Lajme

Menaxhmenti i “Trepçës” ndëshkon minatorët grevistë, ua ndal pagesat e mëditjeve dhe shujtave

Autori: Gazeta inFokus 07:03 | 01 November 2023

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim që t’u ndalohen pagesat për mëditje të rregullta dhe për shujtë të gjithë minatorëve që kanë qenë në grevë.

“Të gjithë punonjësit e Trepça Sh.A. të cilët kanë bojkotuar punën, ju ndalohet pagesa për mëditje të rregullta si dhe pagesa për shujtë që nga data 24.10.2023” – thuhet në këtë vendim.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se u.d. kryeshefi është bazuar në atë që punonjësit kanë bojkotuar punën pa paralajmërim si dhe bazuar në Ligjin për grevat, ku thuhet se “Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

-Advertisement-

Këtë grevë, përmes së cilës po kërkohet edhe shkarkimi i tij, u.d. kryeshefi e ka quajtur të paligjshme, pasi që, siç thuhet në këtë vendim, greva nuk është paralajmëruar së paku 7 ditë më herët dhe është hapur pa këshill grevist.

Destan Kerleshi nga Sindikata e Punëtorëve të “Trepçës” tha se ky vendim është kërcënues dhe shantazhues, por që nuk do ta zbehë zërin e minatorëve.

“Ky është vendim i padrejtë ndaj minatorëve të cilët po e ngrisin zërin për të drejtat e tyre elementare, është shkelje e demokracisë dhe lirisë së fjalës” – tha Kerleshi.

KALLXO.com është munduar të kontaktojë edhe me u.d. kryeshefin e “Trepçës”, Enis Abdurrahmanin, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Minatorët janë zotuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6-10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Minatori i ‘Trepçës”, Sami Peci, sot duke folur para deputetëve të Komisionit për Ekonomi, i emocionuar ka kërkuar ndihmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për të bërë zgjidhje për kërkesat e minatorëve.

Gjatë këtyre ditëve, dhjetëra minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësorë, e disa të tjerë janë dërguar në spital, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Në një konferencë për media të premten e kaluar, i pyetur nga KALLXO.com se kur do të realizohet premtimi për investimet në “Trepçë” dhe për grevën e minatorëve, kryeministri Albin Kurti, nuk u përgjigj fare.

“Kryeministri kaq pati kohë, më duhet ta takoj gazetarin gjerman Eric Rathfelder, e njoh që një çerek shekulli, është këtu. Këtu e keni zëvendëskryeministrin” – tha Kurti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është deklaruar sot në lidhje me vendimin e Qeverisë në shkurt të këtij viti, që t’i jepte kredi ‘Trepçës’ prej 20 milionë euro, por që një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Murati ka thënë se ekipet teknike janë në negocim dhe sipas tij, së pari duhet të sigurohet kapaciteti pagues i ndërmarrjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera