Lajme

Cili është plani i NATO-s për Ballkanin?

Autori: Gazeta inFokus 13:40 | 25 November 2023

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg këtë javë brenda pak ditësh vizitoi disa vende të Ballkanit Perëndimor për të treguar mbështetjen dhe angazhimin e aleancës veriore atlantike në një rajon që ka në disa fronte njëherësh disa vatra të pashuara zjarri që rrezikojnë sigurinë.

“Ky rajon nga ana strategjike është i rëndësishëm për NATO-n, dhe ka disa arsye për shqetësime”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi në Shkup të mërkurën në fund të turit ballkanik. “Ne shohim kërcënim për shkëputje në Bosnje-Hercegovinë, një gjendje të brishtë të sigurisë në Kosovë, dhe një ngecje të normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë në vitet 90-të, NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin e rajonit. Ajo intervenoi në Bosnje dhe Kosovë në luftërat e përgjakshme që shënuan edhe fundin e Jugosllavisë dhe krijimin e shteteve të pavarura. Sot tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në NATO. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Serbia, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë pjesë e aleancës.

-Advertisement-

Zhvillimet në Kosovë shqetësuese

Armiqësia mes minoritetit etnik serb dhe shumicës shqiptare në Kosovën e njohur vetëm nga 22 nga 27 vende të BE dhe SHBA është rritur. Serbia dhe Rusia e mohojnë pavarësinë e Kosovës. Në maj trupat e NATO-s u plagosën në përpjekje për të ulur tensionet në veri të Kosovës, pranë kufirit serb. Serbët e Kosovës kanë një mosbesim të thellë ndaj autoriteteve të Kosovës dhe ruajnë marrëdhënie të ngushta me Serbinë. Më 24 shtator katër vetë u vranë në luftimet mes policisë së Kosovës dhe serbëve etnikë që u barrikaduan në një manastir.

Si rezultat NATO përforcoi trupat në Kosovë me 1000 ushtarë dhe patrullimet në veriun e dominuar nga serbët. Trupat e KFOR-it kështu arrijnë në 4.500 vetë, sipas agjencisë Reuters. Stoltenberg në Prishtinë tha të hënën, se NATO do të bëjë çfarë është e nevojshme të ruajë sigurinë, qetësinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Ne tani jemi duke rishikuar, nëse duhet të kemi një rritje të përhershme që të sigurojmë se spiralja nuk del jashtë kontrollit dhe krijon një konflikt të rë ri të dhunshëm në Kosovë apo më tej në rajon”.

Republika Sërpska kërcënon të shkëputet nga Bosnja

Ndërkohë që në Bosnje-Hercegovinën multietnike, Republika Sërpska kërcënon të shkëputet. Kjo republikë përbën rreth gjysmën e territorit të Bosnje-Hercegovinës me rreth 1,2 milionë banorë, shumica serbë etnikë. Republika Sërpska u krijua gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në një kontekst të përgjakshëm. BE, e cila mori misionin paqeruajtës në Bosnje-Hercegovinë nga NATO në vitin 2004 nuk është aspak popullore në Republikën Sërpska, e cila mban lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë.

Mesazh për Moskën

Para këtyre krizave, në fund të turit të tij ballkanik në Shkup, Stoltenberg në një deklaratë me krerë të vendeve aleate të NATO-s. Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut iu drejtua pjesërisht Mokës. NATO e shikon Rusinë të luajë një rol destabilizues, veçanërisht që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. “Shtete autoritare si Rusia kërkojnë të minojnë demokracitë tona me kërcënime kibernetike dhe hibride”, tha Stoltenberg që pritet të largohet si kreu i aleancës veriore atlantike.

Sipas Bojana Zoriq nga Instituti Evropian për Studimet e Sigurisë, në përgjithësi qëllimi i Rusisë në rajon është të ndalë shtrirjen e NATO-s dhe përfshirjen e tyre në BE. Lufta në Ukrainë i ka bërë të qarta ndarjet ekzistuese.

“Ballkani Perëndimor nuk është i unifikuar, kur vjen puna tek përgjigja që duhet dhënë për luftën në Ukrainë”. Kjo i shkon në favor Moskës, sipas Zoriq. “Rusia gjithmonë dëshiron të kapë çdo mundësi për të prodhuar tensione dhe rindezë armiqësitë e vjetra në rajon dhe në një mënyrë të përdorë ndarjet etnike për përfitimet e saj”, tha Zoriq për DW.

Çfarë arriti Stoltenberg me vizitën në Ballkanin Perëndimor?

Për Zoriq, vizita e kreut të NATO-s në Ballkan ishte më shumë për të dërguar një “mesazh të qartë në rajon dhe faktorë të tjerë prezentë, të përfshirë duke pasur parasysh edhe Rusinë, se NATO mbetet fuqimisht e angazhuar për të ruajtur sigurinë”.

“Një prezencë e shtuar e NATO-s do duhej të bëjë që të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje me shpresë të nxisë edhe rigjallërimin e normalizimit efektiv të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Serbia, e cila dëshiron të jetë pjesë e BE, por jo e NATO-s, nuk do të rrezikojë një konflikt me aleancën ushtarake, sipas Zoriq. Shumica e vende të BE janë në NATO. Aktualisht Beogradi mban marrëdhënie të stabilizuara me NATO-, sipas analistes. Prandaj ekspertja nuk sheh rrezik akut konfrontimi në horizont.

“Jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen, Rusia nuk do të jetë e aftë t’ia dalë për t’i hyrë një lufte në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht duke pasur në mendje, se gjysma e Ballkanit Perëndimor është në NATO, thekson Zoriq. Në vend të kësaj Moska do të tentojë më shumë të vazhdojë me politikën e saj të nxitjes së tensioneve duke punuar për këtë me partnerët që ka në rajon”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera