Lajme

Gjykimi për vrasjen e dy policëve në Podujevë, krejt çka deklaruan katër dëshmitarët dje

Autori: Gazeta inFokus 09:07 | 12 May 2022

Me dëshminë e katër dëshmitarëve ka vazhduar gjykimi ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dezdarit, të cilët po akuzohen për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004.

Të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ndryshe, në seancën e kaluar të akuzuarit Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdari ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet në barrë.

-Advertisement-

Seanca e djeshme ka filluar me dëshminë e dëshmitares Fatmire Ramadani, e cila ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë.

Ajo ka sqaruar se ditën kritike kishte qenë në patroll dhe përmes radios kishte dëgjuar se kolegu Bastri Mulliqi kishte kërkuar ndihmë, dhe kishte dëgjuar të njëjtin duke thënë “po na sulmojnë me armë, ka gjuajtje, ka të shtëna” duke vazhduar sipas saj në vendin e ngjarjes në fshatin Lluzhan ku kishin takuar kolegun Arsimin i cili kishte qenë i shtrirë në tokë dhe policin ndërkombëtar, i cili kishte qenë në veturë.

E pyetur nga përfaqësuesi i të akuzuarit Alban Dezdari, avokati Florent Latifaj se kur ishte takuar për herë të parë me Bastriun, dëshmitari Ramadani ka thënë se me Bastriun ishte takuar atë natë por që nuk i kujtohej ku dhe kur.

Tutje, ajo ka thënë se e kishin bërë sigurimin e vendit të ngjarjes deri sa kishin ardhur njësitë e tjera dhe në skenën e krimit sipas saj, kishte qenë vetura ndërkombëtare e policisë dhe vetura e boshatisur të cilën e kishin lënë personat e dyshimtë.

Po ashtu, dëshmitari Ramadani ka thënë se përmes radio lidhjes kishte dëgjuar që personat e dyshimtë kishin shkuar drejt Podujevës me vetura civile.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit Bastri Mulliqi, i cili po ashtu ka deklaruar se mbetet pranë të gjitha deklaratave të dhëna më parë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarit Bedri Krasniqi, avokates sipas detyrës zyrtare Drita Sopi, se a kishte dëgjuar ditën kritike të komunikonin në gjuhën serbe, dëshmitari Mulliqi ka thënë se po kjo është e vërtetë, se komunikimet në gjuhën serbe i kishte dëgjuar paralelisht me të shtënat.

Ndërsa, i pyetur nga avokati Latifaj se a mund t’i përshkruaj personat që kishin qenë aty, dëshmitari Mulliqi ka thënë se ora ishte diku 21:45 dhe ishte terr me ç’rast kishte qenë shumë vështirë të identifikohej dikush, por sipas tij ata kanë qenë me uniforma ushtarake dhe maska, dhe është në dilemë se a kishin qenë 4 apo 5 persona.

Ai ka sqaruar se asnjë fishek i tij nuk ishte shkrepurazur pa gjuajtur ata dhe sipas tij, në krisma të tyre është shprazur karikatori i tij prej 15 fishekëve.

“Unë kam qenë i pozicionuar te ata tre me kallasha në dorë që ishin, dhe prej asaj ane 7-8 metra largësi, ata pothuajse kanë ikur dhe e kam dëgjuar se dikush ka thënë më rroki plumbi dhe e kam kuptuar që është shqiptar, dhe jam kthyer nga kolegu im që kurrë nuk u ndalte kallashi mbi të, nuk e kam dit për momentin që ka qenë Arsimi por e kam ditur që dikush i joni”, ka thënë Mulliqi.

I pyetur se çfarë kishte vërejtur pasi që kishin marrë Agronin nga aty, dëshmitari Mulliqi ka thënë se kishte shkuar për t’i dhënë ndihmë kolegut të tij duke kërkuar mbrojtje pas veturës.

Më pas, ai ka thënë se ka ndalua një veturë golf 2 për t’iu ofruar ndihmë sepse sipas tij, përkthyesi ishte i plagosur.

“Unë kam qenë i vetëdijshëm se mos po e marrë dikën në qaf dhe i kam thënë grahi atij personit për Podujevë dhe pas 200 metrave e kam lajmëruar bazën, ndërsa Arsimi ka mbetur në vendin e ngjarës që më vjen shumë keq për të”, tha Mulliqi.

Tutje, dëshmitari Mulliqi ka thënë se e ndjen vetën të dëmtuar në këtë rast pasi që ka vite që nuk është kryer ky rast.

“Shokët e mi nuk kanë guxuar me nejt me mu se janë tutur, dhe familja jem më kanë këqyr duke thënë se na prune bele në shtëpi. Djali im sot i ka 30 vite, askund nuk është i punësuar dhe çdo gjysme ore i shkruaj e pyes ku je, ku je”, tha Mulliqi.

Tutje, edhe dëshmitari i radhës Beqir Behrami ka deklaruar se mbetet pranë deklaratave të dhëna më parë.

I pyetur nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Xhafer Maliqi se me kënd kishte qenë në atë kohë deri sa ishte duke e vozitur veturën e policisë, dëshmitari Behrami ka thënë se kishte qenë me Gani Malokun dhe Ramadan Bilallin dhe sipas tij ndërkohë ishte bashkangjitur Isak Ejupi deri sa Ramadani kishte mbetur me një të lënduar në Podujevë që kishte qenë përkthyes.

Ai ka sqaruar se lidhur me këtë çështje nuk është interesuar asnjëherë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Latifaj se si ishte lajmëruar ditën kritike për të shkuar në vendin e ngjarjes, dëshmitari Behrami tha se ishte njoftuar përmes radio lidhjes deri sa kishte qenë në Podujevë, ku pasi kishte dëgjuar një thirrje të kolegut që tani e di që është Bastria, janë nisur për të shkuar në vendin e ngjarjes në Sibovc.

Sipas tij, fillimisht kishin parë një të plagosur dhe e kishin dërguar në Podujevë, kurse duke u kthyer për ta marr kolegun Isakun, kishin pasur të shtëna nga të dyshuarit,

“Në Sekiraq e kam marr Isakun dhe aty ka pas të shtëna nga të dyshuarit, dhe unë isha te shtëpia e Isakut ku kemi parë pastaj një Mercedes, dhe kur na ka parë ajo veturë neve ka hy në anën e majtë dhe në radio lidhje kemi dëgjuar se të dyshuarit e kanë marrë një veturë mercedes, dhe kemi vazhduar prapa saj me rotacion”, tha Behrami.

Ai ka thënë se vetura ishte ndalur kur kishte mbërritur në një rrugë pa krye duke parë se kishin qenë 3 persona por që nuk kishin mundur t’i identifikonin ata pasi që kishin qenë 30-40 metra larg.

I pyetur nga gjykatësi Hoti se a kishin pasur komunikim verbal me ta, dëshmitari Behrami tha se nuk kishte pasur mundësi pasi që aty kishin filluar të shtëna me armë në drejtim të tyre me armë AK-47 dhe një mjet tjetër top dore.

“Ata kanë ikur, dhe të shtënat tona jemi detyruar me i ndalë se kemi qenë të rrezikuar dhe veturën e kemi përdorur si mbrojtje dhe pas 1-2 minuta nuk i kemi parë më” ka thënë Behrami.

Pas Behramit, seanca ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit Muhamet Mani, i cili ka deklaruar se rastësisht kishte qëlluar atë ditë aty.

Ai ka sqaruar se kishte qenë duke shkuar në Shqipëri me djalin e axhës së tij Sabit Manin ku në Lluzhan, pasi që kishte dëgjuar krismat kishte ndaluar veturën dhe kishin parë personat të cilët sipas tij kishin qenë me maska.

Tutje, ai shtoi se kanë dal nga vetura e Shefkiut ku dy të tjerë kanë ardhur në drejtim të tyre me armë automatike duke ua marrë veturën.

“Kam hy te një pemë dhe kam parë që kanë qenë shumë polic, dhe herën e parë kanë qenë dy e herën e dytë nuk e di, nuk e di çka kanë folur pastaj se unë kam qenë te një pemë, dhe neve të dyve na morën kerret”, tha ai.

Në fund, dëshmitari tha se për rastin kishte kuptuar të njëjtën natë përmes komunikimit të policisë në radio lidhje sa kishte qenë në veturën e tyre.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje janë caktuar më 8 dhe 12 korrik ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e radhës.

Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Prokuroria e EULEX-it, me 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit me 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht ishin rrezikuar jetë e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera