Lajme

Apeli merr një vendim për 21 të dyshuarit në rastin “Subvencioni”

Autori: Gazeta inFokus 12:27 | 12 February 2022

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë 21 të dyshuarve në rastin “Subvencioni”.

Kjo gjykatë gjithashtu e ka lënë në fuqi edhe vendimin e shkallës së parë për 9 të dyshuarit tjerë, të cilëve masa e paraburgimit iu ishte zëvendësuar me atë të arrestit shtëpiak.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 2 janar 2022, të pandehurve Ramiz Ramosaj, Halil Hasani, Njazi Ibrahimi, Bajram Gashi, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Bashkim Mani, Deli Metaj, Gjon Musolli, Eduard Musollaj, Dukagjin Mavraj, Sadush Kabashi, Halit Avdijaj, Shemsedin Metaj, Halit Berisha, Fatmir Shala, Burim Selmani, Afrim Fazlija, Luigj Musollaj, Arif Idrizaj dhe Burim Shabanaj, ua kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj.

-Advertisement-

Ndërsa të pandehurit Lulzim Kurti si zyrtar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Festim Omuraj, Milit Basha, Leonard Musollaj, Dinë Zogaj, Adrian Ramqaj, Afërdita Gjokaj, Sevdije Qeli, Alban Novosella, masa e paraburgimit iu është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 muaj, nga 3 janari e deri me 3 mars 2022.

Kundër këtij vendimi të shkallës së parë, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin paraqitur të dyshuarit përmes mbrojtësve të tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”

Këto ankesa ishin parashtruar për shkak të shkeljes së dispozitave të KPPRK-së, shkeljes së gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, shkelës së të drejtave kushtetuese.

Sipas mbrojtjes, nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, sepse sipas tyre, të dyshuarit nuk mund të ndikojnë në dëshmitarë e as në prova sepse sipas tyre, për të njëjtit ishin marrë deklarata në polici dhe prokurori.

Po ashtu sipas tyre, gjykata e shkallës së parë nuk e ka marrë për bazë se veprat penale nuk mund të përsëriten pasi të njëjtit ishin suspenduar nga puna, disa prej tyre kanë probleme shëndetësore.

Sipas vlerësimit të Apelit, aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj, sepse ekziston dyshimi se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Sipas vendimit të Apelit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se disa të dyshuar që ishin fermer kishin aplikuar dhe përfituar subvencione në vitin 2019 dhe 2020 në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar pronat komunale, pronat private pa autorizim nga pronari i tyre, duke paraqitur fakte të rreme dhe të pasakta me rastin e aplikimit për subvencione dhe duke përfituar shumë të ndryshme të parave, duke shfrytëzuar kontrata për marrjen e tokës me qira të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se këta fermer kishin ndikuar tek zyrtarë e AZHB-së me qëllim që emrat e tyre të futen në listën e përfituesve të subvencioneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e atakuar ka dhënë arsyetim përmbajtjesor në raport me bazën ligjore për vazhdimin e paraburgimit dhe arrestin shtëpiak, sepse ekziston rreziku që nëse të pandehurit do të gjenden në liri, do të mund të ndërmarrin veprime në asgjësimin e provave apo fshehjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Sipas Apelit, duke qenë se të njëjtit kanë komunikim mes vete, mund të koordinohen për gjetjen dhe zhdukjen apo ndryshimin e provave materiale, për shkak se PSRK-ja ende nuk i kishte sekuestruar të gjitha provat.

Po ashtu, sipas Apelit ekziston rreziku se nëse të njëjtit janë në liri do të ndikojnë në dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar më herët në Polici për të ndryshuar deklaratat, si dhe mund të ndikojnë edhe tek dëshmitarit të cilët nuk janë intervistuar ende.

“Nëse të pandehurit do të gjenden në liri do të mund të ndikojnë edhe tek njëri tjetri edhe pasi janë të pandehur me qëllim të koordinimit mes veti dhe ekziston mundësia që të njëjtit mund ti sinkronizojnë mbrojtjet e tyre”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera