinë e të akuzuarit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera