Lajme

Ky është biznesmeni i shantazhuar me video intime nga ish-missi, e pagoi mbi 100 mijë € dhe i bleu veturë

Autori: Gazeta inFokus 18:55 | 19 October 2023

Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin dhe ndalimin e ish-miss Kosovës, Zana Berisha, nën dyshimet për shantazh ndaj ish të dashurit të saj, një biznesmeni të njohur, me të cilin është ndarë në mënyrë jopaqësore. Berisha dyshohet se e detyroi biznesmenin të paguajë rreth 200 mijë euro, një pjesë e tyre para të gatshme dhe një veturë luksoze, por që nuk arriti t’i shpëtojë ligjit. Hetimet për këtë çështje kanë nisur dhe po ashtu është mbajtur seanca ndaj të dyshuarës.

Por kush është biznesmeni që ishte viktimë e vajzës me të cilën krijoi lidhje jashtëmartesore dhe u përfshi në këtë aferë?

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për Isni Jeminin, biznesmen i njohur nga rajoni i Prizrenit, i cili dyshohet se ra pre e shantazhit dhe u detyrua t’i shkaktojë vetes dëm pasuror, në periudha të ndryshme, që nga viti 2021.

-Advertisement-

Sinjali ka publikuar detaje ekskluzive nga ky rast në të cilën është përfshirë vajza që përfaqësoi Kosovën në Miss Universe 2018 dhe historinë e saj me biznesmenin që pagoi shuma të majme parash.

Lidhja e dashurisë mes ish-miss Kosovës dhe biznesmenit të njohur, përfundoi me përfitim të kundërligjshëm të pasurisë nga ana e Berishës, e cila arriti ta shantazhojë biznesmenin për dy vjet me radhë, duke e kërcënuar se do t’ia dëmtojë nderin dhe autoritetin e tyre.

Sinjali mëson se gjithçka dyshohet se nisi në verën e vitit 2021, kur raportet mes tyre u krisën dhe doli në pah qëllimi që dyshohet se kishte Zana Berisha, ndaj të dashurit të saj, me të cilin mbajtën lidhje të fshehur. Shantazhi, dyshohet se ishte forma me të cilën ajo kishte synuar që ta kryejë këtë “punë” – duke kapur në total hiç më pak se mbi 100 mijë euro para të gatshme.

Me qëllim që të përfitojë materialisht, Zana vendosi që përmes kërcënimeve nga më të ndryshmet, ta detyrojë biznesmenin që të veprojë në bazë të kërkesave të saj, duke e kushtëzuar me publikimin e fotografive e video-incizimeve intime të tyre, që ajo i kishte realizuar gjatë kohës sa po shijonin lidhjen e dashurisë.

Siç ka mësuar Sinjali nga të njëjtat burime, fillimisht gjatë verës në vitin 2021, derisa e dyshuara ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka kërkuar nga Jemini 100 mijë euro, me arsyetimin që ato të holla i duhen për të jetuar dhe plotësuar nevojat e saj.

Me këtë rast, pra herën e parë, biznesmeni Jemini mendoi se do ta përfundonte lidhjen duke refuzuar t’ia dërgonte paratë, por aty vetëm sa filloi drama.

Ish-missi vendosi që t’i hakmerret me kanosje, e madje ka shkuar edhe më tej, duke ia dërguar familjarëve të tij fotografi dhe video-incizime ku ata shiheshin bashkë, si sinjal që ta paralajmërojë biznesmenin se në rast se vazhdon të mos veprojë siç ka kërkuar ajo, do ta pësojë sërish.

Muajt e fundit të atij viti kanë shkuar në këtë formë, derisa e dyshuara është kthyer nga Amerika në fillim të vitit 2022 dhe dyshohet se ka vazhduar ta shantazhojë Jeminin, me të cilin nuk arriti të merrej vesh nga distanca.

Sinjali mëson se pas gjithë asaj kohe, ish-miss dhe biznesmeni u takuan në një restorant të Prishtinës, ku e dyshuara i shkoi viktimës, me qëllim që ta kërcënojë sërish, duke i thënë se “asgjë nuk ka bërë, çfarë do të bëjë”, për ta paralajmëruar se do t’i publikojë të gjitha dëshmitë që i ka.

Përmes formave të tilla, në vitin 2022, Berisha dyshohet se arriti ta shantazhojë ish të dashurin biznesmen, të cilin e detyroi që t’ia paguajë blerjen e një veturë luksoze (në vlerë të rreth 70 mijë euro), duke e kushtësuar, se në rast se nuk vepron kështu – atëherë ajo do t’ia prishë një aheng në familjen e tij të ngushtë.

E për të mos mbaruar me kaq, burimet thonë se biznesmeni Jemini pas rreth një viti është detyruar që t’i japë edhe të holla të dyshuarës me shpresën se kjo “punë” do të mbyllet dhe do t’i ndajnë rrugët. Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se këtë herë, ai ia ka deponuar ish të dashurës shantazhuese rreth 50 mijë euro.

Por, as kjo shumë e majme parash nuk kreu punë dhe situata mes tyre si në filma vazhdoi me kërcënime e paralajmërime të frikshme.

Sipas të njëjtave burime, nga shtatori i vitit 2022 deri në korrik të këtij viti, biznesmeni ishte detyruar që t’i japë para të dyshuarës për çdo muaj, duke u kushtëzuar se nëse nuk e paguan, ajo do të vazhdojë t’i shkaktojë probleme në familje.

Duke vazhduar kështu të jetë viktimë e shantazhit, shuma që ia kishte caktuar ish-missi ishte 5 mijë euro për muaj. Pra për 11 muaj sa dyshohet se ka zgjatur ky raport sa i “nxehtë” por edhe i ashpër mes tyre, biznesmeni i bie se ka dhënë 55 mijë euro.

Në total, biznesmeni Jemini ka paguar rreth 175 mijë euro, duke përfshirë edhe blerjen e veturës, me kërcënime e shantazh.

Këto janë vetëm disa nga rastet që dyshohet se kanë ndodhur dhe po hetohen nga Prokuroria Themelore në Prizren, e cila ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarës, në drejtim të veprës penale “Shantazhi”.

Seanca dëgjimore për këtë rast tashmë është mbajtur, me ç’rast gjyqtari i procedurës parapake ka vendosur sa i përket kërkesës së Prokurorisë

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera