Lajme

Kryeministri Kurti takon drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar

Autori: Gazeta inFokus 17:06 | 09 June 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, z.Abdulhamid Alkhalifa.

Në takim u bisedua për reperkusionet ekonomike që po pësojnë vendet dhe popujt si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Kryeministri Kurti theksoi masat e menjëhershme që ka ndërmarrë qeveria për të zbutur pasojat e inflacionit të lartë dhe për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve. Ndërkohë që po punojmë për reformat strukturale afatgjata, të nevojshme për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm, shtoi ai.

“Kryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e përgjithshëm të OFID në Kosovë dhe në veçanti për përkrahjen në promovimin e reformave afatgjata dhe financimin e politikave për zhvillim edhe nëpërmjet një marrëveshjeje që u nënshkrua sot me Ministrinë e Financave, Transfereve dhe Punës.   Marrëveshja mbështetë prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik. Marrëveshja me OPEC vjen si vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Drejtori Alkhalifa vlerësoi partneritetin me Qeverinë e Kosovës dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, z. Hekuran Murati, shefi i stafit të kryeministrit, z. Luan Dalipi, ndihmësi i drejtorit të përgjithshëm të OFID, z. Fuad Albassam dhe znj. Fatma Elzahra Elshati, menaxhere e operacioneve të sektorit publik në OFID.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera