Fokus

Alarmon drejtori i Klinikës Infektive: Kosova para një vale të re me COVID-19

Autori: Elvira Haxhiu 11:21 | 07 July 2022

Aktualisht në vendin tonë janë 1 mijë 521 raste aktive me COVID-19, shkruan Gazeta Infokus.

Numri i rasteve të reja me këtë virus po rritet çdo ditë, ku vetëm nga e hëna e deri të mërkurën janë regjistruar 660 raste të reja.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, ka thënë për Gazetën Infokus, se jemi para një vale të re me COVID-19.

-Advertisement-

“Jemi në fillimin e një vale të re, të shpresojmë të jetë me e lehtë”, ka deklaruar Vishaj.

Gjithashtu, ai ka konfirmuar se në Klinikën Infektive aktualisht janë duke u trajtuar tetë pacientë, ku dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë duke u trajtuar nën kujdesin intensiv.

“I kemi 8 pacientë në repart, 2 në intensivë”, ka thënë Vishaj.

Kujtojmë se të mërkurën janë regjistruar edhe 341 raste të reja.

Kurse nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Infokus kanë thënë që së shpejti pritet që të thërrasë, Komitetin për Koordinim dhe Vlerësim për COVID-19 për të rishikuar masat e deritashme pas rritjes alarmante të numrit të rasteve pozitive me këtë virus në vend.

LEXO EDHE: 341 raste pozitive me COVID-19 vetëm për 24 orë, nga MSH-ja tregojnë a do të ketë masa të reja

“Të gjithë trupat relevante në gatishmëri dhe reagim ndaj COVID-19 janë në konsultime të vazhdueshme. Sipas nevojës do të thirret së shpeti mbledhja e radhës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Po ashtu nga kjo ministri kanë bërë të ditur se ndryshimi i masave do të bëhet me rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë në vend.

“Ndryshimi eventual i masave do të dal nga rekomandimet e ekspertëve. Masat aktuale në fuqi, rekomandojnë bartjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe krahas kësaj inkurajojnë vaksinimin”, thuhet tutje në përgjigje nga kjo ministri.

Ndërsa, kanë theksuar se nga Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës po bëjnë një analizë të situatës me një fokus të veçantë në vendet e rajonit.

LEXO EDHE: Rritja e rasteve të reja me COVID-19, nga e hëna rreth 800 të infektuar

LEXO EDHE: Rritja drastike e numrit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, flet drejtori i Klinikës Infektive

“Situata me COVID-19 përcillet në baza ditore. IKShPK përveç grumbullimit të të dhënave, analizon edhe të dhënat dhe trendet nga vendet tjera, me fokus të veçante në vendet e rajonit tonë, si dhe shtetet ku kemi mërgatë”, kanë thënë nga MSH për Infokus.

Ndërkaq, ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe të vaksinohen./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera