Lajme

Papa kundër përdorimit të fesë për të justifikuar luftën

Autori: Gazeta inFokus 13:31 | 14 September 2022

Papa Françesku ka paralajmëruar liderët fetarë nga shumë besime se feja nuk mund të përdoret për të justifikuar “ligësinë” e luftës.

Kjo deklaratë duket se është kritikë ndaj Kishës Ortodokse Ruse e cila ka mbështetur presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë pushtimit të tij të paprovokuar të Ukrainës.

Duke folur në Kongresin e shtatë të Liderëve të Botës dhe Feve Tradicionale, që u mbajt në Kazakistan, Françesku ftoi të pranishmit që të bashkohen në dënimin e luftës dhe të mospërdorimit të fesë si justifikim për të.

-Advertisement-

“Zoti është paqe. Ai na udhëheq gjithmonë në rrugën e paqes, asnjëherë në atë të luftës”, tha Papa Françesku pa përmendur në mënyrë specifike Rusinë apo Ukrainën.

Patriarku Kirill, i cili ka mbështetur Putinin dhe pushtimin e tij, ishte paraparë të merrte pjesë në konferencë, por ai anuloi pjesëmarrjen në momentet e fundit. Megjithatë, një delegacion i Kishës Ortodokse Rusie ka marrë pjesë në ngjarje.

“Nëse krijuesi, të cilit ne ia dedikojmë jetën, është autor i jetës njerëzore, si mund ne që e quajmë veten besimtar, të pranojmë shkatërrimin e asaj jete?”, tha Papa.

“Do Zoti që ne kurrë të mos e justifikojmë dhunën”, shtoi Papa i Shenjtë.

Patriarku rus Kirill ka dërguar një mesazh për Kongresin, që u lexua gjatë mbledhjes. Ai paralajmëroi për problemet që po shkaktohen “nga përpjekjet për të ndërtuar një botë pa u mbështetur në vlera morale”.

Patriarku rus kritikoi mentalitetin sekular të Perëndimit dhe tha se konflikti në Ukrainë është mbjell nga kërcënimet e jashtme ndaj Rusisë.

Kongresi në Nur-Sultan të Kazakistanit mbledh rreth vetes delegacione të besimeve të ndryshme për të diskutuar për rolin e fesë në zhvillimin e njerëzimit në botën moderne./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera