Kujt i pengon hapja e urës mbi Ibër?
Autori: Gazeta inFokus 17:35 | 02 May 2023
A duhet të hapet për qarkullim ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë?
Varësisht kë pyesni, merrni edhe përgjigje.
Pjesëtarë të komunitetit serb besojnë se nuk është e nevojshme, sepse “nuk është momenti i duhur”, ndërsa nga komuniteti shqiptar thonë se është koha për një gjë të tillë.
Qëndrime të ndryshme kanë edhe autoritetet në Kosovë dhe ato në Serbi.
Qeveria e Kosovës thotë se liria e lëvizjes duhet të sigurohet gjithandej, ndërsa Beogradi zyrtar e sheh si “provokim” hapjen e urës kryesore.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të gjendet në kuadër të dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë, që bëhet me synim të normalizimit të marrëdhënieve.
Së voni, qëndrimi të ngjashëm shprehu edhe Bashkimi Evropian, i cili e ndërmjetëson këtë dialog.
Pas luftës së viteve 1998/99, ura kryesore në Mitrovicë e ka ndarë qytetin në pjesën veriore, ku shumica e popullsisë është serbe, dhe në pjesën jugore, ku shumica janë shqiptarë.
Plani i Ahtisaarit – në bazë të të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 – ka parashikuar që dy pjesët e Mitrovicës të bëhen dy komuna të ndara. Kjo ka ndodhur në vitin 2013, kur është formuar Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.
Argumentet e qytetarëve pro dhe kundër hapjes së urës
Çështja e hapjes së urës kryesore në Mitrovicë për trafik u aktualizua më 29 prill, kur këshilltarët në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut e kërkuan një gjë të tillë.
Aktualisht, në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut është vetëm një këshilltar nga komuniteti serb, pasi të mëparshmit dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.
Mille Periq, nga Mitrovica e Veriut, thotë se ka ura dhe rrugë të tjera që mund të shfrytëzohen për të hyrë nga jugu në veri. Aktualisht, vlerëson ai, nuk ka kushte që ura kryesore të hapet për qarkullim.
Në këtë urë, tani për tani, mund të kalojnë vetëm këmbësorët, ndonëse, sipas Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ajo do të duhej të ishte e hapur edhe për automjete.
“Ka disa arsye [për moshapjen e urës kryesore për trafik]. Një nga arsyet është ruajtja e kësaj paqeje të dukshme. Nuk duhet të ketë trazira tani, asnjë tension”, thotë Periq për Radion Evropa e Lirë.
Me të pajtohet edhe bashkëqytetarja e tij, Bilana Saviq.
“Sidomos në këtë situatë [ura nuk duhet të hapet për qarkullim]. Kur e dimë se ka tensione në nivelin më të lartë politik, gjërat nuk do të përmirësohen as mes njerëzve të zakonshëm”, thotë Saviq.
Këta dy banorë të Mitrovicës së Veriut thonë se kalojnë në anën jugore dhe se nuk kanë pasur asnjëherë shqetësime, por, gjithsesi, theksojnë se hapja e urës kryesore për trafik, duhet të shmanget.
Nga ana tjetër, Gani Shala, nga Mitrovica e Jugut, thotë se nuk shkon shpesh në veri, por beson se ka ardhur koha që ura mbi Ibër të hapet për qarkullim.
“Çdo gjë që krijon pengesa, çdo gjë që ndan, nuk është njerëzore, nuk është e mirë”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe Xhevat Behari.
“Kjo [hapja e urës] është dashur të bëhet shumë kohë më parë, liria e lëvizjes është dashur të mundësohet më parë, por serbët e kanë bllokuar, jo shqiptarët”, thotë Behari, duke shtuar se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë nuk kërcënohen nga shqiptarët.
Çfarë thonë autoritetet lokale?
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, thotë se kërkesa e këshilltarëve për hapjen e urës kryesore për qarkullim, i është përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale.
Për hapjen e urës kanë qenë 13 vota, një ka qenë kundër dhe një abstenim.
REL-i u është drejtuar dy ministrive në Qeverinë e Kosovës, duke i pyetur nëse e kanë pranuar kërkesën dhe kur pritet të dalin me përgjigje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje prej tyre.
Më herët, më 30 prill, Qeveria e Kosovës i ka thënë REL-it se kërkesa e këshilltarëve nga Mitrovica e Veriut është e drejtë dhe se duhet të hiqen të gjitha pengesat që e cenojnë lirinë e lëvizjes.
Qeveria për urën mbi Ibër: Heqja e pengesave të lëvizjes, vendim i drejtë
Uglanin gjithashtu beson se urat duhet të jenë simbol i unitetit dhe bashkimit, e jo ndarjes së njerëzve.
Ai thotë se vendimi i këshilltarëve për urën është i ligjshëm dhe se është i bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, autoritetet e mëparshme lokale nuk kanë punuar sa duhet për të mirën e të gjitha komuniteteve.
Uglanin vjen nga komuniteti boshnjak dhe ka marrë pjesë në punimet e kuvendit lokal që nga themelimi i tij.
“Ka ardhur koha që komuna [Mitrovica e Veriut] të funksionojë sipas dispozitave ligjore, ashtu siç funksionojnë të gjitha komunat tjera. Edhe pse institucionet [e Kosovës] janë ngritur [këtu] në vitin 2013, ato nuk kanë qenë funksionale. Në statutin [komunal] duhet të kemi 16 drejtori, ajo ka funksionuar me shtatë”, thotë Uglanin.
Deri më tani, pushtetin lokal në Mitrovicë të Veriut e ka mbajtur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit. Paralelisht me komunën e Kosovës punon edhe autoriteti i përkohshëm komunal i sistemit serb.
Çfarë thonë KFOR-i dhe BE-ja?
Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i tha se çështja e hapjes së urës kryesore për qarkullim, duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, vazhdon t’i monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe paqësor dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha KFOR-i.
Paraprakisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se tani nuk është koha e duhur për të hapur urën kryesore mbi Ibër.
Ai tha se duhet të respektohen Marrëveshja e Ohrit dhe “vijat e kuqe”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, diskutojnë sot (2 maj) në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Dy udhëheqësit kanë rënë dakord për tekstin e saj në fund të shkurtit, ndërsa për aneksin e zbatimit të saj janë pajtuar në Ohër, në mes të marsit.
Çfarë parashohin marrëveshjet e mëparshme për urën mbi Ibër?
Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”. Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës.
Barrikadat e para në këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga ana e serbëve lokalë. Qëllimi ka qenë t’i kundërvihen shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.
Në vitin 2014, ato barrikada janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”. Ky park është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.
Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllimi i të cilit ka qenë tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës është menduar të bëhej në janar të vitit 2017.
Mirëpo, puna për rivitalizimin e urës ka përfunduar në qershor të vitit 2018 – gjë të cilën e ka konfirmuar për REL-in Zyra e BE-së në Kosovë. Në këtë projekt janë investuar 1.5 milion euro.
Në fund, ura vazhdon të mbetet e mbyllur për mjete motorike dhe e hapur vetëm për këmbësorë./REL
Të tjera
-
Murati: Do të krijohet një institut i ri dhe një fond për pushimin prindëror dhe lehonave
Në konferencën për media ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran...
-
Murati tregon se kur pritet të ekzekutohen 100 eurot për fëmijët e pensionistët: S’ka nevojë për aplikim
Qeveria vendosi t’ua ndajë nga 100 euro fëmijëve (0-16 vjeç) e pensionistëve ...
-
Qeveria i ndan nga 100 euro për secilin pensionist dhe fëmijët deri në 16 vjeç
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka mbajtur një konferencë për media bas...
-
Mbyllja e TikTok-ut në Shqipëri, reagon kompania kineze: Presim sqarime urgjente
Kompania kineze e rrjetit social, TikTok ka reaguar në lidhje me vendimin e q...
-
90% e prindërve kërkuan mbylljen e TikTok-ut, Rama publikon anketimin e bërë me prindërit
Kryeministri Edi Rama shprehet se 90% e prindërve janë dakord me mbylljen e T...
-
Rohde falënderon Kosovën për solidarizimin me Gjermaninë pas sulmit në Magdeburg
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka falënderuar Kosovën për mesazhet...
-
Rriten pritjet te Dheu i Bardhë
Qendra për Menaxhimin Kufitar e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka njoftua...
-
“Mas vshtiri u kanë mas lüfte, u dasht mu kthy me mbledh niher familjen”- Historia më emocionuese që keni dëgjuar ndonjëherë
Bisnesmeni i suksesshëm shqiptar në Gjermani, Shahin Dervishaj, për herë të p...
-
PDAK thotë se Kurti emëroi një zëvendësministër që ishte i dënuar për keqpërdorim të fondeve
Partia Demokratike e Ashkalinve të Kosovës kanë thënë që kryeministri Kurti e...
-
Ndalohet për 48 orë një person në Prishtinë, u kap me kợkạḯnë- detaje nga Policia
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë Antidroga ka ndaluar një veturë në rr...
-
“TikTok” mbyllet për një vit në Shqipëri, “The Guardian” jehonë vendimit të qeverisë
Qeveria e Shqipërisë bëri të ditur një ditë më parë se ka vendosur që të ...
-
Rrihen katër persona mes vete, njëri prej tyre e sulmon policin që intervenoi
Katër persona janë përfshirë në një rrahje në Ferizaj. Gjatë intervenimit ...