Lajme

Haradinaj i kërkon Kurtit të mos i rrëzojë me peticion kryetarët në veri: Bindi aleatët se je për zgjidhje e jo kriza

Autori: Gazeta inFokus 20:36 | 17 August 2023

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur kundër idesë së kryeministrit Kurti për t’i rrëzuar kryetarët e komunave veriore me peticion.

Përmes një reagimi, Haradinaj i ka kërkuar Kurtit që të ndërprejë këtë procedurë e të vazhdojë me një strategji të re.

Sipas liderit opozitar, kjo do të dëshmonte se kryeministri Kurti e ka synim zgjidhjen e problemit, jo nxitjen e krizave.

-Advertisement-

“Albin, ndërpreje procedurën e rrëzimit të kryetarëve në komunat veriore me peticion. Vazhdo me një strategji të re, me dorëheqjen e kryetarëve. Ashtu do të binden edhe aleatët se je për zgjidhje, e jo për kriza të reja në veri të vendit”, ka shkruar Haradinaj.

Mirëpo, Kurti ditë më parë ka theksuar se, për të, mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni.

Ai ka theksuar se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual, jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.

“Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji. Tash ta presim punën e tyre, sa më shpejtë aq më mirë, por edhe një herë po e them nuk besoj se ka arsye më që të ketë ndokush dyshime se Kosova nuk është palë konstruktive. Përkundrazi ne jemi palë konstruktive që është dëshmuar me ide kreative dhe përkushtim për të gjetur zgjidhje”, kishte deklaruar Kurti, për KP.

Zgjedhjet e fundit në komunat veriore u mbajtën në muajin prill të këtij viti.

Nga bojkotimi total i zgjedhjeve nga serbët lokalë, katër shqiptarë përfunduan kryetarë në komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, dhe Zveçanit.

Kjo nuk i pëlqeu komunitetit serb, të cilët me ngulm kërkojnë largimin e të përzgjedhurve, çka edhe ka çuar në destabilizim të situatës.

SHBA-ja dhe BE-ja ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë hapa urgjentë për zgjidhjen e krizës në veri të vendit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera