Lajme

Osmani: Marrëveshja e re, por Serbia mbetet ajo e vjetra – shkeli Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit

Autori: Gazeta inFokus 20:57 | 24 April 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmendur dy shkeljet e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit që Serbia i ka bërë gjatë 24 orëve të fundit.

Në një shkrim në rrjetin social Twitter, ajo ka thënë se Serbia ka mbetur ajo e njëjta, duke shtuar se ajo ka shkelur nenin 2 dhe nenin 4 të marrëveshjeve.

Ky është shkrimi i plotë i presidentes Osmani:

-Advertisement-

Në më pak se 24 orë Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit:

1. Ndërhyrja e huaj në zgjedhjet Kosovë (në kundërshtim me nenin 2)

2. Lobimi dhe votimi kundër Kosovës aplikimit të KiE (në kundërshtim me nenin 4)

Marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër.

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës (KIE), vendosi të hënën të miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gati një vit pasi vendi ynë paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në mekanizmin prej 46 vendesh.

Në një njoftim thuhet se vendimi mori parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 të arritura në dialogun (Kosovë – Serbi) e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Ndërkohë Agron Bajrami, ambasador i Kosovës në Bruksel, ka zbuluar edhe mënyrën se si kanë votuar shtetet.

Me 33 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenime u miratua kërkesa e Kosovës.

Pro anëtarësimit të Kosovës votuan: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pos Hungarisë kundër votuan edhe Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani e Serbia.

Kanë abstenuar: Bosnja, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina.

Ndërkaq shteti i Armenisë nuk ka marrë pjesë fare në votim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera