Lajme

Në 31-vjetorin e pavarësisë, Zelensky zotohet se Ukraina do ta luftojë Rusinë “deri në fund”

Autori: Gazeta inFokus 10:54 | 24 August 2022

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se shteti i tij do t’i luftojë trupat ushtarake ruse “deri në fund”.

Ukraina shënon të mërkurën 31-vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Po këtë ditë bëhen gjashtë muaj prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës.

-Advertisement-

“Përgjatë këtyre gjashtë muajve, ne kemi ndryshuar historinë, kemi ndryshuar botën dhe kemi ndryshuar veten… ne kemi nisur të respektojmë veten. Ne e kuptojmë se pavarësisht ndihmës dhe mbështetjes, askush përveç neve nuk do të luftojë për pavarësinë tonë. Ne jemi të bashkuar”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij më 24 gusht.

“Nuk ka rëndësi se çfarë ushtrie kemi, e rëndësishme është toka jonë. Ne do të luftojmë për të deri në fund”, ka thënë ai.

Ukrainasit, dhe pjesa tjetër e botës, janë të përgatitur për një luftë të gjatë.

Burimet perëndimore ushtarake, kanë thënë se forcat ruse janë duke bërë pak përparim në territoret lindore dhe jugore të Ukrainës.

Prej shpërthimit të luftës, shtatë milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, derisa kombet perëndimore kanë vendosur sanksione financiare dhe teknologjike ndaj Rusisë për agresionin.

Zelensky, 44-vjeçar, e ka pranuar ndikimin e rëndë të luftës në Ukrainë.

“Çdo ditë është një arsye e re për t’u mos dorëzuar. Sepse, meqë kemi bërë kaq shumë, ne kemi çdo të drejtë të shkojmë deri në fund. Çka është fundi i luftës për ne? Ne kemi thënë dikur: paqja. Tani themi: fitorja”, ka thënë ai, duke shtuar se lufta nuk do të përfundojë derisa e gjitha Ukraina, përfshirë rajonet separatiste në lindje dhe Krimeja e aneksuar nga Moska më 2014, të jenë nën kontrollin e Kievit.

“Ne do të çojmë duart lart vetëm një herë – kur të festojmë fitoren. E gjithë Ukrainës. Sepse ne nuk tregtojmë tokën dhe popullin tonë”, ka thënë ai.

“Për ne, Ukraina është e gjithë Ukraina. Të gjitha 25 rajonet, pa koncesione apo kompromise. Ne nuk njohim këto fjalë, se ato janë shkatërruar nga raketat më 24 shkurt”.

Kryeqyteti ukrainas, Kiev dhe disa qytete tjera të mëdha, kanë ndaluar festimet publike, pas paralajmërimeve se Rusia mund të përdorë këtë ngjarje për të sulmuar infrastrukturën civile dhe qeveritare.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë banorëve që të jenë vigjilentë teksa festojnë, pasi përvjetori i pavarësisë përkon me gjashtëmujorin e nisjes së luftës.

“Është një ditë e madhe për të gjithë ne – është, fatkeqësisht, e rëndësishme edhe për armikun tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj provokimeve ruse, meqë sulmet brutale janë të mundshme”, ka thënë Zelensky në orët e vona të 23 shkurtit.

Në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit.

Në vend të paradës, pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara janë vënë në rrugën kryesore të Kievit, si përkujtim për tentimet e dështuara të Moskës që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas në ditët e para të luftës.

Uashingtoni po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë këtë përvjetor për të nisur sulme më të mëdha.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera