Lajme

Kusari-Lila ironizon me Haradinajn: Cilat ministri po i do?

Autori: Gazeta inFokus 23:28 | 05 July 2023

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e vlerëson të papranueshme idenë e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për krijimin e një qeverie të unitetit.

Shefja e deputetëve të partisë në pushtet tha se e falënderon Haradinajn për propozimin, por se sipas saj, Qeveria Kurti do të vazhdojë mandatin e plotë, pasi tha se ka legjitimitet të paparë deri tash në Kosovë.

“Unë mund të them sonte nga kjo studio që e falënderojmë zotëri Haradinajn për propozimin dhe për mundësinë që ta përfshijë edhe Lëvizjen në një qeveri të unitetit. Por fatkeqësisht për zotëri Haradinjan qytetarët kanë vendosur ndryshe dhe vota e tyre ka treguar që Qeveria Kurti e merr mandatin e plotë si një qeveri me një legjitimitet dhe me një mbështetje të paparë deri më tash me mbi 51% të votave të Republikës”, deklaroi Kusari-Lila në Këndin e Debatit në Tëvë1.

-Advertisement-

Ajo më tej tha se Partia e Haradinajt së bashku me dy partitë tjera opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës e ka marrë përgjigjen e qytetarëve në zgjedhjet e vitit 2021.

Por, sipas deputetes Kusari-Lila, kreu i AAK-së me këtë propozim po kërkon të kalojë mbi vullnetin e sovranit, gjë të cilën ajo tha se Haradinaj e ka bërë edhe duke iu bashkuar Qeverisë Hoti, e cila më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Madje, deputetja e Vetëvendosjes ironizoi me liderin e AAK-së duke e pyetur se cilat ministri po i do në kuadër të “Qeverisë së Unitetit”.

“Tash ne ide mund të kemi të gjithë, por që në situatën aktuale, absolutisht jo që nuk është zgjidhje, por është shkelje e vullnetit të qytetarëve për atë çfarë kanë votuar dhe çfarë kanë kërkuar nga Qeveria vetë. Nuk mundet tash që të vijnë ide, hajde tash të bëhemi të gjitha bashkë. Me të vërtetë. Edhe ata pyesim cilat ministri i do?! A i ka bërë ministritë, ai ka zgjedh? A i ka zgjedh titullarët e ministrive? Të jemi pak më seriozë me rrethanat në të cilat po ballafaqohemi”, është shprehur Kusari-Lila.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera