Lajme

Aktakuzë kundër katër personave në rastin e mashtrimit për investim në kriptovaluta

Autori: Gazeta inFokus 12:02 | 25 May 2023

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.C., R.S., L.G. dhe E.S., në drejtim të veprave penale “mashtrimi”, si dhe “shmangia nga tatimi”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se të pandehurit e lartcekur në vazhdimësi, duke filluar nga mesi i vitit 2020 e deri më 12.10.2022, në Prishtinë dhe në vende të tjera në Kosovë, duke vepruar në bashkëkryerje  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë mashtruar të dëmtuarit, përmes komunikimit në forma të ndryshme dhe emra të rrejshëm përmes rrjeteve sociale, duke i vënë në lajthim kinse do të përfitonin shuma të mëdha të parave, me qëllim të investimit në kriptovaluta në një platformë të emëruar GREEN-SKRILL.

Me këto veprime të pandehurit kanë realizuar përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, dhe atë në shumën e përgjithshme 304 mijë e 539 euro.

-Advertisement-

Me këto veprime te pandehurit  kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, të pandehurit: F.C., (në cilësinë e pronarit të biznesit), R.S., (në cilësinë e personit fizik) dhe E.S., (në cilësinë e personit fizik) dhe L.G., (në cilësinë e personit fizik), në vazhdimësi, duke filluar nga mesi i vitit 2020 e deri më 10.10.2022, i janë shmangur tërësisht pagesës së tatimit dhe kontributeve pensionale, në atë mënyrë që derisa kanë pranuar të ardhura përmes institucioneve mikrofinanciare, nuk e kanë deklaruar tatimin që kërkohet me ligjin e Administratën Tatimore të Kosovës, çka me këto veprime i janë shmangur tatimit dhe kontributeve personale në vlerë prej 39 mijë e 734 euro e 34 cent.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, si dhe të pandehurit F.C., t’i vazhdohet masa e paraburgimit, pasi që ende nuk kanë pushuar shkaqet ligjore për qëndrimin e tij në paraburgim .

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera