Sport

​A do të duartrokiten Xhaka e Shaqiri dhe a do të ketë koreografi speciale ndaj Zvicrës, flet kryetari i “Dardanëve”

Autori: Gazeta inFokus 13:23 | 02 September 2023

Nëntë shtatori është data e shumëpritur për të gjithë adhuruesit e futbollit, pasi stadiumi “Fadil Vokrri”, do te jetë arenë e përplasjes ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, sfidë kjo e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropian ‘EURO 2024”.

Brenda pak orësh janë shitur të gjitha biletat që ishin në dispozicion, duke paralajmëruar kështu se Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin me shokë po i pret një atmosferë përvëluese në tokën dardane.

Në lidhje me organizimin e tifozëve për këtë ndeshje, ka folur në një intervistë për KosovaPress, kryetari i “Dardanëve”, Lul Berisha, i cili menjëherë ka paralajmëruar se ata nuk gëzojnë asnjë respekt për Zvicrën, aq më tepër kur dihet se ata votuan kundër pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

-Advertisement-

“Përgatitjet për Kosovën janë gjithmonë në atë nivelin e vet sepse kur luan kombëtarja jonë, ne nuk veçojmë dikë. Mund ta veçojmë ndonjë shtet mik si Amerikën, Anglinë, pse Gjermaninë, për të tjera nuk kemi diçka të veçantë që duhet ta veçojmë këtë ndeshje me Zvicrën. Ndeshja me Zvicrën është me rëndësi për Kosovën sepse kemi çaluar ne rezultate, përndryshe nuk do të thoja që është ndonjë ndeshje e veçantë. Zvicra përveç që është një shtet që ka votuar kundër Kosovës në pranimi në UEFA dhe FIFA, nuk e shoh që është diçka e veçantë.”, tha Berisha.

Biletat për ndeshjen Kosovë-Zvicër u shitën brenda pesë orësh, dhe një interesim kaq të madh, Berisha e sheh si normal, por ka shpreh frikën se mund të ketë prej tyre që më shumë do jenë në stadium sa për të parë yjet e Zvicrës, e jo për Kosovën.

“Çmimi i biletave për ne nuk është një prioritet sepse caktohet nga Federata e Futbollit të Kosovës. Ne e kemi për çështjen e “Dardanëve” dhe interesimin e njerëzve tanë është pak më prioritare sepse ne shumicën e kohës nuk e shikojmë fare ndeshjen. Çështja jonë është se ne kemi arritur shumë moti me FFK-në, në krye me Agim Ademin që biletat tona të jenë falas dhe në biletë ceket që është “Dardanët”. Për pjesët tjera unë nuk do të thoja prapë, edhe pse interesimi i mediave dhe i njerëzve ka qenë se luan Zvicra, fatkeqësisht ne kemi edhe të tillë shqiptar që jetojnë këtu e që prioritet e vendosë Zvicrën ose një shtet tjetër që t’i shikojë disa yje të shteteve tjera. “Dardanët” nuk e kanë atë prioritet, për ne, yje janë yjet e kombëtares sonë, yje të tjera nuk shohim e as nuk duam t’i shohim”, theksoi Berisha.

Interesimi për të siguruar bileta po vazhdon edhe më tutje dhe kërkesat për të siguruar një të tillë shkojnë në drejtim të tifogrupit “Dardanët”. Në lidhje me këtë ky grup doli me një reagim në Facebook duke thënë “kemi bileta, por jo për ata që hanë fara”. Se kujt iu dedikua ky status e zbulon vet Berisha.

“Unë, partnerëve të mi që merren me rrjete sociale u kam dhënë urdhër që të postohet ai shkrim sepse unë mendoj, si kryetar i tyre dhe përfaqësues, them që asnjë njeri, nuk është e drejtë të thërras ose të bëjë presion që t’iu gjejmë ne bileta të VIP ose të pjesëve të ndryshme. Njerëzit duhet ta kuptojnë që ne e kemi një funksion dhe profesion që e kryejmë vullnetarisht dhe me inciativën tonë dhe me ndihmën e Federatës së Futbollit të Kosovës ne i kemi biletat falas, do të thotë çmimi është zero…Kushdo që është tifoz dhe është i anëtarësuar në tifogrupin tonë, atëherë, bileta do të jetë falas dhe ne nuk marrim asnjë përgjegjësi e asnjë konsideratë që t’i ndihmojmë dikur për bileta VIP, apo të pjesëve të tjera. Fatkeqësisht ne nuk kemi aso bileta, por edhe fatmirësisht që nuk kemi sepse nuk na lejohet t’i kemi, por edhe po t’i kishim, nuk do t’i merrnim.”, ka thënë Berisha.

Berisha theksoi se gjatë ndeshjes lojtarët kosovarë që luajnë për Zvicrën, do të duartrokiten sepse janë shqiptarë dhe i takojnë këtij kombi, derisa zbuloi për KosovaPress se në tribuna do të shpaloset një koreografi e veçantë.

“Unë nuk do të thoja që do t’iu bëjmë diçka të veçantë atyre. Unë besoj që vet ata që e përfaqësojnë Zvicrën janë të veçantë për Zvicrën, por jo që kemi ne diçka kundër tyre. Ne do t’i duartrokasim sepse janë pjesë e kombit tonë, janë shqiptar, janë të Kosovës, do t’i duartrokasim aq sa është mundësia jonë, përndryshe ne duhet të luftojmë me ta në fushën e blertë, lojtarët tanë po mendoj…Koreografitë nuk zbulohen në të gjithë botën, kjo është ligj. Po, do të ketë, unë besoj që do të jetë shumë e veçantë, por do të jetë për Kosovën dhe për shqiptarët, jo për dike speciale.”, tha në fund Berisha.

Sa i përket aspektit sportiv, Berisha tha se ka besim se Kosova do të ketë rezultate pozitive edhe nën trajnerin e ri Primoz Gliha, sidomos kur dihet se afër tij janë dy trajner kosovarë me përvojë të madhe si Afrim Toverlani dhe Arbnor Morina.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera