Apeli vërteton dënimin me 16 vjet burgim ndaj serbit të akuzuar për vrasje të rëndë më 2017 në veri të Mitrovicës
Autori: Gazeta inFokus 19:34 | 10 May 2023
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përmes të cilit i akuzuari Miqa Urosheviq është dënuar me 16 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për vrasje të rëndë të viktimës D.S. më 2017 në veri të Mitrovicës dhe armëmbajtje pa leje.
Me vendimin e Apelit të marrë më 21 mars 2023, janë refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Urosheviq, avokatit Xhelal Hasani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 25 shkurt 2022, Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 16 vite burgim të akuzuarin Miqa Urosheviq, për vrasjen e rëndë në veri të Mitrovicës në dhjetor të 2017-ës dhe për armëmbajtje pa leje.
Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të vendimit për dënimin, duke propozuar dënim me burgim më të ashpër.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Urosheviq, avokati Xhelal Hasani ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, si dhe vendimit për dënimin.
Avokati Hasani kishte propozuar që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, apo që e njëjta të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet për të dy veprat penale, apo që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i butë.
Por, Apeli pas vlerësimit të pretendimeve ankimore të palëve dhe shkresave tjera të lëndës, ka gjetur se ankesat nuk janë të bazuara.
Në lidhje me pretendimet ankimore të mbrojtjes për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, Apeli ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në këto shkelje, ngase i njëjti është i qartë, i kuptueshëm dhe është në harmoni me vetveten dhe përmban faktet vendimtare lidhur me ekzistimin e veprave penale në fjalë.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e gjykatës së shkallës së parë në aspektin procedural janë përmbushur në mënyrë të qartë dhe të plotë përkundër asaj që mbrojtësi i të akuzuarit, është thirrur në dispozitat ligjore, duke u munduar që të mohojë ekzistimin e veprës penale nga ana e të akuzuarit, por, kolegji ka vlerësuar se pas procedimit dhe vlerësimit të gjitha provave nga shkresat e lëndës, të gjitha propozimeve, të gjitha ekspertizave të punuara në këtë çështje penale, rekonstruimit të vendit të ngjarjes, janë kryer të gjitha obligimet ligjore nga ana e gjykatës së shkallës së pare”, thuhet në vendim.
Tutje, për shkak të pretendimeve të mbrojtjes për shkelje të ligjit penal, kolegji i Apelit ka vlerësuar se në këtë çështje penale nuk ka pasur hapësirë ligjore që të merret aktgjykim lirues, ngase veprat penale për të cilat është shpallur fajtor i akuzuari janë të parapara në ligjin penal, nuk kanë ekzistuar rrethana që e përjashtojnë të akuzuarin nga përgjegjësia penale, dhe se vepra penale nuk është kryer në mbrojtje të nevojshme.
Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk janë të drejta sepse shkalla e parë në mënyrë të qartë ka vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit Miqa Urosheviq, janë formuluar elementet qenësore të veprës penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, pasi mbrojtja në ankesë ka pretenduar se konstatimet e gjykatës lidhur me ekzistimin e fakteve janë në kundërthënie me njëra tjetrën dhe në kundërshtim me provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Tutje, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ankimuar nga ana e mbrojtes dhe prokurorisë, për shkak të vendimit për dënimin.
Apeli ka gjetur se Gjykata Themelore në Mitrovicë me rastin e marrjes së vendimit për dënimin, caktimit të lartësisë dhe llojit të tij, ka vlerësuar rrethanat rënduese, sikurse janë se i akuzuari ka qenë më parë i dënuar me aktgjykimin e Republikës së Serbisë – Gjykata e Lartë në Nish, me 20 vjet burgim, për vrasje të rëndë, në bashkim real me veprën penale “prodhimi i pa lejuar, mbajtja, posedimi i armëve dhe materieve eksplozive”, pastaj mënyrën e kryerjes së veprave penale, si dhe shkallën e intensitetit të kryerjes së të njëjtave, duke ardhur në përfundim se nga ankesa e prokurorisë, nuk ka ndonjë rrethanë posaçërisht rënduese, dhe as nga ana e mbrojtjes, ndonjë rrethanë posaçërisht lehtësuese.
“Kolegji ka ardhur në përfundim, se me dënimin e shqiptuar do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndryshe, më 6 shtator 2019, i akuzuari Urosheviq ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Mitrovicës dhe ishte dënuar me 20 vite burgim.
Për veprën penale të vrasjes, gjykata i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh, për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me tre vjet burg, kurse për legalizim të përmbajtjes së rreme ishte dënuar me tre vjet burg.
Për të tri veprat penale, gjykata i kishte shqiptuar dënimin unik në kohëzgjatje prej 20 vjetësh burgim, si dhe i ishte konfiskuar arma me të cilën është kryer vepra penale.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtësit, avokatit Xhelal Hasani, Gjykata e Apelit, me vendimin e 27 dhjetorit 2019, e vërteton aktgjykimin dënues për veprën penale të “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, mirëpo ndryshon dënimin nga 3 vite sa kishte shqiptuar shkalla e parë, në 2 vite burgim. Kurse, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe atë të armëmbajtjes pa leje, e kthen rastin në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 12 tetor 2018, Miqa Urosheviq akuzohej se më 27 dhjetor 2017, në veri të Mitrovicës, me dashje ka privuar nga jeta të dëmtuarin, tani të ndjerin D.S
Bazuar në aktakuzë, vrasja është kryer në atë mënyrë që pas një fjalosje, i akuzuari Urosheviq, i pajisur me armë në të cilën ka pasur pesë fishekë, ka shtënë pesë herë në tani të ndjerin D.S, i cili nga predhat është goditur katër herë në trup, duke pësuar plagë të rënda trupore nga të cilat ka mbetur i vdekur.
Në pikën e dytë të dispozitivit, i akuzuari Urosheviq ngarkohej për kryerjen e veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër ku kryesi dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.
Ndërkaq, në pikën tretë të aktakuzës, ai akuzohej se më 26 gusht 2014, ka vënë në lajthim personin zyrtar, Hamdi Ademi, zëvendës/koordinator në zyrën administrative në Lagjen e Boshnjakëve, ashtu që për t’u pajisur me letërnjoftim ka prezantuar ekstraktin e lindjes në emër të Darko Peroviq, me shënime ekzakte si në ekstraktin e lindjes të lëshuar më 25 maj 2014 nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok, ku më pas është fotografuar dhe i është lëshuar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës në emër të Darko Peroviq.
Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.
Përveç kësaj, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë thuhet se i akuzuari Miqa Urosheviq më parë ka qenë i gjykuar në Republikën e Serbisë, në Gjykatën e Lartë në Nish, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 114 të Kodit Penal të KPS-së dhe “Prodhim i palejuar, mbajtje, posedim i armëve dhe materieve eksplozive” nga neni 348 të Kodit Penal të KPS-së, ku thuhet se është dënuar me 20 vjet burgim.
Të tjera
-
Kurti pret në takim arkitektin kroat të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun, kanë...
-
Kjo është mosha e dy të rinjve që u arrestuan nga Serbia, Ministria jep detaje
Dy persona në Podujevë gjatë ditës së premte janë arrestuar nga autoritetet s...
-
Inaugurohet busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina në Tropojë
Fondacioni “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë, kanë inaugu...
-
FSK-ja përfundon ushtrimin fushor në qitje e manovra me municion lụftarak
Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të Regjimentit të parë të këmbësoris...
-
61-vjeçarja nga Shkupi sjell në jetë fëmijën e saj të parë
Një grua ka sjell në jetë fëmijën e saj të parë në moshën 61-vjeçare. Sipa...
-
“O paramendone Fitore Pacolli nuk flet me daj të vet”- Shokon Dimal Berisha me këtë deklaratë për Fitore Pacollin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka qenë i ftuar në “Podcast me ...
-
VV-ja shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit
Partitë politike në Kosovë po përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shku...
-
Gazetari i BBC e pyet Vuçiqin për luftë të mundshme Kosovë- Serbi, ja si përgjigjet ai
Në një intervistë në emisionin “HARDtalk” në BBC, presidenti i Serbisë, Aleks...
-
Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për kapjen e dy përsonave, dyshohet për dy vepra penale
Policia e Kosovës më saktësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren-Sekt...
-
Më 17 dhjetor takimi i radhës në dialog
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve pritet të...
-
Njeriu më i vjetër në botë vdes në moshën 112 vjeçare
BBC ka raportuar ka vdekur njeriu më i vjetër në botë. Lajmi u b...
-
Kamala Harris planifikon një rikthim të madh politik
Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris nuk është bërë shumë e reklamuar ...