Lajme

KE kritikon Shkupin për ndryshimet në Kodin Penal

Autori: Gazeta inFokus 16:57 | 13 September 2023

Komisioni Evropian ka kritikuar Maqedoninë e Veriut për ndryshimet e bëra në Kodin Penal, përmes së cilave ulen dënimet me burg për bartësit e funksioneve në rastet gjyqësore për shpërdorim të detyrës.

“Bashkimi Evropian vëren me shqetësim se disa nga ndryshimet në Kodin Penal të miratuara me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me të cilat reduktohen dënimet maksimale ligjore, shkaktojnë implikime në zbatimin e parimit të vjetërsimit dhe prekin një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë”, ka deklaruar për agjencinë MIA, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.

Ndryshimet në disa nene të Kodit Penal u miratuan më 6 shtator dhe parashikojnë përgjysmimin e dënimeve me burg dhe heqjen e plotë të dënimeve në rastet e keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar gjatë prokurimit publik, apo veprave që dëmtojnë fondet buxhetore.

-Advertisement-

Në versionin paraprak të Kodit Penal, dënimet për vepra të tilla penale fillonin nga pesë dhe mund të shkonin deri në dhjetë e më shumë vjet burgim.

Tani dënimet me këto vepra nuk do të jenë më të larta se pesë vjet.

Ulje më drastike të dënimit me burgim parashihen në Nenin 394, që ka të bëjë me veprën penale “bashkim kriminal”.

Në vend të maksimumit prej dhjetë vjetëve burgim, që parashikohej më parë për atë që krijon një grup kriminal, tani me ndryshimet që janë bërë, dënimi maksimal mund të arrijë deri në tre vjet burgim.

“Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në promovimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e mosndëshkimit dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet korruptive duhet të jenë efektive, të përshtatshme dhe bindëse”, deklaroi Pisonero.

Sipas saj, BE-ja sipas shpreh keqardhje për mungesën e konsultimeve gjithëpërfshirëse me faktorët vendorë dhe Komisionin Evropian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e të drejtave kombëtare nga legjislacionin e Unionit.

Zëdhënësja Pisonero deklaroi se “Komisioni Evropian do të vazhdojë të monitorojë me shumë kujdes zhvillimin e shtetit ligjor në vend, përfshirë edhe në kontekstin e negociatave të anëtarësimit”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Maqedoni të Veriut, Angela Ageler, të martën njoftoi se një ekip ligjor nga Ambasada do të shqyrtojë ndryshimet e miratuara në Kodin Penal.

“Korrupsioni ka potencial të minojë ambiciet strategjike të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një përgjigje të Departamenti amerikan të Shtetit dhënë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase në pyetjen nëse ndryshimet e reja në Kodin Penal do të ndërlikojnë përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në vend.

“Ne inkurajojmë Maqedoninë e Veriut që të përmbushë premtimet e saj për të luftuar korrupsionin. Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojnë rezultate të forta, të prekshme, kundër korrupsionit duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke parandaluar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, e cila është thelbësore për përmbushjen e qëllimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në qeveri”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera