Lajme

Shtyhet aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në veri të Mitrovicës

Autori: Gazeta inFokus 12:29 | 25 August 2023

Komuna e Mitrovicës së Veriut shtyu aksionin për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti i saj në Lagjen e Boshnjakëve, mësoi Radio Evropa e Lirë nga disa burime të afërta me autoritetet lokale.

Arsyet e këtij vendimi, tash për tash, nuk janë të qarta.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria gjenden në atë objekt prej kohësh.

-Advertisement-

Më 22 gusht, inspektorati komunal kërkoi prej tyre që, brenda tri ditësh, ta lirojnë objektin, për shkak se nuk dorëzuan dokumente apo kontrata për shfrytëzimin e tij.

Autoritetet komunale thanë se objekti është pronë e tyre dhe se duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Por, në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, ato nuk specifikuan se për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.

Kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës nuk deshi ta komentojë këtë vendim të Komunës së Mitrovicës së Veriut, me arsyetimin se bëhet fjalë për “çështje lokale”.

Megjithatë, Ambasada amerikane në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë më 23 gusht se ka këshilluar edhe Qeverinë e Kosovës, edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri që “të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i rrisë tensionet”.

Popullata serbe në veri të Kosovës i bojkotoi zgjedhjet lokale të prillit dhe, si rezultat, pushtetin në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq e morën kryetarët shqiptarë.

Në fund të majit, këta kryetarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale – gjë që shkaktoi revoltë nga popullata lokale serbe dhe ngriti tensionet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera