Lajme

INPO: Komuna e Suharekës kontrakton punë 45 mijë herë më të shtrenjtë se çmimi i tregut

Autori: Gazeta inFokus 13:42 | 03 October 2023

Organizata INPO ka reaguar kundër siç thonë dyshimeve për keqpërdorim të parasë publike përmes prokurimit publik nga ana e Komunës së Suharekës dhe kërkon nga organet e ndjekjes që të hetojnë ecurinë e tenderit, respektivisht kontratën e ndërtimit të kolektorit në Suharekë.

Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik INPO ka gjetur se Komuna e Suharekës ka kontraktuar punë me çmime jo reale apo 45000 % më të shtrenjta se çmimi real i tregut dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik (LPP) në Kosovë.

“Për ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, respektivisht për punët përgatitore në pozicionin 1.1. të paramasës me parallogari “Shënimi i trases para se të fillojnë punimet dhe përcjellja gjatë ekzekutimit, stacionazha 77 – 206” komuna do të paguajë 450.00 euro për 1m.

-Advertisement-

Ndërkaq, çmimi real për këtë pozicion në treg varion nga 0.50 deri në 1.00 euro për 1m2 apo 45000 herë më lirë se çmimi në kontratë. Po ashtu, INPO ka gjetur se në kontratë për të njëjtën punë por në stacionazhën tjetër (206 – 089) komuna do të paguajë vetëm 0.80 euro për 1m.

Kësisoj, për punët e shënimit të trasesë në stacionazhën 77 – 206, komuna për 317 m do të paguaj gjithsej 142,893.60 euro, ndërkaq për 2436m në stacionazhën 206 – 089 do të paguaj gjithsej, 1,948.80 euro. Po ashtu, në paramasën me parallogari të kontratës, përseritet për së paku dy herë i njëjti përshkrim i punës, por në segmente të ndryshme, të cilat kanë çmime po ashtu të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu thekson INPO kjo kontratë është nënshkruar më 21.07.2023 me grupin e operatorëve ekonomikë “Iseferi Sh.P.K&KAB Holding Sh.P.K & JOSS & Krasniqi Sh.P.K” në vlerë prej 929,426.34 euro apo 59,426.34 EUR më shumë sesa vlera e parashikuar e kontratës.

“Ky tender është ritenderuar pas dy dështimeve të komunës për të lidhur kontratë, për shkak se nuk kishte pranuar oferta të përgjegjshme. Dy procese të shqyrtimit të prokurimit janë zhvilluar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), dhe palë të përfshira në këtë shqyrtim ishin pothuajse të njëjtit OE të cilët edhe në ritenderim kanë ofertuar”, thuhet në reagim.

Për më tepër, INPO ka gjetur se për projektin e ndërtimit të kolektorit, komuna kishte paraparë edhe zgjerimin e një segmenti të rrugës “Skëndërbeu” të cilën qytetarët e kishin kundërshtuar edhe përmes një peticioni në adresë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Insrastruktuës (MMPHI) për shkak të cënimit të interesave të banorëve dhe bizneseve që operojnë në atë rrugë.

“MMPHI më 09.08.2022 përmes shkresës DMRr-622/22 ka kërkuar nga komuna e Suharekës që të anulojë projektin e zgjerimit të rrugës me arsyetimin se kjo rrugë është rrugë rajonale dhe se është kompetencë e ministrisë, mirëmbajtja dhe rikonstruimi i saj. Komuna e Suharekës nuk i ka përfillur kërkesat e banorëve dhe as të MMPHI-së dhe ka vazhduar me procedurat e prokurimit, respektivisht lidhjes së kontratës”, thuhet më tej.

Tutje, gjatë analizimit të dokumenteve të tenderit dhe kontratës, INPO ka gjetur se për këtë tender është përdorur kriteri ‘Çmimi ekonomikisht më i favorshëm’.

“Ndër kriteret teknike ishte kërkuar ‘Afati më i shkurt i implementimit nga data e nënshkrimit të kontratës deri në max 100 ditë’, ndërkaq përfundimi i punëve të kontraktuara është paraparë brenda 53 ditëve, ashtu siç kishte ofertuar fituesi i kontratës. INPO ngrit dyshime se si një kontratë apo projekt më vlerë prej rreth 1 milion euro, mund të përfundohet brenda 53 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës. Po, ashtu INPO ka gjetur se implementimi i kësaj kontrate respektivisht ndërtimi i projektit nuk ka filluar ende edhe pse kanë kaluar pothuajse 3 muaj”, thuhet më tej.

Tutje, sipas raportit të vlerësimit të tenderëve grupi i operatorëve ekonomikë “FAMIS CO-HC Sh.A & ERST BAU Sh.P.K.” ka pasur ofertën më të lirë, por që nuk i është përgjigjur komunës në kërkesën për disa sqarime dhe në këtë mënyrë është diskualifikuar nga tenderi.

INPO ngrit dyshime për mosgatishmërinë e grupit të operatorëve “FAMIS CO-HC Sh.A & ERST BAU Sh.P.K” për të sqaruar kërkesat e komunës duke pas parasysh interesin e tij për këtë kontratë edhe në tenderimin paraprak, ku për shkak të ankesave të tij ishin iniciuar procedurat e shqyrtimit në OShP.

“Të gjitha këto gjetje në vlerësimin e INPO-s cenojnë rëndë integritetin e procedurës së prokurimit dhe ngrisin dyshime të bazuara se e gjithë procedura e kontraktimit është manipuluar me qëllim të pagesës së pozicionit 1.1. të paramasës me parallogari ‘Shënimi i trases para se të fillojnë punimet dhe përcjellja gjatë ekzekutimit, stacionazha 77 – 206’ duke e ditur se punimet në këtë rrugë munden vetëm të fillojnë më punë përgatitore por jo edhe substanciale për shkak të inspektimit të pritshëm të MMPHI-së në rrugën që është nën menaxhimin e saj dhe potencialisht ndërprerjes së punimeve.

Po ashtu, INPO ka gjetur edhe një mori shkeljesh tjera procedurale dhe materiale të LPP-së në këtë aktivitet të prokurimit, për të cilat fton organet e ndjekjes dhe ato mbikëqyrëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mbajtur përgjegjës të gjithë personat e përfshirë në këto shkelje. Në anën tjetër kërkojmë nga kryetari i komunës që të anuloj këtë kontratë dhe të informoj qytetarët rreth masave dhe veprimeve të ndërmarra për të siguruar se komuna e Suharekës shpenzon paranë publike me efikasitet, efiçiencë dhe transparencë të plotë dhe në interes të qytetarëve”, thuhet ndër të tjera në reagimin e INPO-s.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera