Lajme

Rasti Bejta, rektori Qerimi: Jemi në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Etikës

Autori: Gazeta inFokus 13:50 | 12 April 2023

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, deklaroi sot se rastin e profesorit të UP-së, Bekim Bejta e kanë shqyrtuar me urgjencë, me ç’rast edhe e kanë suspenduar për gjashtë muaj.

Megjithatë, sa i përket shkarkimit të profesorit, Bejta, ai tha se janë në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Etikës.

Pas mbledhjes së mbajtur me përfaqësuesit e Parlamentit Studentor, Qerimi u shpreh se të gjitha denoncimet që janë të hapura do të shqyrtohen nga Këshilli i Etikës.

-Advertisement-

“Sërish, denoncimet që janë të hapura do të shqyrtohen nga Këshilli i Etikës, sepse është kompetenca e atij Këshilli, prandaj, ne do të presim vendimin përfundimtar të Këshillit të Etikës”, tha Qerimi.

I pyetur nëse do të ketë vendim për shkarkimin e profesorit në fjalë, Qerimi tha se në këtë mënyrë nuk kanë pasur ndonjë rekomandim të tillë nga njësia përkatëse.

“Ne do të veprojmë, kur emërojmë dikë ta zëmë si senat akademik ose kur e avancojmë dikë në thirrje akademike, këtë e bëjmë mbi bazën e propozimit të njësisë përkatëse akademike dhe në këtë mënyrë ne nuk kemi pas ndonjë rekomandim të tillë nga njësia përkatëse, ankesë ose denoncim institucional zyrtar.

Gjithë ajo çfarë kemi pasur ka qenë vendimi i fundit i Këshillit të Etikes, i cili gjithashtu nuk rekomandon ndonjë masë specifike. Por, duke pas parasysh se ka denoncime të hapura dhe në pritje të një vendimi nga ana e Këshillit të Etikes për të, ne morëm vendimin e sotëm për suspendim efektiv të menjëhershëm”, u shpreh ai.

Qerimi tha se ajo çfarë ka ndodhur ndër vite në lidhje me profesorin, Bekim Bejta, është problem real, porse ka pasur vendime të ndërkohëshme.

“Ajo çfarë ka ndodhur ndër vite në të vërtetë është problemi real, sepse denoncimi i parë ndaj tij ka qenë në vitin 2016 dhe ka pas disa vendime të ndërkohshme gjatë atyre viteve, prandaj, për ato mund të pyesni dikë tjetër pse nuk është ndërmarrë asgjë…

Ndërsa, sa i përket Këshillit të Etikës, ne po punojmë që t’i mbështesim ata në kuptim institucional që ata të jenë në një pozicion të veprojnë në mënyrë më efikase”, tha mes tjerash Qerimi.

Nëse ka ankesa të tilla edhe për profesorë të tjerë, rektori i UP-së tha se nuk janë në dijeni për ankesa të tilla.

“Nuk jam në dijeni të ankesave ndaj profesorëve të tjerë, sigurisht se ne kemi menaxhmentet e njësive akademike, ato kanë komisionet e tyre disiplinore, studentet kanë përfaqësuesit e tyre e gjithashtu kanë mundësi që të ngrisin në çdo kohë ankesa”, tha ai.

Ndërkaq, në lidhje me dyshimet që kanë ngritur disa studentë ndaj të njëjtit profesor për ngacmime seksuale, ai nënvizoi se nuk ka ndonjë informacion të tillë, por shtoi se do ta orientojë te zyrtarja përgjegjëse në rektorat, Drita Hyseni.

Dy javë më parë në media është publikuar një audioincizim, në të cilin dëgjohet profesori Bekim Bejta, duke iu drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.

Më 6 prill 2023 aktivistët e organizatës studentore Studim, Kritikë dhe Veprim (SKV) kanë protestuar para Rektoratit të UP-së me kërkesën që të merren masa ndaj profesorit universitar Bekim Bejta, i cili ligjëron në Fakultetin e Filologjisë. Ndërkaq, sot, është bërë e ditur se profesori Universitar, Bekim Bejta është suspenduar nga puna në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. /kp

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera