Lajme

As Scholzi e Macroni s’arritën t’i pajtojnë Kosovën dhe Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 10:54 | 27 October 2023

Dy liderë nga Ballkani Perëndimor, të enjten, për një çast, arritën që të ia marrin primatin një samiti të rëndësishëm të Këshillit të Bashkimit Evropian që po zhvillohej në Bruksel.

Pas një ngrirjeje të dialogut Kosovë-Serbi, e cila kulmoi me agresionin serb në veri të Kosovës më 24 shtator, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, shkuan për herë të parë në kryeqytetin evropian për të gjetur një rrugë të re për të normalizuar raportet mes dy vendeve, raporton Klankosova.tv.

Kësaj radhe, nikoqirë nuk ishin vetëm dyshja e zakonshme e BE-së, Josep Borrell si shef i diplomacisë së BE-së, dhe Miroslav Lajçak, si emisar i dialogut.

-Advertisement-

Të enjten, Kurti e Vuçiqi ndaras u pritën në takime nga liderët e vendeve më të fuqishme të BE-së – kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron e kryeministrja italiane Giorgia Meloni, bashkë me dyshen e zakonshme të BE-së. I gjithë ky mobilizim evropian u bë për të tejkaluar ngërçin e për t’i çuar dy vendet drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Megjithatë, as ky takim nuk rezultoi i suksesshëm.

Kurti dhe Vuçiqi kishin shkuar atje pasi që ditë më parë Prishtinën dhe Beogradin i vizituan diplomatë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ç’rast propozuan një plan të ri rreth asaj se si të zbatohet marrëveshja e Brukselit e arritur më 27 shkurt dhe aneksi i saj i dakorduar në Ohër më 18 mars.

Megjithëse në kryeqytetin e Kosovës nuk pati kundërshti ndaj këtij plani të ri, i njëjti nuk u nënshkrua në Bruksel, ani pse nga pala kosovare pati vullnet për ta bërë një gjë të tillë.

Sipas një komunikatë të lëshuar pas takimit nga Qeveria e Kosovës, ishte presidenti i Serbisë ai që refuzoi t’i firmoste ujditë dhe propozimet për normalizim marrëdhëniesh.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

“Përkundër kësaj oferte gjeneroze të kryeministrit Kurti, presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia e dëshiron zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, prej asaj Bazë të 2013-ës e deri te ato të arritura më vonë në Bruksel dhe në Ohër, porse ka insistuar që Beogradi zyrtar nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

“Përherë e kemi theksuar vetëm një gjë, e cila gjithmonë është përsëritur, e ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe as pavarësinë e saj, dhe bazuar në këto qëndrime kemi thënë se jemi të gatshëm t’i përmbushim të gjitha ato që janë dakorduar”, ka thënë Vuçiqi para gazetarëve, pas takimeve të djeshme në Bruksel.

Ndërsa shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Borrell, i ka fajësuar të dyja palët për mosgatishmëri për t’u pajtuar.

“Është një pengesë e madhe e që është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës. Fatkeqësisht, palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër”, ka thënë Borrelli në konferencën e mbrëmshme për media pas takimeve, raporton Klankosova.tv.

Në fund, ai ka treguar që ka kërkuar nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që tha se mund të bëhet vetëm përbrenda kornizës së dialogut, sepse sipas tij, është e vetmja rrugë për avancim në rrugën evropiane.

Kujtojmë se në vitin 1999, Kosova dhe Serbia u ndanë me luftë, pas një fushate bombardimi që zgjati 78 ditë dhe që u krye nga NATO ndaj Serbisë. Në vitin 2008, Kosova me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, shpalli pavarësinë e saj e cila është pranuar prej më shumë se 100 shteteve.

Tani kur po zhvillohet një luftë në kontinentin e Evropës [ajo e Rusisë ndaj Ukrainës] dhe një tjetër në Lindjen e Mesme [lufta Hamas-Izrael], ekziston një trysni e madhe ndaj Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë raportet. Megjithatë, kjo nuk po arrihet, as më përfshirjen e drejtpërdrejtë të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera