Ndërprerja e rrymës ngre alarmin në centralin bërthamor të kapur nga Rusia në Ukrainë
Autori: Gazeta inFokus 11:04 | 20 August 2023
Fati i centralit bërthamor në mes të luftës më të madhe në Evropë në dekadat e fundit, ka ngritur shqetësime të mëdha qëkur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës gati 18 muaj më parë. Frika për ndonjë fatkeqësi nuk është zbutur, pasi luftimet po rriten jo shumë larg centralit.
Më 10 gusht, linja kryesore e rrymës në centralin bërthamor në Zaporizhja u shkyç dy herë, duke e detyruar atë të mbështetet vetëm në linjën e fundit të rrymës jashtë zonës. Linja kryesore u kyç përsëri kah mbrëmja. Ndërkohë, ministri i Energjisë i Ukrainës foli për rrezikun e një shkrirjeje bërthamore.
Steven Nesbit, një veteran i industrisë së centralit bërthamor, i cili ishte president i Shoqërisë Bërthamore Amerikane më 2021/22, tha për Radion Evropa e Lirë se centrali bërthamor i Zaporizhjas është në rrezik që nga fillimi i pushtimit rus. Por, dështimi i linjës së rrymës jashtë zonës nuk e bëri vlerësimin e gjendjes nga ai më të keqe seç ka qenë.
“Nuk shoh asgjë të re tani që duhet t’i shqetësojë vërtet njerëzit për gjendjen tashmë të padëshirueshme”, tha ai, duke shtuar se linjat e rrymës jashtë zonës janë shkyçur më herët për shkak të luftës.
“Nuk do të habitesha nëse do të ndodhte përsëri, por humbja e njërës prej linjave të rrymës për një periudhë kohore nuk është arsyeje për shqetësim të panevojshëm”, tha Nesbit.
Enerhoatom, kompania shtetërore e Ukrainës për prodhimin e rrymës, ishte e para që e ngriti alarmin më 10 gusht, duke thënë se centrali bërthamor ishte “buzë një terri tjetër”, pasi linja kryesore e tensionit të lartë ishte shkyçur, duke i detyruar operatorët të përdornin linjën mbështetëse 330-kilovatësh.
Në një komunikatë për media ditën e njëjtë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA), tha se linja kryesore 750-kilovatësh, ishte shkyçur dy herë që nga mëngjesi i hershëm dhe kishte mbetur i shkyçur deri në mbrëmje, raporton Radio Evropa e Lirë.
Centrali duhej të mbështetej “në linjën e vetme të mbetur jashtë zonës, linjën mbështetëse 330-kilovatësh, për t’u furnizuar me rrymën e nevojshme, për shembull, për kryerjen e funksioneve të sigurisë, siç është pompimi i ujit të ftohtë për centralin”.
Ministri i Energjisë, Herman Halushchenko, tha se centrali ishte “një hap larg territ – kjo nënkupton, humbjen e plotë të rrymës së jashtme” dhe tha se kjo mund të çojë drejt një “katastrofe të madhe”.
Centrali do të nisë operimin me gjeneratorë me naftë, nëse nuk furnizohet më me rrymë nga jashtë, por nëse gjeneratorët dëmtohen nga ndonjë sulm rus, tha ai, “ftohja e centralit do të ndalej dhe do të fillonte ngrohja dhe shkrirja e pakthyeshme e karburantit bërthamor”.
“Mendoj se kjo është paksa alarmuese”, tha Nesbit më 11 gusht.
Ditën e njëjtë, Enerhoatom tha në Telegram se linja kryesore e centralit bërthamor u kyç përsëri natën e kaluar, pasi ishte prishur nga zjarri rus.
Gjeneratorët me naftë janë të mbrojtur mirë dhe kanë mjaftueshëm naftë për të prodhuar rrymë për ta mbajtur ndezur sistemin ftohës për një periudhë të zgjatur kohore, derisa të rikthehen burimet e jashtme, tha Nesbit.
“Gjashtë njësitë mund ta ndajnë rrymën mes vete. Është një sistem i sigurt dhe fleksibil”, tha ai.
Nëntorin e kaluar, gjeneratorët me naftë u përdorën kur centrali u shkyç nga të dy linjat kryesore dhe rezervë të jashtme të rrymës. Drejtori i përgjithshëm i ANEA, Rafael Grossi, e quajti këtë “një zhvillim tejet shqetësues, i cili e dëshmon gjendjen e cenueshme dhe të brishtë të centralit”.
Në atë kohë, Enerhoatom tha se kishte mjaftueshëm naftë për përdorimin e gjeneratorëve emergjentë për rreth 15 ditë.
Rusia e uzurpoi centralin bërthamor të Zaporizhjas, i cili furnizonte rreth një të pestat e nevojave të Ukrainës për rrymë, pak pasi e nisi pushtimin e plotë më 24 shkurt 2022.
Centrali dhe zona përreth tij kontrollohen nga Rusia, por po udhëhiqen nga inxhinierët e vet ukrainas. Në shtator 2022, Ukraina e fiku stacionin për ta ulur rrezikun e një katastrofe.
Pesë nga gjashtë reaktorët janë fikur për, siç thuhet, t’u ftohur, derisa një njësi por mbahet në një temperaturë të lartë – e nxehtë dhe fikur – për të ofruar avull dhe nxehtësi, tha në korrik Shoqata Bërthamore Amerikane, e cila po i vëzhgon të dhënat për centralin.
Si pasojë, shkalla e prodhimit të nxehtësisë ka qenë e ulët dhe pajisjet brenda zonës ofrojnë mjaftueshëm ujë të nevojshëm për ftohje, tha shoqata amerikane.
Ajo e quajti “spekulative” kërcënimin për një rrjedhje të madhe të materialeve radioaktive, por tha se vlerësimi i saj nuk “nënkupton se gjithçka është në rregull sa i përket rreziqeve të sigurisë në zonën e centralit”.
Nesbit tha se ka qenë veçanërisht e rëndësishme që reaktorët në centralin në Zaporizhja nuk kanë prodhuar rrymë për muaj të tërë, pasi ia ka mundësuar shkallës së nxehtësisë të lidhur me karburantet e reaktorëve të bjerë.
Ukraina dhe Rusia e kanë akuzuar njëra-tjetrën se po planifikojnë ta sabotojnë centralin, duke paralajmëruar për mundësinë e një fatkeqësie bërthamore, e cila mund t’i kërcënojë miliona njerëz dhe ta helmojë mjedisin, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ukraina tha së fundmi se Rusia i ka minuar kulmet e reaktorëve të Zaporizhjas. Javën e kaluar, ANEA tha se ekspertët e saj nuk gjetën mina në dy reaktorët të cilët u lejua t’i inspektojë. Rusia ende nuk i ka dhënë leje ANEA-s për t’i inspektuar reaktorët e tjerë.
ANEA nuk gjeti mina kundër personelit në “periferi” të oborrit të centralit, por armët e tilla janë të vogla dhe të dizajnuara për ta shpuar trupin njerëzor, e jo muret e betonit një metër të trasha dhe të përforcuara me çelik. As disa mina në kulm nuk do të mjaftonin për të shkaktuar rrjedhje radioaktive, thonë ekspert.
Qëkur e nisi pushtimin, Rusia e ka akuzuar Ukrainën vazhdimisht se po bën komplot për ta shpërthyer një bombë të pistë, apo për të krijuar një rrjedhje radioaktive dhe pastaj ta fajësojë Moskën për këtë. Rusia tha javën e kaluar se Ukraina u përpoq ta sulmojë centralin Zaporizhja me dron.
Kievi i ka hedhur poshtë këto pretendime duke i cilësuar si “të pakuptimta”, ndërsa ekspertët thonë se nuk ka kuptim për Ukrainën të kërcënojë me katastrofë në tokën e vet.
Ndërtimi i centralit bërthamor të Zaporizhjas nisi më 1980, teksa tensionet mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit u intensifikuan dhe shqetësimet se Lufta e Ftohtë mund të nxehet u rritën.
Centrali Zaporizhja u dizajnua “për t’i bërë ballë shumë sfidave, të brendshme dhe të jashtme”, tha Nesbit.
“Centralet bërthamore nuk u dizajnuan për të qenë patjetër të pandikuara nga lufta, por karakteristikat që ato kanë – ndërtesat e trasha frenuese përreth reaktorëve – ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme në rast të luftimeve”, shtoi ai.
Ai tha, për shembull, rreziku që përbën një mjet i vetëm fluturues pa pilot – një dron – është tejet i vogël.
Nesbit tha, po ashtu, se ai beson se asnjëra palë nuk është e nxitur për të shkaktuar dëme në central, megjithëse lufta është e paparashikueshme.
“Shqetësimi i të gjithë neve është se, për shkak se është luftë, nuk mund ta kontrollosh gjithmonë atë që do të ndodhë”, theksoi ai.
Të tjera
-
Osmani e Maqedonci takojnë Bauer: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, i domosdoshëm
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci së bashku me presidenten Vjosa Osmani po...
-
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import të veturave
Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro. Nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, ...
-
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për Kosovën fituese
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe F...
-
Osmani thotë se Kanadaja ka aprovuar kërkesën e saj për Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak
Presidentja Vjosa Osmani njoftoi për “një lajm të mrekullueshëm” nga Hali...
-
Hamza: Bashkatdhetarët në Këln u bashkuan me ne për ta bërë Kosovën më të mirë
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka mbajtur tubim me bashkatd...
-
Vdes tragjikisht një 25-vjeçar në Prizren, i ra metali në kokë derisa po punonte
Një 25-vjeçar nga fshati Vragoli i Fushë Kosovës vdiq tragjikisht pasditen e ...
-
Limaj: Të zgjohemi për ta shpëtuar Kosovën, ata donin që historia të niste me ta sepse s’kanë kurrfarë historie
Kryetari i Nismës Socialdemokrate tha se “shtë koha e rezultateve dhe jo e fj...
-
Murati – Bajramit: S’ka asgjë të paligjshme në kontratat me procedurë të negociuar, sipas teje qenkan hajni
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nënrkyetarja e LDK-së, Hykmet...
-
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit
Nesër nga ora 11:00 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. E në rend dite ka n...
-
Haradinaj: Fatmir, po i vie era fitore – anëtarësimi në NATO në vitin e parë të qeverisjes
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se koalici...
-
Hekuran, ku është shpifja këtu? Deputetja Bajrami publikon shifra për kontratat e negociuara
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami i është kun...
-
Vrạsja e nxënësit në Tiranë, Rama: Pa u varrosur ende 14-vjeçari, dalin djajtë nga shishet e ia marrin valles për pushtet
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me diasporën në Britaninë e Madhe komento...