Lajme

Prej takimit me Kurtin, Osmanin e opozitën deri tek shkuarja në Beograd: Krejt çka thanë e kërkuan Lajçak e Escobar gjatë vizitës në Kosovë e Serbi

Autori: Gazeta inFokus 07:24 | 07 June 2023

Me anë të disa fotografive dhe një postimi, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka bërë një përmbledhje të takimeve që të martën ai dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak i zhvilluan në Kosovë.

Sipas Escobar, kanë qenë tri kërkesa kryesore që janë përcjellë nga takimi në takim.

Depërshkallëzimi i situatës, mbajtja e zgjedhjeve të reja gjithëpërfshirëse dhe zbatimi i plotë i marrëveshjes së Brukselit ishin tri kërkesat e përmendura.

-Advertisement-

“Theksuam nevojë për de-përshkallëzim të menjëhershëm në veri të Kosovës, përfshire zgjedhjet e reja gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe implementimin e plotë të marrëveshjes së normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për takimin që ka pasur me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se ka shprehur përkushtimin për të vazhduar punën me aleatët – që të mundësohet sundimi i ligjit në Veri.

”Në takimin me Escobar dhe MiroslavLajcak, shpreha përkushtimin tonë të plotë për të vazhduar punën me partnerët për të siguruar sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Diskutuam hapat e ardhshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tone”, ka shkruar Osmani në Tëitter.

Osmani ka folur edhe për grupet kriminale në Veri, duke dënuar sërish dhunën që kanë ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR’it, policisë e gazetarëve.

”Theksoi se mosndëshkimi për grupet dhe individët kriminalë që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve nuk duhet toleruar. Nënvizoi se zgjedhjet e reja janë të mundshme në përputhje me ligjin dhe parimet demokratike përfshirë. pjesëmarrjen e të gjithëve”, ka shkruar Osmani.

Escobar dhe Lajçak janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, po që nuk ka pasur zgjidhje për çështjen e krizës aktuale.

Siç ka deklaruar Escobar, kryeministri Kurti nuk po ua bën aq të lehtë punën.

Kërkesat e komunitetit ndërkombëtar janë tri. E para, de-eskalimi i tensioneve në veri të Kosovës; e dyta, organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e komunitetit serb, dhe, e treta, të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si një hap drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në një intervistë me gazetarë të martën, një ditë pas takimit me shefin e ekzekutivit, emisari Gabriel Escobar tha se Kurti ka afat dy ditë për t’u përgjigjur kërkesave të tyre, çka nënkupton se tik-taket po shpeshtohen për afatin kohor që përfundon të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 21:00.

Pas kësaj, Escobar bëri të ditur se të premtën, ai do të raportojë në SHBA, e emisari Lajçak në BE, lidhur me progresin ose jo drejt dakordimit.

“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia”.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, deklaroi Escobar në takim me gazetarë dje.

Tutje, Escobar po ashtu e kritikoi rëndë kryeministrin Kurti duke thënë se nuk ka “instinkt bashkëpunimi”, por shtoi se lidhja e SHBA-ve është me popullin e Kosovës.

“Në një pikë, kur të duam të rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha ai.

Çka tjetër deklaroi Escobar?

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në takimin me gazetarë ka folur edhe për nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Emisari amerikan para gazetarëve ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka draftin e Asociacionit, por që sipas tij ai po e mban fshehur.

Escobar, i cili që nga dje po qëndron në Prishtinë nuk ka zbuluar nëse draft-statuti për Asociacionin është hartuar nga Kosova apo Bashkimi Evropian, mirëpo ka theksuar se ai draft ekziston, por po fshihet.

“Pozicionimi ynë është se marrëveshja duhet të realizohet menjëherë. Për Kosovën, zgjedhja e vetme është asociacioni. Nuk mund të injorohet asociacioni, është në marrëveshjen e Brukselit, marrëveshjen e Ohrit, dhe në përfundimet e nxjerra nga Bashkimi Evropian. Andaj, do të ndodhë, por pyetja është se me kë, dhe sa duhet të presim”, tha Escobar.

Emisari amerikan tha se në çdo takim të mundur me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi, ata fokusohen vetëm te Serbia.

“Ne e dimë se si duhet të duket asociacioni, dhe e dimë se si nuk duhet të duket. Ne thjesht duhet të fillojmë tani, mund të kemi një statut brenda një dite, po deshëm një gjë të tillë. Kjo është ajo që duam, që ta përcaktoni veten në këtë mënyrë. Dhe sa herë që kemi biseduar me këtë kryeministër dhe me zëvendësin e tij, e tëra për çka ata duan të flasin është Serbia. Ne duam të flasim për integrim më të madh”.

Escobar tha se Asociacioni ia heq kontrollin Serbisë nga veriu, për ta futur nën kontrollin e Kosovës.

“Kjo është arsyeja pse na duhet Asociacioni. Nga perspektiva ime Asociacioni është për ta hequr kontrollin e Serbisë nga Veriu dhe për ta futur nën kontrollin e Kosovës, të Kushtetutës suaj dhe të strukturës tuaj legale, nuk shoh arsye pse dikush duhet ta shohë ndryshe këtë”, ka thënë Escobar.

Si për t’ia dhënë ‘goditjen e fundit’ kryeministrit Kurti, emisari Gabriel Escobar tha se nuk është Kosova ajo që po refuzon të koordinohet me SHBA-të, por është kryeministri Kurti.

“Për Kosovën, do të përçojë mesazh të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj se kjo do të ishte fatkeqe. Dhe dua të them jo Kosova, por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë, se ne nuk konsiderojmë se kjo do të ketë ndikim në marrëdhënien afatgjatë, por veprimet që ndërmerren apo nuk ndërmerren mund të kenë disa pasoja që do të ndikojnë pjesë të marrëdhënies. Nuk dua që të arrihet në këtë pikë”, theksoi emisari amerikan.

Pas takimeve që patën me krerët e Kosovës dhe opozitën, që të dy Lajcak e Escobar, janë takuan përfaqësuesit e Listës Serbe, pas situatës në veri.

Lajçak tha se në këtë takim bashkë me Escobarin theksuan nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

“Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, tha Lajçak.

Më pas, dyshja diplomatike amerikano-evropiane, kanë udhëtuar në Beograd ku janë takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Për dallim prej takimit mes Escobarit e Lajçakut me Kurtin në Prishtinë, takim që zgjati rreth 2 orë, në Beograd dyshja u tregua më e shpejtë.

Siç raportohet, takimi i tyre me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zgjatur rreth gjysmë ore.

Pas përfundimit, presidenti i Serbisë ka shkruar në profilin e tij në Instagram. Ai ka thënë se shtetet perëndimore që kanë ndikim te Kosova, mund ta detyrojnë të njëjtën që t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera