Lajme

Pas 12 seancave të dështuara, mbahet shqyrtimi fillestar në rastin “Brezovica 1”

Autori: Gazeta inFokus 09:48 | 27 June 2023

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, pas 12 seancave fillestare të dështuara, të hënën është mbajtur seanca për korrupsion, ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si pjesa e parë e rastit “Brezovica”, ku të akuzuarve Naser Kelmendi, Arian Idrizaj, Riad Hasani dhe Blerim Imeri, iu refuzua marrëveshja e arritur me Prokurorinë për pranim fajësie.

Kurse, të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Arian Idrizaj dhe Fatmir Grainca, janë deklaruar të pafajshëm në këtë fazë të procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuar në këtë pjesë të rastit “Brezovica 1”, janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

-Advertisement-

Fillimisht, gjykatësi i kësaj çështje Ilir Bytyqi, njoftoi se prokurori i çështjes Rasim Maloku, kësaj aktakuze i ka bashkëngjitur marrëveshjet për pranimin e fajësisë me të akuzuarit Naser Kelmendi, Arian Idrizaj, Riad Hasani, Sanije Geci dhe Blerim Imeri.

Ndërsa, në këtë seancë munguan për arsye shëndetësore të akuzuarit Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Sanije Geci, për çka është njoftuar gjykata me kohë.

Lidhur me marrëveshjen për pranim të fajësisë, palët në procedurë: prokurori Rasim Maloku dhe të akuzuarit Naser Kelmendi, me avokatin Bajram Morina, Arian Idrizaj me avokatin zëvendësues Faton Hyseni, Riad Hasani me avokatin Mexhid Syla, dhe Blerim Imeri me avokatin Fatlum Podvorica, deklaruan se qëndrojnë pranë kësaj marrëveshje të nënshkruar mes palëve dhe i kanë kërkuar gjykatës t’ua aprovojë ato marrëveshje.

Prokurori Maloku tha se këto marrëveshje janë lidhur sipas dispozitave ligjore që kanë qenë në fuqi në atë kohë kur janë lidhur marrëveshjet, andaj gjykatës i ka propozuar që të njëjtat t’i aprovojë në përjashtim të marrëveshjes me të akuzuarën Sanije Geci, e cila nuk ishte prezente në seancë.

“Kjo lëndë është pjesa e parë e rastit të njohur si Brezovica, pjesa tjetër e lëndës me numër PPI.nr.138/20 është duke u zhvilluar në Gjykatën e Pejës, kurse pjesa tjetër PPI.nr58/22 është në fazën e hetimeve, kështu që të pandehurit me të cilët kemi arritur marrëveshje janë të përfshirë edhe në dy rastet e lartcekura për të cilat edhe në ato lëndë me të njëjtit kemi arritur marrëveshje”, ka shtuar prokurori Maloku.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi tha se nuk bindet se janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara në nenin 230, paragrafi 17 të KPPK-së.

Andaj, mori aktvendim në bazë të cilit ka refuzuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë e lidhur mes prokurorit dhe të pandehurve Kelmendi, Idrizaj, Hasani dhe Imeri, bashkë me avokatët e tyre, ashtu siç janë të nënshkruara dhe përcaktuara në secilën marrëveshje konkrete.

“Propozimi i prokurorit në lidhje me rekomandimin sa i përket dënimeve të propozuara është në kundërshtim me dispozitat të nenit 44, paragrafi 2 të KPRK-së. Propozimi i prokurorit në lidhje me rekomandimin për dënim alternativ është në kundërshtim me nenin 48, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 te KPRK-së”, tha gjyqtari në arsyetim të vendimit.

Po ashtu, aktvendimi përmend edhe propozimin e prokurorit në lidhje me rekomandimin për vendimin e gjykatës lidhur me objektet e sekuestruara përkohësisht.

“Propozimi i prokurorit në lidhje me rekomandimin sa i përket vendimit të gjykatës në lidhje me objektet e sekuestruara përkohësisht sipas urdhëresës-aktvendimit UGJK.nr.161/22 të datës 07.11.2022, është prejudikuese në lidhje me kontestin që po zhvillohet në këtë Gjykatë, urdhëresa në fjalë është objekt gjykimi në Gjykatën e Themelore në Pejë dhe ende nuk ka marrë formën e prerë. Urdhëresa UGJK.nr.161/22 e datës 07.11.2022 nuk i është bashkëngjitur marrëveshjes për pranim të fajësisë dhe përkundër përpjekjeve të kryetarit të trupit gjykues për ta siguruar këtë urdhëresë. Propozimi i prokurorit në lidhje me rekomandimin e dëshmitarëve bashkëpunues tanimë është kompetencë e Prokurorisë Themelore në Ferizaj konform nenit 231, paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet më tej në aktvendim.

Më pas, avokati Muhamet Halili, mbrojtës i të akuzuarit Dimitrije Raciceviq, deklaroi se nuk i ka marrë të gjitha shkresat e lëndës edhe pas përpjekjeve për t’i siguruar nga Prokuroria.

“I kam kërku tri herë radhazi shkresat e lëndës edhe nuk i kam marrë, jam udhëzuar të marr “usb” t’ia dorëzoj Prokurorisë që t’i paraqet shkresat e lëndës, ndërsa gjatë përgatitjes për seanca kam vërejtur se në “usb”, janë dhënë vetëm një numër i vogël i provave, pastaj kam kërkuar prapë me kërkesë për këto shkresa, më është kërkuar që t’i specifikoj ato. Unë i kam specifikuar se i kërkoj të gjitha shkresat dhe provat e lëndës që janë pjesë e aktakuzës, e më pas nuk kam marrë përgjigje”, ka deklaruar avokati Halili.

Për këtë, prokurori Maloku tha se përkthimi i të gjitha shkresave në gjuhën serbe ka qenë i pamundur sepse Prokuroria në Ferizaj ka vetëm një përkthyes, për këtë arsye nuk kanë arritur t’ia dorëzojnë mbrojtësit të gjitha shkresat.

Lidhur me këtë çështje, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Naser Kelmendi, avokati Bajram Morina, tha se nuk i posedon të gjitha shkresat e lëndës, andaj nuk janë të gatshëm të deklarohen rreth fajësisë në këtë seancë.

Kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi njoftoi se kjo çështje penale ishte caktuar sipas datave në vijim: 22.12.2020, 11.02.2021, 29.03.2021, 30.04.2021, 16.06.2021, 06.07.2021, 15.09.2021, 20.12.2021, 14.02.2022, 15.03.2022, 22.04.2022, 08.06.2022, dhe të gjitha palët në procedurë e kanë të njohur se pse këto shqyrtime nuk janë mbajtur.

Andaj, për të mos zvarritur këtë procedurë, gjykatësi Bytyqi mori vendim që shqyrtimi fillestar për të akuzuarit Dimitrije Reciceviq dhe Naser Kelmendi të shtyhet për 9 gusht 2023, ku do të ftohen edhe të akuzuarit Sanije Geci, Labinot Vitija dhe Gentjan Sulo.

Gjykatësi tha se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim për të akuzuarit Gentjan Sulo dhe Labinot Vitija, ndërsa për të akuzuarën Sanije Geci, nëse avokati i saj Asdren Hoxha, nuk paraqet dëshmi siç ka pretenduar për gjendjen shëndetësore të tani të akuzuarës, edhe ajo po ashtu do të sjellet me urdhëresë.

Në këto rrethana, seanca fillestare ka vazhduar për të akuzuarit e tjerë.

Pasi që palët në procedurë hoqën dorë nga leximi i aktakuzës dhe pasi kuptuan udhëzimet e dhëna nga gjykatësi Bytyqi, të njëjtit janë deklaruar rreth fajësisë.

Të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Arian Idrizaj dhe Fatmir Grainca, janë deklaruar të pafajshëm në këtë fazë të procedurës.

Të njëjtit janë njoftuar për të drejtën e tyre që të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në afat ligjor prej 30 ditëve.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar për të akuzuarit Dimitrije Raciceviq, Naser Kelmendi, Sanije Geci, Gentjan Sulo dhe Labinot Vitija, u caktua të mbahet më 9 gusht 2023.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Reciceviq akuzohet se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si person zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që ka lëshuar të paktën 20 leje ndërtimi në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, ku ndërtimi është rreptësisht i ndaluar, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri.

Gjithashtu thuhet se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën e tretë, për objektet hoteliere “Rezonanca”, “Rimida” dhe “Arena”, si dhe për vikend-shtëpiza për personat fizik Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat ndërtime kanë degraduar ambientin në këtë zonë turistike si dhe kanë dëmtuar ujërat e Lumit “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dizpozitivit të dytë të aktakuzës, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami akuzohen se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si persona zyrtarë-inspektorë komunal të ndërtimit, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimin për ndalimin e ndërtimit në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, të 6 objekteve vikend-shtëpiza të pronarit Riad Hasani, për të cilat objekte ishin anuluar lejet e ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës.

Aktakuza thotë se ata nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit në zonën e tretë të Parkut të objektit vikend-shtëpizë të Sanije Gecit e cila kishte tejkaluar lejen ndërtimore, si dhe ka ndërtuar një pjesë të objektit mbi lumin “Murzhica” si dhe të aneks objektit të Dalibor Trifunoviqit, i cili kishte ndërtuar pa leje ndërtimore, të cilat ndërtime janë në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë, të cilat kanë degraduar mjedisin dhe kanë dëmtuar ujërat e lumit “Murzhica”.

Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disa katësh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Naser Kelmendi akuzohet se nga viti 2014, në zonën turistike te Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding” dhe parcelave kadastrale nr.6818/26, 6419/35, 6380/1, 6962/1, 6419/20 dhe 6419/34 ZK Verbeshticë, ka ndërtuar objekte banesore vikend-shtëpiza, si fshat turistik, pa pëlqim mjedisor dhe pëlqim të ujërave në afërsi të lumit “Murzhica”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe të Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke dëmtuar drunjtë, tokën dhe ujin, të cilat vikend shtëpiza pastaj ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe tokën, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Tutje, Labinot Vitija akuzohet se nga viti 2012, në zonën turistike të Parkut Kombëtar Sharri në Brezovicë, ka degraduar mjedisin, duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, ka ndërtuar 5 vikend-shtëpiza në zonën e dytë dhe të tretë të parkut, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe një objekt hotelier WOODLAND disa katësh, pa leje ndërtimi, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Blerim Imeri akuzohet se nga viti 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, ka kontraktuar ndërtimin e disa vikend-shtëpizave me ndërmarrjen ndërtimore “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend-shtëpiza ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Sanije Geci akuzohet në fillim të vitit 2016, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17, ka filluar ndërtimin e objektit banesor – vikend shtëpizë B+P+1+NK, me sipërfaqe prej 835.14 m2 , kurse gjatë ndërtimit ka ndërruar destinimin e objektit në objekt hotelier “Kaona Hotel”, duke ndërtuar pa leje aneks objekt, në afërsi të lumit “Murrzhica” në distancë 1.90 m.

Kurse, thuhet se një pjesë e objektit në pronën ujore prej 2,95 m, me një sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej 1821.56 m2, i cili ndërtim është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e fundit të aktakuzës, Riad Hasani akuzohet se nga 24 korriku 2017 e deri në fund të vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2 , përmes firmës ndërtimore “Quka CO” ka ndërtuar 6 vikend shtëpiza në zonën e dytë të parkut edhe pse lejet ndërtimore ishin anuluar sipas vendimit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, të 24 korrikut 2017, si dhe ka ndërtuar objektin afarist – hotelier “Rimida” – B+P+4+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera