Caktohet trupi gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët, dosja gati për transferim më 15 dhjetor
Autori: Gazeta inFokus 11:05 | 01 December 2022
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar përbërjen e trupit gjykues që do të gjykoj rastin ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ky trup gjykues do të përbëhet nga gjyqtarët Charles Smith III , Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, gjyqtar rezervë. Ndryshe, ky trup gjykues, ka pasur në trajtim rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Po ashtu, është bërë e ditur se me 30 nëntor 2022, gjykatësi i procedurës paraprake ka njoftuar se çështja do të jetë gati për tu transferuar te trupi gjykues me 15 dhjetor.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.
Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.
Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.
“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.
Ndryshe, gjykatësi paraprak, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime ndaj të paktën një viktime në Komunën e Ferizajt.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
Karolina e Veriut një nga shtetet me rëndësi kyçe në zgjedhjet e vitit 2024
Karolina e Veriut është shfaqur si një shtet i rëndësishëm në betejën zgjedho...
-
Ku do të shpenzohet buxheti i Kosovës i vitit 2025
Miliona euro në investime kapitale ka planifikuar t`i shpenzojë Qeveria vitin...
-
Elmi Reçica: Bedri Hamza kryeministri në ardhje, po vjen ndryshimi në Kosovë
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka shkruar për tubimin që sot PDK mbajti në I...
-
Statistikat në TV turk, Kosova me energjinë më të lirë në rajon, Manxhuka: Demantohet propaganda e opozitës
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, i ka publikuar disa të dhëna të t...
-
Letra e demokrates: Harris nderon shqiptarët, mbështet Kosovën
Në tokën e premtuar kontribuojnë për mbi një shekull, por nder më të madh se ...
-
Mallrat serbe/ Për një muaj hyjnë 750 dërgesa nga Serbia
Hyrja në territorin kosovar pas disa orë në kolonë vazhdon edhe me një kohë p...
-
E tmerrshme: Një vajzë 14-vjeçare dyshohet se u drogua dhe u dhựἠua nga pesë persona në Prishtinë
Një ngjarje e trishtë dyshohet të ketë ndodhur mëngjesin e sotëm në një objek...
-
Abdixhiku ia kujton me video Kurtit dy premtime të mëdha që i kishte bërë për sportin: U tha, s’u bë – ndryshimi po vjen
Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një video ku kryeministri Ku...
-
Kërkimet për të pagjeturit, për herë të parë përdoret teknologjia “LIDAR”
Për herë të parë në qiellin e Kosovës e vendosur në një dron, ka fluturuar pa...
-
400 pasaporta s’dihet ku mbetën, Dimal Basha thirrje mërgimtarëve që të aplikojnë për dokumente që të votojnë më 9 shkurt
Dimal Basha në një postim në Facebook u ka dhënë instruksione mërgimtarëve në...
-
Hamza në Itali: Bizneset që i investojnë mbi 500 mijë euro apo i punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim
Kandidati i PDK’së për kryeministër, Bedri Hamza, ka shkuar në Itali, ku ka t...
-
Policia arreston dy persona pastaj kapë 100 kg drogë në Raushiq, bastisje për substanca narkotike edhe në Barilevë (Pamje)
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona dhe ka sekuestruar 100 kilogramë d...