Lajme

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitarit i paraqiten fotografi për identifikim të personave

Autori: Gazeta inFokus 15:08 | 05 June 2023

Dëshmitari i shtatë (me kodin 1) është duke vazhduar dhënien e dëshmisë së tij, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ku në seancën e së hënës i janë paraqitur disa fotografi nga ana e mbrojtjes për identifikim të disa personave. 

Fotografitë e treguara për dëshmitarin, kanë qenë jopublike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga një dokument i paraqitur në faqe 19, i pyetur se a e njihni ndokënd nga këto fotografi që i janë paraqitur përpara, dëshmitari u përgjigj se ‘nuk po m’doken të njofshëm, jo”.

-Advertisement-

Po ashtu, edhe nga një dokument tjetër në faqen 10, i pyetur se a e njihni këtë person, ai tha se ‘‘s’po m’kujtohet ndoshta e njoh po s’po m’kujtohet’’, e edhe për fotografinë në faqen 14 të këtij dokumenti tha “nuk po m’kujtohet”.

Ndërkaq, kur u pyet për fotografinë në faqen 15, përgjigja e dëshmitarit ishte me përmbajtje të redaktuar, kurse seanca u bë publike kur ishte duke folur avokati mbrojtës Mohamed Hédi Aouini, duke thënë se ‘‘rreshti 13 thotë: unë nuk e kam parë asnjëherë këtë person, nuk e di kush është ky”.

Avokati Aouini e pyeti dëshmitarin se a e konfirmon se nuk e ka njohur këtë person kur i është treguar kjo fotografi, e që dëshmitari tha se atëkohë ka qenë i sëmurë nga sytë dhe nuk ka pasur syze.

“Kam qenë i smut prej syve e jom hala smut, s’kom pas as syza, e s’e kom vrejt fort, e qitash m’u kujtu edhe po m’përngjan shumë që u kanë palë e dëmtuar që u kanë në dhomë teme”, tha dëshmitari.

Tutje, avokati Aouini për këtë procesverbal tha një koment dhe atë se “dëshmitari kur ju përgjigj asaj pyetje nuk i kishte vënë syzet, kaq kisha për të thënë”.

Ndryshe, i njëjti ka filluar dëshminë e tij më 30 maj dhe e vazhduar edhe më 31 maj, duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) dhe mbrojtësit të viktimave.

Kurse, më 2 qershor ai ka filluar të merret në pyetje nga mbrojtja.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera