Kosova në fushatë për të mbrojtur njohjet
Autori: Gazeta inFokus 08:36 | 17 January 2023
Diplomatët kosovarë kanë intensifikuar takimet me homologët e tyre që vijnë nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Në fillim të janarit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendoi se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se janë në pritje të një shteti të dhjetë, pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.
Sipas tij, Kosovën e kanë çnjohur: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.
Më 16 janar, ministri i Jashtëm i Togos, deklaroi në Beograd se shteti i tij ka tërhequr njohjen e Kosovës. Është e paqartë nëse Vuçiq ka aluduar në Togon si shteti i dhjetë, në pretendimin e tij për çnjohjen e Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se çnjohja e Kosovës nga Togos “ka ndodhur në vitin 2019”.
“Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999. Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën”, ka shkruar ajo në Facebook.
Përveç Togos, MPJD ka hedhur poshtë këto pretendime të Serbisë përmes një reagimi zyrtar. Zyrtarët kosovarë po ashtu kanë bërë publike takimet e tyre me përfaqësuesit e disa prej shteteve, që gjenden në listën e prezantuar nga Vuçiqi, si pjesë e përpjekjeve për të hedhur poshtë pretendimet e liderit serbë.
Me cilat shtete u takuan ambasadorët kosovarë?
Gjashtë ditë pas deklaratës së Vuçiqit, më 10 janar, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, u takua me homologun e tij somalez, Jama Abdullahi Mohamed.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Ankara, dy diplomatët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes shteteve.
Por këtë takim, pala somaleze ka zgjedhur që të mos e paraqes në llogaritë në rrjetet sociale e as në ueb-faqen e Ambasadës së saj në Turqi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës thuhet se Somalia e ka njohur Kosovën më 19 maj 2010.
Më 11 janar, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, njoftoi për takimin me ambasadoren e Libisë në Belgjikë, Amel Jerary.
Bajrami ka shkruar në Twitter se me Jeraryn kanë pasur një “diskutim të mirë dhe mirëkuptues” dhe se kanë këmbyer pikëpamje për situatën në dy shtetet respektive dhe për rëndësinë e “stabilitetit, demokracisë për paqe si në Ballkanin Perëndimor dhe në Libi”.
“U pajtuam që të thellojmë raportet Kosovë-Libi”, ka shkruar Bajrami.
Megjithatë, takimin me Bajramin, Jerary nuk ka zgjedhur ta bëjë publike në llogarinë e saj në Twitter.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Libia e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 25 shtator të vitit 2013.
Po të njëjtën ditë, ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, publikoi në Twitter lajmin se të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Gabonit në Kanada, Engone Rosine Epouse Oliveira.
Pavarësisht se Vuçiq pretendoi se Gaboni ka tërhequr njohjen e Kosovës, Kryeziu tha se me homologen e tij diskutoi për “raportet aktuale dypalëshe dhe për bashkëpunimin në të ardhmen”.
Gaboni, shtet në Afrikën Qendrore, njohu pavarësinë e Kosovës më 15 shtator 2011. Ambasada e këtij shteti në Kanada nuk ka pasqyruar takimin e të ngarkuarës së tyre me punë në këtë institucion me ambasadorin Kryeziu.
Ndërkaq, me përfaqësuesen e përhershme në Kombeve të Bashkuara, të Maldives, u takua kreu i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Blerim Reka.
Reka shkroi në Twitter më 12 janar se me ambasadoren e Maldives, Thimeeza Hussain, ka rikonfirmuar “raportet e shkëlqyera dypalëshe”.
Për dallim nga Hussain, që nuk postoi asgjë për këtë takim me Rekën, e as misioni i Maldives në OKB, Ambasada e këtij shteti në Japoni bëri të kundërtën.
Më 13 janar u njoftua se Ambasadën e Maldives në Japoni e kishte vizituar ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.
“Biseduam për mënyrat se si të forcojnë lidhjet dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe të forcojmë fushat e bashkëpunimit midis Maldives dhe Kosovës”, u tha në postim, që u shoqërua me një foto të takimit.
Maldive, shtet në Oqeanin Indian, njohu pavarësinë e Kosovës një vit e dy ditë pas shpalljes, përkatësisht më 19 shkurt 2009.
Diplomatët e Kosovës janë takuar edhe me përfaqësuesit e një shteti tjetër, që Serbia pretendon se ka tërhequr njohjen e Kosovës. Bëhet fjalë për Esvatinin – i njohur më herët me emrin Svaziland – shtet që gjendet në kontinentin afrikan.
Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, e vizitoi ambasadën e tij këtij shteti në Londër më 12 janar.
“Ishte kënaqësi të diskutonim për ngjarjet botërore dhe ne mirëpresim forcimin e raporteve midis Kosovës dhe Esvatinit, duke eksploruar mundësitë ekonomike”, shkroi Kapiti pas takimit me komisionarin e lartë të këtij shteti në Londër, Thandazile P.Mbuyisa.
Përveç këtyre takimeve të bëra publike, MPJD më 5 janar deklaroi se pretendimet e Vuçiqit për tërheqjen e njohjeve nuk qëndrojnë dhe nuk janë vërtetuar, as nga takimet me përfaqësuesit e shteteve në fjalë, “por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”.
“Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”, u tha në reagimin e MPJD-së./rel
Të tjera
-
“Vitruvian Woman” e rikoncepton veprën e Da Vinçit për të drejtat e grave
“Vitruvian Woman” është një lloj rikonceptimi i veprës së famshme të italiani...
-
BPRG: Kosova meriton përfaqësim të plotë në CEFTA, heqja e ndalesës për mallrat serbe do të ulë edhe tensionet
Balkans Policy Research Group përmes një komunikate për media ka thënë se Kos...
-
Këshilltari i Bislimit thotë se s’ka pasë takim trepalësh në Bruksel
Kanë përfunduar takimet në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel pa një takim...
-
Vetëdorëzohet në Prokurorinë Speciale i akuzuari për drogë e armëmbajtje pa leje, lirohet pasi dha dorëzani 30 mijë euro
Është vetëdorëzuar në Prokurorinë Speciale i pandehuri mbi të cilin rëndojnë ...
-
Miratohet raporti mbikëqyrës i zbatimit të Ligjit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mb...
-
Trepça e pezullon edhe një punëtor nga puna, shkak mosrespektimi i rregullave të punës
Ndërmarrja Trepça Sh.A. sot më 17 shtator e ka larguar përkohësisht nga puna ...
-
Osmani sot pjesë e ceremonisë së shënimit të 25 vjetorit të NDI-së në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 25 vje...
-
Nuk pati njoftim për takim me Kurtin në zyrë, ministrja gjermane thotë se ia bëri te qartë “qeverisë” kërkesat për CEFTA
Ministrja gjermane e Shtetit për Europën, Anna Luhrmann, ka qëndruar në Kosov...
-
Kryenegociatorët përfundojnë takimet me Lajçakun, a do të ketë takim trepalësh?
Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar takime të ndara me emis...
-
Kurti për “masat” e Vuçiq: Fushatë agresive për konflikte të reja, tri kushtet e mia janë paqësore
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se masat e presidentit serb Aleksandër...
-
Trump: Biden ishte shumë i mirë, pas atentatit më thirri për t’u siguruar që isha mirë
Gjatë një paraqitjeje në një kanal të mediave sociale për ta promovuar një si...
-
Kjo është mësimdhënësja e arrestuar për mashtrim në Pejë
Sot në Pejë është arrestuar e cila po dyshohet se mashtroi bujqit për subvenc...