Erdogan përballë “zgjedhjeve më të vështira”
Autori: Gazeta inFokus
08:42 | 01 Maj 2023
Udhëheqësi turk me stazhin më të gjatë, Recep Tayyip Erdogan, i cili zotëron pushtet gati absolut, do të kërkojë një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 majit.
Do të jetë një sprovë e madhe për Erdoganin, i cili ka udhëhequr Turqinë për 20 vjet. Fillimisht, do të përballet me sfidën më të ashpër nga gjashtë parti opozitare që i kanë bashkuar forcat, pastaj me zemërimin e publikut për koston e lartë të jetesës dhe pasojat katastrofike që kanë shkaktuar dy tërmete në muajin shkurt.
“Presim që ky regjim të largohet dhe ne do të luftojmë që kjo të ndodhë. Kemi shpresa të mëdha në zgjedhje. Shpresojmë në një proces, në të cilin të gjithë njerëzit mund të ekzistojnë me ngjyrat e tyre. Do të luftojmë që edhe kjo të ndodhë. Ky regjim diktature nuk ka alternativë tjetër, pos të largohet”, thotë për agjencinë e lajmeve Reuters Zeynep Diyar, banore e qytetit Diarbakir në Turqi.
Erdogan, 69 vjeç, ka udhëhequr Turqinë nga viti 2003, fillimisht si kryeministër, ndërsa nga viti 2014 si president. Pasi i ka mbijetuar një përpjekjeje për grusht shtet në vitin 2016, ai i ka rritur në mënyrë dramatike kompetencat e tij. Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim është në pushtet nga nëntori i vitit 2002. Ajo i ka rrënjët në Islamin politik, por ka krijuar aleancë edhe me Partinë Lëvizja Nacionaliste, e ekstremit të djathtë.
Një numër në rritje turqish, sipas sondazheve, e fajëson Erdoganin për rritjen e inflacionit, për shkak të refuzimit të tij për të rritur normat e interesit. Norma zyrtare e inflacionit në Turqi është mbi 50 për qind, por ekonomistët e pavarur thonë se ajo është edhe më e lartë se 100 për qind. Për pasojë, shtrenjtimi i ushqimit, energjisë, barnave dhe gjërave të tjera thelbësore ka ulur standardin e jetesës për shumicën e 85 milionë banorëve të Turqisë, në vitet e fundit.
Erdogan dhe partia e tij përballen me kritika edhe për mos rritjen e standardeve të ndërtimit përpara tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit, si dhe për keqmenaxhimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit pas katastrofës. Mbi 50.000 njerëz kanë vdekur në 11 provincat e prekura nga tërmetet, ndërsa miliona të tjerë kanë mbetur pa shtëpi.
Meqenëse shumë prej këtyre provincave shihen si bastione të partisë së Erdoganit, zgjedhjet edhe mund të fitohen, edhe mund të humben në lindje, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Sinan Ciddi, ekspert i politikave të brendshme turke pranë Universitetit të Trupave Detare në Uashington. Sipas tij, Erdogan përballet me zgjedhjet më të vështira ndonjëherë, për shkak të gjendjes së dobët politike në të cilën ndodhet.
“Erdogan ka qenë në detyrë për më shumë se 20 vjet dhe duket se shumica e dëmeve të tërmetit – që ka rezultuar me humbje aq të mëdha jetësh dhe pronash – janë shkaktuar nga politikat e këqija dhe strukturat e këqija të ndërtimit. Pra, mund të jetë një problem i madh elektoral për Erdoganin, sepse, siç e dini, qytetarët janë të zemëruar nga kjo tragjedi. Mbetet për t’u parë se si votuesit e besueshëm do ta shohin këtë, sepse sondazhet, në këtë pikë, sugjerojnë një garë të ngushtë”, thotë Ciddi.
Sfidues kryesor i Erdoganit në zgjedhje do të jetë Kemal Kilicdaroglu, 74 vjeç. Kilicdaroglu do të luftojë si kandidat i unitetit për gjashtë parti opozitare, të cilat përfshijnë parti të qendrës së majtë, nacionaliste, por edhe ish-aleatë të Erdoganit.
Gonul Tol, drejtore e programit për Turqinë pranë Institutit për Lindjen e Mesme, shpjegon për Exposenë se si do të mund ta ndryshonte opozita Turqinë, në rast se do t’i fitonte zgjedhjet:
“Erdogan dëshiron ta centralizojë pushtetin. Opozita do që ta decentralizojë atë. Opozita do që ta kthejë demokracinë e Turqisë në rrugë të duhur. Erdogan ka krijuar autokraci. Ai kontrollon gjithçka, ai i minon institucionet”.
“Opozita premton se do të rindërtojë një version të reformuar të sistemit parlamentar, ku pushteti do të jetë i shpërndarë. Ajo premton se do t’i rindërtojë institucionet e vendit dhe se do t’i mbushë ato me njerëz të aftë, që kanë formimin e nevojshëm. Kjo vetvetiu do të kishte një ndikim dramatik në gjithçka, nga ekonomia, në sistemin e drejtësisë e deri te politika e jashtme e vendit”, thotë Tol.
Vota e opozitës, megjithatë, do të ndahet, sepse Muharrem Ince, nga Partia laike Atdheu, ka vendosur t’i bashkohet garës presidenciale. Një kandidat tjetër, që shihet me më pak shanse për sukses të konsiderueshëm, është ultra-nacionalisti Sinan Ogan.
Sinan Ciddi, nga Universiteti i Trupave Detare, shfaq drojën se zgjedhjet do të manipulohen. Sipas tij, ato do të jenë larg nga të qenët të lira dhe të drejta.
“Nëntëdhjetë për qind e mediave kryesore janë pro Erdoganit. Mundësia e turqve për të pasur qasje në informacione të lira dhe të drejta është shumë e kufizuar, si në mediat elektronike, ashtu edhe në ato të shkruara. Fatkeqësisht, shumica e turqve u drejtohen mediave sociale nëse duan të marrin informacione që nuk bazohen në propagandën qeveritare”.
“Problem tjetër janë institucionet. Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve, i cili shpall fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve dhe i cili do të vendosë se kush do të jetë president i ardhshëm i vendit, është i mbushur me besnikë të Erdoganit”, thotë Ciddi.
Kandidati që do të sigurojë më shumë se gjysmën e votave presidenciale më 14 maj, do të jetë direkt fitues. Nëse nuk e arrin këtë, gara do të shkojë në rreth të dytë, dy javë më vonë. Ndërkaq, për të hyrë në Parlamentin prej 600 vendesh të Turqisë, partia duhet të ketë së paku 7 për qind të votave. Dhe, sipas reformave të Erdoganit, është presidenti ai që e zgjedh qeverinë, kështu që nuk ka kryeministër.
E pyetur nëse pret ndryshme në skenën politike turke pas 14 majit, Gonul Tul, nga Instituti për Lindjen e Mesme, përgjigjet:
“Po, sepse nuk kam parë kurrë një opozitë kaq të fuqishme shoqërore kundër Erdoganit. Po kalojmë një kohë shumë të trishtë në Turqi, sidomos pas tërmeteve. Por, ajo që më jep shpresë dhe është mbresëlënëse, është fakti që njerëzit në Turqi kanë ende besim te procesi zgjedhor”.
Por, mendim ndryshe ka Ciddi:
“[Marrë parasysh] përbërjen autoritare, me të cilën Turqia futet në këto zgjedhje, unë pres që presidenti Erdogan ta marrë mandatin e tretë”.
Sipas analistëve, kurdët, që prej kohësh ndihen të margjinalizuar në politikën turke, mund të kenë rol vendimtar në zgjedhjet e majit. Meqë gara pritet të jetë e ngushtë, ata mund t’i rrisin numrat e nevojshëm, për t’i siguruar epërsi njërës palë. Kandidatët e Partisë Demokratike të Popullit, që është pro-kurde, do të konkurrojnë në maj nën ombrellën e Partisë së Majtë të Gjelbër. Partia nuk është pjesë e aleancës kryesore të opozitës, por e kundërshton fuqishëm Erdoganin.
Këtë javë, policia turke ka arrestuar 110 persona për lidhje të dyshuara me militantët kurdë, por një ligjvënës pro-kurd ka thënë se anëtarë të partisë së tij, gazetarë dhe artistë janë në mesin e të arrestuarve. “Në prag të zgjedhjeve, nga frika e humbjes së pushtetit, ata u janë kthyer operacioneve të paraburgimit”, ka shkruar Tayp Temel në Twitter.
Nën Erdoganin, Turqia i ka treguar muskujt si fuqi rajonale, ka inatosur aleatët, ka shtypur opozitën, ka mbrojtur kauzat islamike. Kritikët shpesh e kanë akuzuar atë për shembjen e shtyllave laike të shtetit, të ngritura nga Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës moderne turke.
Gazeta amerikane, Washington Post, në një artikull të publikuar në muajin janar, ka shkruar se “zgjedhjet më të rëndësishme në botë, në vitin 2023, do të mbahen në Turqi.
“Ajo që ndodh në Turqi, nuk mbetet vetëm në Turqi. Turqia mund të jetë një fuqi e mesme, por fuqitë e mëdha kanë interesa në zgjedhjet e saj”, ka shkruar Washington Post.
E shtrirë mes Evropës dhe Azisë dhe me kontroll të hyrjes në Detin e Zi, Turqia ka pozitë të rëndësishme strategjike. Pas Shteteve të Bashkuara, ajo ka ushtrinë më të madhe në NATO. Nën Erdoganin, Turqia ka minuar sigurinë e NATO-s duke blerë sisteme të mbrojtjes raketore nga Rusia, ka zemëruar aleancën duke bllokuar anëtarësimin e Suedisë, dhe ka kërcënuar vazhdimisht se do ta vërshojë Evropën me refugjatë. Udhëheqësit perëndimorë do të jenë të lumtur nëse shohin shpinën e Erdoganit, ka shkruar Washington Post. /REL

T� tjera
-
PDK e LDK kërkojnë raportim urgjent nesër të kryesuesve të KPK-së dhe KGJK-së
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratik e Kosovës, kanë kërkuar që...
-
Presidentja kërkon hetim urgjent për gruan që u vra në Pejë: Çdo dyshim për dështim, të marrë përgjigje
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar ashpër pas vrasjes së...
-
Tentim-vras*je në Prishtinë, një person përfundon në spital
Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një rrahjeje që ka ndodhur në Pris...
-
Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka ndërmarrë veprime konkrete instit...
-
Policia thotë se Arlinda u kthye në shtëpi me dëshirën e saj, avokatja e kundërshton: “Nuk ka qenë vullneti i viktimës!”
Policia e Kosovës deklaroi se Arlinda Zekaj, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetor...
-
Rasti në Pejë: VV-ja thërret seancë të jashtëzakonshme, kërkohet themelimi i një komisioni hetimor
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka vënë në lëvizje i...
-
Kryetarja e Kuvendit kërkon hetim të plotë për vra*sjen e gruas në Pejë
Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për rastin e ...
-
Pas ndarjes së parakohshme nga jeta, hapet GoFundMe për riatdhesimin e Rinesa Qeriqit
Është hapur një fushatë për mbledhjen e donacioneve në platformën GoFundMe, m...
-
ALARMANTE: 8 gra u vrạnë në Kosovë vetëm këtë vit- Rastet që tronditën vendin
Tri ditë para se të vritej, Arlinda Sylaj Zekaj u kishte shkruar institucione...
-
Avokati Jashari: Reagimet e Policisë dhe Prokurorisë për vrasjen në Vitromiricë e shpërfaqin edhe më shumë amatorizmin e institucioneve tona
Avokati Arbër Jashari ka reaguar për mënyrën se si Policia dhe Prokuroria e P...
-
Qorolli akuzon prokuroren për rastin e Arlinda Zekajt: Ajo duhet të jap llogari, para ligjit dhe para Zotit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit, kryetari i Komisionit Parlamen...
-
Çitaku pas rastit në Pejë kërkon llogaridhënie dhe dorëheqje për dështimin e institucioneve
Nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zeka...































