Lajme

Rasti i Nagip Krasniqit, Kurti kundër Prokurorisë, opozita gishtin drejt tij

Autori: Gazeta inFokus 17:53 | 20 April 2023

Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi ka aktivizuar kritikën opozitare në drejtim të Qeverisë së Kosovës për çështjen energjetike. Pas Martin Berishajt tashmë në këtë diskurs ka hyrë edhe emri i kryeshefit të KEK-ut  Nagip Krasniqit i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilën ia besoi ekzekutivi duke e emëruar atë. E kreu i këtij ekzekutivi, Albin Kurti pati akuza ndaj prokurorisë duke thënë se ata funksionojnë kundër qeverisjes së tij. Ndaj Kryeministrit reagoi opozita, duke e akuzuar Kurtin se po tenton kapjen e sistemit të drejtësisë.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, beson se arrestimi i Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK),Nagip Krasniqi ka gëzuar opozitën.

Kreu ekzekutivit teka po fliste të enjten në Kuvend u mor më shumë me reagimet pas arrestimit të Krasniqit, sesa me vetë prangosjen e tij.

-Advertisement-

Për rastin e Krasniqit, Kurti ka kundërshti me prokurorinë. Rrjedhimisht, ai po beson se drejtësia kosovare po funksionon në mënyrë selektive.

Madje, shton se “Krasniqi ia solli KEK’ut 107 milionë euro në vitin 2022“, duke ia llogaritur si sukses menaxherial e njëkohësisht duke e përdorur si “argument mbrojtës” ndaj tij.

“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, ka thënë Kurti.

Për arrestimin e Krasniqit gishti i pushtetit është drejtuar kah prokuroria, madje ka edhe emër konkret – Blerim Isufaj. Ky i fundit që synon të jetë kryeprokuroror i shtetit, u përmend nga Kurti si një element që prokuroria e shtetit po vepron kundër Qeverisë së tij.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanj e kategorizoi me vetëvrasje ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit”, ka deklaruar Kurti.

E këto fjalë të Kurtit janë parë si shqetësuese nga opozita të cilët kanë hedhur Kritika të ashpra në drejtim të Qeverisë.

Ndonëse në seancën plenare të 20 prillit nuk ishte në rend dite çështje e arrestimit të kryeshfit të KEK-ut, opozita ka qenë këmbëngulëse që kjo çështje të diskutohet.

Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka lidhur këtë arrestim edhe me Martin Berishajn, i cili nga mediat ballkanike është përmendur si i dyshuar për keqpërdorim mjetesh të energjisë me kompaninë GEN me seli në Serbi.

Përgjithësisht kritika e opozitës ndaj Qeverisë lidhet me dy emra Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqit – të dytë të lidhur me energjinë.

“Është hera e parë që KEK drejtohet nga një zyrtar i lartë i një partie politike. Pra nga drejtuesi i komitetit për energji të LVV-së, Nagip Krasniqi, personi në fjalë është arrestuar dje. Në kuadër të komisionit hetimor parlamentar që kemi punuar për 6 muaj, kemi nxjerrë në pah një mori të abuzimeve e keqpërdorimeve të kryeshefit të KEK. Pra i njëjti ka subvencionu fatura të energjisë elektrike pa vendim të bordit,  drejt një kompanie private si KESCO dhe KEDS, ka negociu tendera njëburimor si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend, i njëjti ka ushtru ndikim mbi personat zyrtarë, i njëjti ka pas konflikt interesi, të gjitha këto janë raportuar në kuadër të komisionit hetimor parlamentar”, ka thënë Tahiri.

Pos Tahirit, kundërshti të fuqishme kishte edhe Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila e kishte një ballafaqim me kryeministrin Kurti.

“Ju thatë qe ky menaxhment e ka menaxhuar mirë krizën energjetike. Ministre (Rizvanolli), qindra miliona që i ke fut në sektorin e energjisë paratë e kujt kanë qenë. Të konsumatorëve, të qytetarëve të Kosovës, të atij 51 për qindëshit që iu kanë votuar juve dhe të 49 për qindëshit që na kanë votuar neve. Jo të qytetarëve në veri. Rasti dhe skandali i Nagip Krasniqit iu bën drejtpërdrejt juve përgjegjëse. Nagip Krasniqi është eksponent i Vetëvendosjes, ai e ka shkruar programin e Vetëvendosjes për energji“, ka thënë Bajrami.

Në linjë të kritikës opozitare ka qenë edhe Besnik Tahiri, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Ajo që duhet të thuhet zëshëm në Kuvend është që megaskandali i djeshëm në KEK dhe veprimi i orkestruar i mbrojtjes para se të dihet as për çfarë është hetimi tregon qartë panikun e madh që e ka kjo Qeveri në raport me këto afera korruptive”, ka deklaruar Tahiri.

Pse u arrestua Nagip Krasniqi?

Të mërkurën e 19 prillit, KEK’u kishte ”mysafirë të papritur e të pakëndshëm”, me urdhër të Prokurorisë Speciale kishte nisur bastistja.

E nga ajo bastistje përfundoi duar-lidhur Nagip Krasniqi, kryeshef i KEK-ut nën dyshimin për  Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimin e ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Këto dokumente të bastisura do t’i shërbejnë drejtësisë për ta hetuar rastin, tashmë prokuroria ka kërkuar nga gjykata që Krasniqit t’i shkaktohet masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Energjia në Qeverinë Kurti

“Kriza globale energjetike ka reflektuar situatën e keqe energjetike edhe në Kosovë“, ka qenë diskursi i pushtetit sa herë akuzohej për gjendjen e rëndë energjetike.

Dimrin e vitit 2022, por edhe gushtin e atin viti ka pasur reduktime të shpeshta të energjisë elektrike. Opozita kritikonte ekzekutivin.

Por kritika opozitare u konkretizua kur në skenë doli emri i Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës ne Kroaci, i cili nëpër media sllovene i është lakuar emri për marrjen e mjeteve financiare jashtëligjshëm nga kompania GEN me seli në Beograd.

Berishaj vazhdimisht kishte thënë se ka punuar për GEN, por kishte mohuar që të ketë bashkëpunuar me ta edhe prej pozitës së ambasadorit.

Në anën tjetër, politikanët opozitarë deklaronin se Martin Berishaj është ”lidhja e Kurtit me bandat energjetike”, tashmë iu është shtuar edhe emri i Nagip Krasniqit.

Pushteti është duke e mbrojtur atë, njëjtë si Berishën – vazhdimisht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera