Lajme

Situata në veri: Opozita akuzon qeverinë se ra në kurthin e Serbisë

Autori: Gazeta inFokus 14:23 | 23 December 2022

Deputetë të partive opozitare në një seancë të Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar qeverinë për menagjimin e situatës në veri të vendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, ku rrugët janë të barrikaduara tash e dy javë.

Çuni tha se situata në katër komunat e veriut, të banuara me shumicë serbe, është jashtë kontrollit “për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës”.

-Advertisement-

“Sot veç një detyrë e ka kjo qeveri, të mos vazhdojë të bjerë më në kurthet e kundërshtarit [Serbisë]”, tha Çuni.

Ai tha se veprimet e qeverisë kanë rrezikuar edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Më 8 dhjetor, para vendosjes së barrikadave në veri ishte plagosur një zyrtar i Policisë së Kosovës.

Duke iu referuar situatës në veri, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se veprimet e qytetareve serbë në veri, të sponsorizuara nga Serbia “nuk e trembin dhe nuk kanë kurrfarë efekti për Kosovën”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të dalë nga “kurthi” që sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka përgatitur.

Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, tha se përmes tensionimit të situatës në veri “Serbia po kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi dekada më parë”.

Aliu tha se situata e tanishme nuk do të tolerohet pafundësisht.

Më 10 dhjetor, grupe të serbëve në veri ngritën barrikada në rrugët kryesore që qojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar KFOR-it që të largojë barrikadat ndërkohë që ka thënë se ekzistojnë kapacitetet që këtë gjë ta bëjnë edhe vet.

Më 22 dhjetor, mijëra qytetarë serbë morën pjesë në një protestë në fshatin Rudarë të Zveçanit. Ata i vendosen disa kushte për largimin e barrikadave përfshirë lirimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua si i dyshuar për organizim të sulmeve terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera