Lajme

Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje, Arbër Sejdiu deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Autori: Gazeta inFokus 10:42 | 14 July 2022

Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021.

Këtë deklarim, dy të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Valdet Avdiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

-Advertisement-

Kurse, nga informacionet që Prokuroria thotë se ka marrë nga Policia, vërtetohet se Dardan Krivaqa që nga viti 2006 ka qenë i dyshuar për 133 vepra të ndryshme penale. Edhe Arbër Sejdiu ka disa vepra penale.

Në detajet nga aktakuza e ngritur, thuhet se më 21 gusht 2021, Dardan Krivaqa në banesën e tij pa pëlqimin e tanimë të ndjerës e detyron atë të kryejë marrëdhënie seksuale.

“…me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”, përshkruan tutje aktakuza, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, akuzohet se me dashje ka ndihmuar në kryerjen e dhunimit nga ana e Dardan Krivaqës. Aktakuza përshkruan se dy të akuzuarit ishin takuar në qytet dhe pasi ishin kthyer bashkë në banesë, Sejdiu ishte në dijeni për dhunimin që po i bëhej tani të ndjerës.

“Po ashtu dhe gjatë asaj kohe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari, po ashtu edhe disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, gjatë gjithë kohës bisedojnë mes vete dhe i jep të pandehurit Dardan Krivaqa telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që është e vendosur në korridorin e banesës me qëllim të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale”, thuhet tutje në aktakuzë.

Pas kësaj, sipas aktit akuzues me qëllim të fshehjes së veprës penale “Dhunimi”, e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani.

“…në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”, thuhet në aktin akuzues.

E gjithë kjo, sipas prokurorisë vërtetohet edhe përmes pamjeve të kamerave të cilat kanë qenë banesën e të akuzuarit Krivaqa. Një kamerë e cila ka regjistruar nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së dhomës së gjumit, si dhe një dhome të cilën e kapë vetëm një qosh, ku prokuroria thotë se është kryer edhe vrasja.

Pamjet e kamerave, si kishte ndodhur krimi?

Kamerat të cilat kanë regjistruar 24 orë, kanë dhënë një pamje të qartë se si kishte filluar dhe përfunduar tragjikisht e vdekur 18 vjeçarja.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaqa, pas mesnate derisa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaqa dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banja dhe e dërgon në dhomën e gjumit”, përshkruhet në aktakuzë.

Tutje, nga ora 13:43, thuhet se i akuzuari i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57.

Pas takimit në mes të akuzuarve të përshkruar në fillim, në orën 23:17 i akuzuari Dardan Krivaqa hynë në dhomën dhe dërgon të ndjerën Marigona Osmani në banjo për ta pastruar, e njëjta ishte e zhveshur dhe kështu vërehej se ka shenja të dhunës në trup.

“Qëndrojnë disa minuta ku gjatë asaj kohe, dera e banjës hapet dhe vërehet se e ndjera e cila ishte e ulur në ulëse të WC, shtrihet dy herë pa ndjenja në tokë, e ku i pandehuri Dardan Krivaqa, e çon dhe e ulë në ulëse të WC-së, rreth orës 23:26, i pandehuri Dardan Krivaqa nga banjë e merr të ndjerën dhe e dërgon në dhomën e tij të gjumit”, bëhet e ditur në aktakuzë.

Në ora 3 të mesnatës, aktakuza thotë se i akuzuari Krivaqa e dërgon serish në banjo të ndjerën për ta pastruar dhe e kthen sërish në dhomë.

Para vrasjes së të ndjerës, thuhet se dy të akuzuarit dalin në korridor duke biseduar dhe më pas kthehen në dhomë, ku Krivaqa në orën 10:56 merr një shkop të zi, kurse i akuzuari tjetër sigurohet për disa minuta nëse po i përgjon dikush dhe më pas kthehet sërish në dhomë ku gjendet Krivaqa bashkë me tani të ndjerën.

“…e mbyll derën dhe aty qëndrojnë nga ora 10:56, e deri në orën 11:13, ku posa del i pandehuri Arbër Sejdiu, ulet në shtrat i cili gjendet në dhomën ngjitur me dhomën ku gjendet i pandehuri Dardan Krivaqa, me të ndjerën Marigona Osmani, 11:22, Arbër Sejdiu, qet aromatizues në korridor, si dhe në dhomën ku gjendet e ndjera, 11:24, Dardan Krivaqa e kthen në radiatorë shkopin e zi, i cili është përdorur gjatë vrasjes, 11:37, Dardani qet aromatizues në korridor dhe hyn në dhomë, del në orën 11:42”, përshkruhet tutje në aktakuzës.

Të akuzuarit thuhet se e kishin thirrë më pas kompaninë e kamerave me qëllim të fshihen video-incizimet nga vendi i ngjarjes. Pasi kishte ecur punëtori i kompanisë, i akuzuari Krivaqa kishte marrë sërish shkopin dhe kishte hyrë në dhomë më pas kishte hyrë edhe i akuzuari tjetër i cili kohë pas kohe kishte dalë në korridor.

Në ora 13:45, i akuzuari Arbër Sejdiu thuhet se kishte dalë nga banesa, kurse 4 minuta më vonë Dardan Krivaqa e dërgon të ndjerën nga dhoma e gjumit në sallon, ku sipas prokurorisë vërehet se të njëjtës i janë hapur sytë dhe nuk ka shenja jete.

Më pas, thuhet se i akuzuari tjetër kthehet me një qese, e merr shkopin dhe e largon nga dhoma. 14:47, është ora që sipas prokurorisë rezulton të jetë edhe koha e vdekjes se të ndjerës, ku të akuzuarit e marrin dhe e lëshojnë në hyrje të Emergjencës dhe largohen nga aty.

Nis gjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera