Lajme

Ambasada amerikane për Vullinin: Ne nuk ndërhyjmë në vendimet e personelit të autoriteteve serbe

Autori: Gazeta inFokus 11:10 | 04 November 2023

Ambasada amerikane në Serbi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e autoriteteve në Serbi, teksa e ka komentuar dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vullin.

“Pozicioni ynë për Vullinin është i ditur. Ai është nën sanksione amerikane”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës në kërkesën e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë për ta komentuar dorëheqjen e Vullinit.

Ambasada ka thënë se SHBA-ja synon ta thellojë partneritetin me Serbinë, me qëllim të integrimit evropian dhe euro-atlantik.

-Advertisement-

Vullin ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të agjencisë së inteligjencës së Serbisë, më 3 nëntor.

“Po e dorëzoj dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e drejtorit të BIA-s”, ka thënë Vullin më 3 nëntor, i cili është në listën e sanksioneve amerikane prej korrikut të këtij viti, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe për përfshirje në trafikim të drogës, si dhe për lidhjet me Rusinë.

“SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë. Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, ka thënë VUllin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka thënë se ka ekzistuar presion prej kur Vullin është emëruar në atë pozitë.

“Ai e di shumë mirë si lëviz dhe çfarë pasoja mund të ketë. Nuk mund të komentoj për të gjitha gjërat për arsyen e thjeshtë se jam i obliguar që të mos flas për këto gjëra”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink më 3 nëntor, duke shtuar se e kupton reagimin e Vullinit.

Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se Vullin nuk është agjent i askujt, përfshirë Rusinë.

Ai i ka thënë Televizionit Pink se dëshiron ta falënderojë Vullinin “për kontributin që e ka bërë për ruajtje të shtetit tonë, për ta bërë atë stabil dhe të pavarur”.

Në dekadën e fundit, Vullin ka mbajtur disa pozita politike, përfshirë atë të kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si dhe në departamente të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme.

Ai ka mbajtur lidhje të ngushta me zyrtarët rusë edhe pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ndonëse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, ajo nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë, për luftën e nisur kundër Ukrainës.

Server: Dorëheqja e Vullinit nuk nënkupton distancim të politikave të Serbisë ndaj Rusisë

Daniel Sever, profesor në Universitetin Johns Hopkins, ka thënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se dorëheqja e Vullinit prej pozitës së shefit të BIA-s, nuk nënkupton distancim të politikës së Serbisë ndaj Rusisë, mirëpo përpjekje për t’i shmangur sanksionet shtesë.

Sipas tij, Uashingtoni do ta mirëpresë dorëheqjen e Vullinit, ndërsa Moska nuk do të jetë e lumtur.

I pyetur se pse ka dhënë dorëheqje Vullini, Server ka thënë se ai ka qenë në presion të evropianëve dhe amerikanëve.

“Mirëpo fakti që i janë dashur tre muaj, dhe jo tri ditë, tregon se ka pasur rezistencë të madhe të presidentit të Serbisë, Vuçiq, i cili e ka pikëpamjen e njëjtë me të Vullinit dhe ambicien e njëjtë për kontroll politik të popullsisë serbe në shtetet fqinje.

Ai madje ka thënë se beson që Vullin e ka thënë të vërtetën, kur ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja e kanë kërkuar dorëheqjen e tij, në mënyrë që të mos vendosin sanksione ndaj Serbisë.

Megjithatë, ai nuk beson se dorëheqja e tij nënkupton se Serbia do të pajtohet për koncesione tjera.

“Vullini nuk është problem i vetëm në Serbi, apo në shërbimet e saj të inteligjencës. Presidenti Vuçiq nuk ka treguar asnjë shenjë keqardhjeje për ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës”, ka thënë Server.

Ai është pyetur edhe për kërkesat e reja eventuale ndaj Serbisë.

“Më 24 shtator, Serbia ka tentuar të kryejnë rebelim në Kosovë, me qëllim të krijimit të kushteve për intervenim të ushtrisë serbe. Sipas mendimit tim, Serbia do të duhej ta merrte përgjegjësinë për këto zhvillime, të kërkonte falje dhe të premtonte që diçka e tillë nuk do të ndodhë kurrë më në të ardhmen. Ajo edhe duhet t’i dorëzojë organizatorët te autoritetet e Kosovës për gjykim. Serbia i ka kundërshtuar edhe marrëveshjet për normalizim me Kosovën, të shkurtit dhe marsit. Uashingtoni dhe Brukseli duhet t’i kërkojnë Vuçiqit që t’i nënshkruajë ato, mirëpo natyrisht, ai nuk do të bëjë diçka të tillë para zgjedhjeve të dhjetorit. Ndoshta as pas tyre”.

Serbia i ka shpallur zgjedhjet parlamentare dhe lokale për 17 dhjetor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera