Lajme

Reagon ish-shefi i qendrës për punë sociale në Komunën e Prishtinës që u arrestua pardje

Autori: Gazeta inFokus 13:10 | 10 September 2023

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku ka reaguar pas ndalimit që iu është bërë atij dhe dy zyrtarëve tjerë të Komunës së Prishtinës, më 8 shtator nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës. Mujku përmes një postimi tha se publikimet janë tentim i qëllimshëm për njollosje.

“Së pari ju falenderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua. Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njëllosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit” , ka thënë ai.

Ai ka thënë se është i pastër nga këto akuza, dhe se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.

-Advertisement-

“Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastërt si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia. Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero. Nuk do të ndalem në shërbim të drejtë dhe me integritet për vendin nga cilado pozitë që jam, sepse e kemi obligim profesional dhe moral. E paçit shëndetin, familjen e lumtur në shtëpi, miqtë e dashamirët afër, e drejtësinë në krah secili. Do ta nisni çdo ditë mirë kështu si unë” – ka shkruar ish-drejtori i QPS-së.

Sipas raportimeve në media, të arrestuarit janë: Shefi i Personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku dhe Shefja e Njësisë së Shërbimeve Sociale në këtë qendër, Valbona Makiqi.

Për ndalimin e Mujkut dhe Makiqit, ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës – Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të QPS-së në Prishtinë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenin 414 të KPRK-së, ngase të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zbuluar më pas se bëhet fjalë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

“Më 13 korrik të këtij viti, përmes shkresës zyrtare, kam njoftuar personat përgjegjës që personi që është caktuar menaxher i rastit për viktimën 11 vjeçare, nuk ishte i licensuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.

“Vlerësoj trajtimin serioz të këtij rasti, nga ana e policisë dhe prokurorisë. Çdo zyrtar publik sikurse edhe ne, e kemi për obligim zbatimin e përgjegjësive sipas legjislacionit në fuqi dhe sidomos në rastet kur bëhet fjalë për fëmijë të mitur. Qendrat për punë sociale do ta kenë mbështetjen tonë por assesi shkeljet nuk do t’i tolerojmë”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Lidhur me këtë rast është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

Ai ka thënë se ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat thotë se i kanë trashëguar nga qeverisja e kaluar.

“Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës.

Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës.

Institucionet e rendit dhe të drejtësisë janë duke e trajtuar këtë rast dhe ne mbesim në dispozicion e tyre, që rasti të trajtohet në plotni në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Zogaj./

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera