Lajme

​Autobusi me ngjyrën rozë nesër nis rrugëtimin, ofron shërbim të mamografisë falas

Autori: Gazeta inFokus 21:23 | 17 September 2023

Autobusi i ngjyrosur rozë do të fillojë nesër qarkullimin nga ora 11:00, e në të cilin do të ofrohet shërbim i mamografisë falas.

Nisja bëhet nga pritorja në rrugën “Luan Haradinaj”, konkretisht te New Born dhe e gjithë kjo në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.

Shërbimi i mamografisë do të ofrohet falas edhe në tri Qendrat e Mjekësisë Familjare: në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” dhe në QMF “Veternik”.

-Advertisement-

Ndërkohë, komuna ka falënderuar ekipet e basketbollit të Trepçës e Pejës, lojtarët e së cilave do të veshin bluzat “Race for the Cure Prishtina 2023” në shenjë mbështetje për fushatën e vetëdijësimit kundër kancerit të gjirit.

“Ju lutemi nëna, motra, gra, sidomos nëse jeni mbi 40 vjeç bëjeni mamografinë, është falas dhe mund ta bëni në Qendrat e mjekësisë familjare në lagjet “Qafa”, “Dardania” dhe “Veternik”. Kontrolli mund të shpëtojë jetë”, thuhet në reagimin e komunës.

Numri i të prekurve me kancer të gjirit në Kosovë është rritur për më shumë se 10 për qind në shtatë mujorin e vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Deri në gjysmën e gushtit të këtij viti, 270 persona janë diagnostifikuar me këtë sëmundje malinje, ku katër prej tyre janë meshkuj.

Nga Klinika e Onkologjisë thonë se ka nevojë për rritje të stafit mjekësor, ndërsa shprehen se u mungon një hapësirë më e madhe për të trajtuar pacientët. Sa i përket furnizimit me barna esenciale, nga kjo klinikë thonë se qëndrojnë mirë.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi thotë se numri i të prekurve me kancer të gjirit po rritet nga viti në vit, ndërsa shton se ky numër mund të kalojë mbi 450 deri në fund të vitit.

“Numri është duke u rritur nga viti në vit, dhe kemi diku 10-15 për qind raste më shumë nga viti në vit dhe për shtatë mujorin e parë të këtij viti 2023, ne kemi identifikuar rreth 1230 raste me kancer në total të të gjitha rasteve. Kurse, në veçanti me kancer të gjirit, kemi për shtatë mujorin e parë 270 raste me kancer të gjirit, që për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është diku për 10 për qind pak më shumë se vitin e kaluar. Dhe ne mendojmë që ky numër mos të kalojë shifrën prej 450 rasteve të reja me kancer të gjirit deri në fund të vitit. Ne mendojmë që ky numër mund të jetë ndoshta më i pakët, mirëpo në bazë të trendit, dhe identifikimit të rasteve muaj për muaj, mund të kapë edhe atë shifër apo mund të shkojë edhe numër pak më lartë. Këtë vit, deri sot kur po flasim, janë diku katër meshkuj të moshës diku mbi 30 vjeç të cilët kanë kancer në gji”, tha Kurtishi.

Ai u shpreh se Klinika e Onkologjisë ka nevojë për rritje të stafit mjekësor, duke shtuar se po mungojnë edhe hapësirat për dhënien e terapisë së pacientëve.

“Ne kemi nevojë akoma më tepër me pas staf edhe superior, dhe shpresojmë që deri në fund të vitit ose vitin tjetër të hapen specializime edhe nga lëmia e Onkologjisë, sidomos nga Onkologjia Mjekësore dhe nga Radioterapia. Pasi që, ne kemi nevojë për staf shtesë të mjekëve, dhe nëse mendojmë që edhe të hapim një degë tjetër në një qendër tjetër në Kosovë, atëherë normalisht që duhet të kemi edhe specializantë të rinj. Klinikë së Onkologjisë, i ka munguar dhe i mungon akoma hapësira, pasi që duhet të kemi hapësirë edhe më tepër, do të kemi hapësira të mjaftueshme për pacientë të cilët do të marrin terapinë. Hapësirën të ardhmen do të kemi nevojë sepse numri është duke u ngritur”, theksoi ai.

Kurtishi është shprehur i kënaqur edhe me pajisjen me aparatura të reja, për të cilat shprehet se të njëjtat iu kanë lehtësuar jetën pacientëve, duke mos pasur nevojë të shkojnë jashtë vendit për trajtim.

Ai shton se planifikojnë që ta reduktojnë listën e pritjes në zero për kontrolle.

“Ndërkaq, edhe një aparaturë tjetër e re është një CT simulator, i cili është i gjeneratë së fundit dhe i cili neve na ndihmon që t’i bëjmë incizimet e para, dhe pastaj nga aty të vazhdojmë me procedurat e tjera të planifikimit dhe trajtimit të këtyre pacientëve. Pra, kemi edhe shërbimin e Brahiterapisë, dhe aty është një aparat i ri të cilin e kemi funksionalizuar në vitin 2020-2021, dhe realisht ne e kemi kompletuar një farë forme shërbimin e radioterapisë. Pra, me komplet këto katër pajisje të reja është bërë një investim goxha i lartë në klinikën tonë dhe tash pacientët tonë do të kenë trajtim edhe më të mirë dhe më të sofistikuar të këtyre sëmundjeve. Ne mendojmë që këtë listë, edhe realisht deri në fund të vitit ta kemi zero, dhe kjo zero i bie që rastet që planifikohen, nuk do të thotë që pacienti nëse lajmërohet sot në klinikë dhe nesër do të fillojë me rrezatim”, shton Kurtishi

Kurtishi tha se ka mungesë të disa barnave esenciale, por që sipas tij, janë të furnizuar mjaftueshëm me ato më kryesoret dhe më të shtrenjtat.

“Ne jemi të furnizuar mirë me barna, dhe sidomos deri në këto momente kur po flasim, përpos disa barnave të cilat në mungesë të autorizim marketingut, edhe për ato jemi në procedurat e zgjidhjes së atyre problemeve. Pra janë diku pesë ose gjashtë ilaçe dhe së fundi këto dy-tri javët e fundit, kemi pas mungesa të vogla në dy-tre preparate të cilat janë harxhuar dhe ne presim që ato t’i marrim shumë shpejt në klinikë. Por, kur është fjala për barërat e shtrenjta, barnat imunologjike, terapisë imunologjike, barërat bilogjikë, barërat me anitrupa monoklonalë. Ne gati të gjitha ato i kemi në mënyrë të përditshme këtu dhe shumica e pacientëve, mos të themi të gjithë, furnizohen në mënyrë të rregullt me këto barëra, të cilat kanë një ndikim shumë të madh në shëndetin e tyre”, potencoi ai.

Në anën tjetër, Kurtishi tha se duhet të rritet numri i njerëzve që e bëjnë mamografinë, ngaqë sipas tij, kështu mund t’i shmangemi sëmundjes.

“Rekomandohet që mamografia të bëhet një herë në vit, nga mosha 40-45 vjeçare, kurse pas moshës 55-vjeçare ose 60 (vjeç) mamografia mund të bëhet edhe një herë në dy vite. Përjashtim bëjnë ato raste kur femrat kanë anamnezë pozitive, pra kur e kanë dikë në familje të sëmurë. 05:08 Apo më herët mund të bëhet tek femrat të cilat veç kanë bërë një ultrazë dhe është i dyshimtë se ai ndryshim në gji mund të jetë diçka më shumë se një formacion. Akoma jemi larg, nuk jemi në atë optimalen dhe ne duhet të bëjmë kontrolle më shpesh, duhet të bëjmë mamografinë dhe kjo do ta lehtësonte punën edhe të mjekut, por sidomos do të kishte benefite tek femrat. Pra, mamografi duhet të bëhet edhe atëherë kur nuk kemi probleme në gji”, u shpreh Kurtishi.

Po ashtu, onkologu tregoi se në Prizren e kanë hapur një degë që shkojnë njëherë në muaj dhe bëjnë shpërndarjen e barnave tabletare dhe kontrollojnë pacientët me kancer të gjirit, derisa shtoi se mendojnë që ta hapin edhe një degë në ndonjë qendër tjetër të Kosovës.

Përndryshe, Klinika e Onkologjisë në QKUK është i vetmi institucion shëndetësor në vendin tonë që ofron shërbime specifike për pacientët me sëmundje malinje. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera