Lajme

Nën masa të rrepta sigurie dërgohet në gjykatë Bujar Basha, i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

Autori: Gazeta inFokus 17:07 | 01 December 2023

Bujar Basha, njëri nga të dyshuarit për grabitjen e armatosur të argjendarisë në Suharekë, ka dalë të premten para Gjykatës Themelore në Prizren.

Ai është sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. I njëjti është arrestuar të enjten gjatë një operacioni të policisë ku mbeti i vrarë i dyshuari D.G ndërsa u plagos një zyrtar policor.

Bujar Basha dikur po vuante burgimin në kohëzgjatje prej 14 vjet e dhjetë muajsh në Burgun e Dubravës. Ai ishte lejuar nga drejtori i burgut të shkojë për fundjavë në shtëpi.

-Advertisement-

Por, B.B.- i cili disa herë ka ikur nga burgjet e Kosovës – nuk është kthyer më në Dubravë.

Ai ishte i dënuar për shkak të një vjedhjeje që e ka kryer menjëherë pas luftës në Kosovë.

Ishte arratisur disa herë nga burgu dhe së fundi ishte pjesë e grupit prej shtatë vetash që kishin ikur nga Dubrava, duke përdorur edhe armët e zjarrit.

Në arrati ai kishte kryer një rast tjetër grabitjeje në një argjendari në Drenas, me ç’rast kishin mbetur të plagosur dhe dy policë.

Pasi ishte kapur, në nëntor 2009, atij i është shqiptuar dënimi me gjithsej 14 vjet e dhjetë muaj burgim.

Policia ka zhvilluar një operacion gjatë ditës së enjte, ku ka mbetur i vrarë një nga personat që dyshohet se mori pjesë në grabitjen e një argjendarie në Suharekë.

Sipas Policisë, fillimisht viktima ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policëve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një polic që është jashtë rrezikut për jetë. Policia është detyruar të vetëmbrohet.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij aksioni, janë arrestuar edhe katër të dyshuar, duke e çuar numrin total të të arrestuarve në shtatë.

Njëri nga të arrestuarit u lirua më herët për mungesë provash, ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit pasi dyshohet se kanë dhënë ndihmë në përgatitjen e planit për grabitje.

Më 22 nëntor ndodhi plaçkitja e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic në këmbë, kurse një tjetër ishte lënduar. /Dukagjini/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera