Lajme

Nëse s’i marrin pagat, minatorët nga e hëna paralajmërojnë grevë

Autori: Gazeta inFokus 22:10 | 21 October 2023

Minatorët e kompanisë “Trepça” po kërkojnë nga drejtoria që deri të hënën të marrin pjesën e mbetur të pagave, ose kanë paralajmëruar që të futen në grevë. Të pakënaqur me ndërmarrjen metalurgjike janë edhe praktikantët të cilëve nuk u është paguar praktika.

Menaxhmenti ka premtuar zgjidhje të shpejtë por jendja në ndërmarrjen “Trepça” nuk ka qenë asnjëherë më keq që nga paslufta.

Arsim Musës, menaxhmenti i ndërmarrjes i ka mbetur borxh edhe 300 euro, për punën praktike që e ka përfunduar në korrik të këtij viti. Të njëjtin borxh, ndërmarrja ua ka edhe 119 praktikantëve të tjerë që u angazhuan me pagesë për 6 muaj në minierë. Atyre iu pagua puna vetëm për tre muaj, nga 100 euro.

-Advertisement-

“Ndërmarrja Trepça na ka mbetur borxh secilit prej praktikantëve, edhe shujtat e ushqimit nuk na i ka paguar asnjëherë. Ne kemi pritur boll, nga muaji maj, as Qeveria as ministria e Financave as Ndërmarrja Trepça ende s’na ka paguar këto mjete”, deklaroi Arsim Musa, ish-praktikant.

E nëse kjo pagesë nuk kryhet deri të hënën e javës së ardhshme, ish-praktikantët kanë paralajmëruar padi ndaj ndërmarrjes.

“Jo në këtë javë, jo në këtë fundmuaj, deri më tani nuk ka asgjë vetëm fjalë të kota. Ne praktikën e kemi përfunduar. Shumë nga ne kemi humbur edhe vendin e punës, kemi qenë të angazhuar në sektor privat, tash as me Trepçë as me sektor privat”, tha ai.

Përpos praktikantëve, ndërmarrja “Trepça” për muajin shtator u ka mbetur borxh minatorëve më shumë se gjysmën e pagës bazë. Nëse pjesa tjetër e pagës nuk ekzekutohet deri të hënën, minatorët paralajmërojnë futjen në grevë.

Ibrahim Jonuzi është kryetar i sindikatës së punëtorëve. “Jemi dakorduar që deri ditën e hënë të vazhdohet puna, por në rast se nuk kryhen obligimet, minatorët kanë informuar menaxhmentin se do të futen në grevë. Kanë paralajmëruar edhe futjen në minierë, atje ta realizojnë grevën”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, përmes telefonit tha se obligimet do të kryhen në fillim të javës së ardhshme. /rtk

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera