Policia e Kosovës: Situata tani është qetësuar, u detyruam të reagonim
Autori: Gazeta inFokus 22:14 | 26 May 2023
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë, ku ka bërë të ditur se nga tensionet e sotme në veri, u lënduan pesë zyrtarë policorë, u dëmtuan katër vetura zyrtare, janë sulmuar gazetarë dhe dëmtuar edhe tri vetura të tjera të EULEX-it.
Siç njofton PK, qëllimi primar i tyre sot ishte t’u ofronte siguri tre kryetarëve të komunave veriore, por se u penguan nga qytetarë të komunitetit serb, të grumbulluar para objekteve komunale.
“Policia e Kosovës duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre”, thuhet në komunikatë.
Tutje, policia thotë se reaguan në vetëmbrojtje duke ua mundësuar edhe kryetarëve të hyjnë në objektet e komunave përkatëse.
“Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës”.
Policia e Kosovës tutje bën të ditur se situata në veri tani është e qetë dhe se do të ndërmerren hapa shtesë për rastin, të cilin e kanë cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.
Komunikata e plotë:
Ashtu siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, sot Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim.
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ishin tubuar pranë objekteve komunale, me qëllim të pengimit dhe moslejimit të hyrjes së zyrtarëve në objektet e komunave.
Policia e Kosovës duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.
Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare.
Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës.
Si pasojë e sulmeve pesë (5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese.
Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente.
Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.
Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.
Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend
Të tjera
-
Skandaloze: Shkëlzen Gashi i quan mediat organizata kriminale, e gazetarët kriminelë
Analisti Shkëlzen Gashi ka lëshuar një deklaratë skandaloze për mediat dhe ga...
-
Shkuarja në zgjedhje me VV-në, Meta: Gërvalla e Peci vendosën për interes të tyre, jo të partisë
Deputeti nga Lista “Guxo”, Burim Meta ka qenë i ftuari i radhës në “Reel Talk...
-
Konjufca e pret nesër homologun e tij nga Maqedonia e Veriut
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nesër e pret në takim homologun e tij nga...
-
Dyshohet se vrau gruan e tij Gjyljeta Ukellën, Edmond Lajçi nuk tentoi kurrë t’i takojë fëmijët
Për një vrasje që ndodhi në prill të këtij viti, tek këto ditë u ngrit aktaku...
-
Vonesa në regjistrimin e veturave me targa “RKS” në Leposaviq
Targa RKS nuk janë parë ndonjëherë më shumë në komunën e Leposaviqit. Megj...
-
Ekspertët thonë se zbutja e varfërisë mund të zbusë krizën e migracionit
Ekspertët thonë se varfëria dhe uria janë faktorët kryesorë që shkaktojnë kri...
-
Haziri për presidenten Osmani: E tepërt të diskutohet rikthimi në parti politike
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka hedhur poshtë ...
-
Rama tregon se po instalojnë ashensorë në banesa kolektive: Ka kërkesa që nga viti 2016
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po instalojnë ashensorë nëp...
-
Haradinaj pas vdekjes tragjike të të riut nga Prizreni: Apel për siguri dhe përgjegjësi më të lartë institucionale
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllimet më të thella pas vd...
-
Osmani takon zyrtarin e lartë të NATO-s: Diskutuam për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe të ardhmes euroatlantike
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të...
-
Haradinaj me tubim madhështor në Istog: Paga minimale do të rritet në 500 euro, ajo mesatare në 1000 euro
Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konserva...
-
Abdixhiku me mesazh nga Malisheva: Ne jemi ndryshimi për Kosovën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Malis...