Lajme

Çfarë ndikoi në rënien e papunësisë e çfarë jo?

Autori: Gazeta inFokus 13:20 | 07 September 2023

Papunësia në Kosovë, brenda dhjetë vjetësh, ka shënuar rënie për mbi 17 për qind, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Nga 30 për qind sa ka qenë në vitin 2013, ka rënë në 12.6 për qind vitin e kaluar.

Më saktësisht, sipas ASK-së, numri i të punësuarave në vitin 2013 ka qenë 338.365, ndërsa 403.813 më 2022.

-Advertisement-

Për profesorin e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, rënia e papunësisë është reale, por nuk i atribuohet rritjes eventuale ekonomike.

Sipas tij, faktor kyç që ka ndikuar në të është emigrimi i popullatës.

“Ikja është e përqendruar te kontingjenti i punës, respektivisht te personat që janë në moshë pune dhe kanë vullnet që të hyjnë në tregun e punës”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

ASK-ja nuk ka ende të dhëna për vitin 2022, por ato të vitit 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë, për arsye të ndryshme.

Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000 dhe më 2018 mbi 28.000.

Rritje e pamjaftueshme ekonomike

Ramosaj thotë se rritja ekonomike në Kosovë ka qenë e ulët për të gjeneruar mjaftueshëm vende të reja pune. Në dhjetë vjetët e fundit, mesatarja nuk ka kaluar 4-5 për qind.

“Rritja ekonomike njëshifrore nuk e adreson problemin e papunësisë”, thotë ai.

Të dhënat e fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikojnë që në vitin 2023 Kosova të ketë rritje ekonomike për 3.5 për qind, ndërsa në vitin 2024 për 4 për qind.

Përfaqësues të bizneseve thonë se as ata nuk kanë mundur të jenë kontribuues të mëdhenj në zbutjen e papunësisë.

Sipas tyre, në dhjetë vjetët e fundit, nuk ka pasur lehtësira fiskale, të cilat do t’i ndihmonin bizneset prodhuese të zhvilloheshin më shumë dhe, rrjedhimisht, të hapnin më shumë vende pune.

“Në rast se investon në shtetet e rajonit, lirohesh nga një pjesë e madhe e tatimeve, si tatimi në fitim e të tjera, ndërkohë që në Kosovë nuk ka lehtësira të tilla”, thotë për Radion Evropa e Lirë Skënder Krasniqi, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë.

“Ne jemi vend importues i të gjitha produkteve dhe eksportojmë shumë pak. Tregtia hap më pak vende pune sesa do të mund të hapte sektori i zhvilluar i prodhimit”, shton ai.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës konfirmojnë, po ashtu, se investimet në sektorin e prodhimit janë më të vogla nëse krahasohen me sektorë të tjerë.

Formalizmi i vendeve të punës

Profesori Ramosaj thotë se shifrat më të ulëta të papunësisë i ka ndikuar, deri në njëfarë mase, edhe formalizimi i punësimit.

“Së fundi është parë që bizneset, në përgjithësi, i deklarojnë punëtorët tek institucionet përkatëse, e që me vite i kanë mbajtur në të zezën”, thotë ai.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), vitin e kaluar, ka nisur projektin e ashtuquajtur “Punësimi joformal”, i cili ka për qëllim inspektimin e bizneseve, identifikimin e punëtorëve të paregjistruar dhe regjistrimin e tyre.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 26 gusht se zbatimi i këtij projekti ka çuar, deri më tash, në identifikimin e mbi 7.000 punëtorëve të padeklaruar.

Krasniqi, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, tërheq vërejtjen se jo të gjithë të papunët regjistrohen në Agjencinë e Punësimit dhe kjo, sipas tij, bën që shifrat e papunësisë të kenë trend të rënies.

“Në vendet evropiane, të papunët regjistrohen si të papunë, pasi përfitojnë mjete financiare nga shteti. Në Kosovë nuk përfiton asgjë dhe kjo është arsyeja që nuk lajmërohen si të papunë dhe papunësia del të jetë e vogël”, thotë ai.

Të dhënat e Agjencisë së Punësimit të Kosovës flasin për rënie të numrit të punëkërkuesve.

Nga rreth 300 mijë punëkërkues të regjistruar në vitin 2013, numri i tyre ka rënë në rreth 29 mijë në prill të këtij viti.

Papunësia bie, por punëtorë nuk ka

Edhe pse shifra e papunësisë mbetet mbi 12 për qind, bizneset në Kosovë, sidomos në dy vjetët e fundit, ankohen për mungesë punëtorësh.

Disa, madje, kanë importuar fuqi punëtore nga jashtë.

Krasniqi thotë se kjo ndodh si pasojë e mungesës së harmonizimit midis arsimit dhe kërkesave të tregut të punës.

“Ministria e Arsimit, për dhjetë vjet, i ka dhënë qytetarit shkollim që nuk i krijon vend pune. Ne arsimojmë të rinj [në ato fusha] që nuk u krijojnë të ardhme”, thotë ai.

Sipas Krasniqit, mungesë punëtorësh ka në sektorin e bujqësisë, të gastronomisë, të ndërtimtarisë dhe të tekstilit.

Ndërtimtaria, njëherësh, thith edhe numrin më të madh të punëtorëve, ashtu si edhe tregtia e arsimi.

Ministria e Arsimit, në anën tjetër, është në proces të zgjerimit të mësimit dual, që nënkupton aftësimin në një kompani të caktuar në kombinim me lëndët e një shkolle profesionale. Ky lloj mësimi ka filluar për herë të parë vitin e kaluar.

Ku janë mbi 750 mijë persona?

Sipas ekspertëve, një tjetër gjë që mbetet shqetësuese është shifra e personave ekonomikisht joaktivë – mbi 750 mijë, sipas të dhënave të ASK-së.

Me termin ekonomikisht joaktivë, ASK-ja përshkruan personat që nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Profesori Ramosaj ka një shpjegim:

“Një pjesë [e personave ekonomikisht joaktivë] merret me veprimtari të pavarura që nuk janë të regjistruara si biznese, një pjesë ka të ardhura nga pasuria e paluajtshme dhe disa pranojnë remitenca dhe nuk punojnë”.

Me mbi 1.7 milion banorë, Kosova ka pagën më të ulët minimale në Evropë, që sillet nga 130 deri në 170 euro.

Paga mesatare bruto në vend, për dhjetë vjet, është rritur për 138 euro. Nga 383 euro sa ka qenë në vitin 2012, ajo është bërë 521 euro në vitin 2022.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera