Lajme

Krasniqi: Kurti të fokusohet tek qeverisja dhe jo tek zgjedhjet, qeverinë në hije e formojmë në shkurt

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 02 January 2022

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se Qeveria Kurti në vitin e parë në pushtet ka treguar mungesë të kompetencës, dijes dhe vizionit.

Në një intervistë për KosovaPress, lideri opozitar i kërkon kryeministrit Kurti të fokusohet tek qeverisja dhe jo tek zgjedhjet e reja. Ai e fajëson kreun qeveritar për mungesën e zgjidhjes për krizën energjetike dhe thotë se duhet ta trajtojë më seriozisht dialogun me Serbinë. Ndërkohë, paralajmëron formimin e qeverisë në hije të PDK-së në fund të muajit shkurt.

Krasniqi thotë për KosovaPress se Qeveria Kurti s’i ka bërë as tri punë të rëndësishme gjatë vitit 2021.

-Advertisement-

“Kemi qenë të befasuar për të keq me mungesën e kompetencës së qeverisë. Kanë qenë pritjet se së paku ministrat të kenë më shumë njohuri dhe vizion për fushat që iu është besuar detyra, por kjo nuk ka ndodhur. Mua më vjen keq që ky vit po mbyllet pa pasur mundësinë që t’i llogarisim së paku tri punë të rëndësishme që i ka bërë kjo qeveri. Nëse analizojmë vërtet dhe objektivisht punën e qeverisë gjatë këtij viti, qoftë planin e brendshëm dhe veçanërisht planin e jashtëm s’ka pasur asnjë avancim pozitiv. Kemi pasur telashe të mëdha me pandeminë. Vetëm këtë vit kemi pasur dy valë të mëdha që kanë marrë shumë jetë njerëzish dhe që kanë qenë të karakterizuara me keqmenaxhim nga ana e institucioneve. Kemi pasur telashe në politikën e jashtme, sot Kosova se ka një njohje të re dhe as nuk ka aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kemi pasur degradim të raporteve tona në rajon dhe veçanërisht me Shqipërinë që është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Por edhe një degradim të raporteve tona me disa prej partnerëve kryesorë të Kosovës siç janë ShBA dhe disa nga shtetet kyçe të BE-së. Realisht krejt çka e ka definuar këtë vit është se në vend që të kishim një rritje të mirëqenies së qytetarëve ne patëm rritje të çmimeve dhe shtim të problemeve, të cilat me një qasje tjetër do të ishin të vogla. […] Deri tash nuk kanë lënë hapësirë se mund të ketë ndonjë zhvillim pozitiv me këtë qeveri. Mungesa e kompetencës, dijës por edhe vizionit qeverisës është shqetësuese”, thotë ai.

Veçanërisht, sipas tij, ekzekutivi ka faj për mungesën e zgjidhjes së krizës energjetike.

“Faji është i qeverisë për mungesën e zgjidhjes së krizës dhe për neglizhencë që ata e kanë trajtuar këtë çështje. Unë nuk dëshiroj të jem alarmues, por ne ende se kemi arritur pjesën më të keqe të kësaj krize. Pasi me uljen e temperaturave është normale që të rritet konsumi dhe prodhimi vendor është duke shkuar më poshtë për shkak të daljes edhe të blloqeve të tjera. Ndërsa, çmimet në treg janë enorme, kapacitetet financiare për të mbuluar importin duket se nuk ekzistojnë dhe rrjedhimisht kjo do të krijojë një krizë më të rëndë se kjo që e kemi përjetuar në muajin dhjetor”, shton ai.

Lidhur me mundësitë e zgjedhjeve të reja gjatë këtij viti, kreu i PDK-së thotë për KosovaPress se fokusi i kryeministrit Kurti duhet të jetë tek qeverisja dhe jo tek kutitë e votimit. Por kjo, sipas tij nuk do të thotë se PDK-ja nuk është e gatshme për zgjedhje të reja.

“Duket se aq shpesh kemi mbajtur zgjedhje në Kosovë, sa kjo tema se do të ketë përsëri zgjedhje është bërë krejt e natyrshme edhe kur është në nivelin e spekulimeve. Ka pasur raste të tjera të kaluarën kur është thënë se do të ketë zgjedhje në këtë muaj, apo stinë, por nuk janë mbajtur. Kështu që unë besoj se fokusi aktual i qeverisë duhet të jetë te qeverisja dhe jo zgjedhjet. Pasi ne besojmë se nuk duhet të ketë ndryshim të qeverisë, sa duhet të ketë ndryshim të mentalitetit dhe qasjes në qeverisje. Kjo asnjë mënyrë s’do të thotë se s’jemi të gatshëm për zgjedhje, padyshim se partitë politike serioze gjithmonë janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje. Këtë e kemi dëshmuar, pasi rëndom kemi pasur zgjedhje të jashtëzakonshme që mbahen jo më shumë se 45 ditë”, thotë Krasniqi.

Ai thotë se kryeministri Kurti nuk duhet t’iu ikë përgjegjësive edhe në raport me dialogun me Serbinë. Megjithatë, siç thotë, dialogu nuk duhet të jetë vendimtar për qeveritë e Kosovës.

Krahas kësaj, lideri opozitar i kërkon kryeministrit të jetë më serioz në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

“Për të pasur suksese në dialog qeveria duhet të jetë shumë më serioze se është treguar deri tash. Muajt e kaluar kanë qenë muaj të humbur, ka pasur dy takime që janë përdorur për ‘shoë’ politik dhe për konsum të brendshëm dhe jo për të arritur qëllimet e dialogut. […] Fokusi i kryeministrit dhe Qeverisë duhet të jetë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por e vërteta është se këtë vit, së paku pjesën e parë të vitit nuk ka hapësirë reale për të bërë diçka konkrete pasi edhe Serbia i ka zgjedhjet në fillim të prillit, deri atëherë s’pres as iniciativë nga ana e ndërmjetësit. […] Ngecjet në dialog e kanë pasur ndikimin e vet edhe tek jetëgjatësia e qeverive edhe në të kaluarën. Por unë besoj se kryeministri Kurti nuk duhet t’i ikë kësaj përgjegjësie, pasi ka pozitën më komode se kanë pasur qeveritë e kaluara. Ai ka një shumicë dominuese në Kuvend, ka pushtetin absolut në të gjitha levat e qeverisë, kontrollon qeverinë, ka afërsi dhe pajtueshmëri me presidenten dhe normalisht krejt çka i mbetet është të jetë i përgjegjshëm dhe serioz për të arritur marrëveshjen. Është e pamundur të spekulohet dhe nuk duhet të mendohet se dialogu është vendimtar për qeverisjet tona, pasi për ato duhet të vendosin qytetarët, ashtu siç kanë vendosur”, shton ai.

Kryetari i PDK-së ka rezervat e veta sa i përket mundësisë së përfshirjes së Kosovës në Ballkanin e Hapur.

Ai thotë se Kosova nuk mund të bëhet pjesë e kësaj iniciative, derisa nuk ka qenë e barabartë që nga fillimi.

“Ne s’mundemi të bëhemi pjesë e një tryeze ku s’kemi qenë të barabartë nga fillimi. Mungesa e një qartësie për një barabarësi të palëve padyshim se e pengon realizimin e këtij procesi. Nëse Ballkani i Hapur është menduar për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor atëherë gjashtë shtetet është dashur të jenë pjesë e iniciativës që nga fillimi deri në fund, duke përfshirë edhe hartimin e rregullave. Nuk është e njëjtë të ulesh në tryeze nga fillimi dhe të ftohesh në gjysmën e rrugës. Ka nevojë për një ri-mendim të këtij projekti, i cili para se gjithash në perspektivën e Kosovës të jemi të barabartë”, deklaroi Krasniqi.

Sa i përket reformave në parti, Krasniqi thotë se janë në rrugë të mbarë për të përmbyllur platformën për të cilën është zgjedhur në krye të PDK-së. Ai thotë se në fund të muajit shkurt do të formohet qeveria në hije.

“Shumë shpejt do të marrim edhe hapa të tjerë, të cilët i kam pjesë të platformës me të cilën e kam kërkuar besimin e kolegëve kur jam zgjedh kryetar. Pra themelimin e kabinetit për qeverisjen e mirë, i cili do të jetë model i qeverisjes në hije që e kemi bërë edhe shumë vite më herët si PDK kur kemi qenë në opozitë 2005-2007. Konsolidimin e një instituti për studime dhe analiza i cili do të jetë afër PDK-së, por jo pjesë strukturore dhe mbledhë rreth vetes ekspertë dhe akademikë për të ndihmuar punën e PDK-së dhe të gjitha organeve tona. Do të ketë një vazhdimësi të qasjes që e kemi për të ndryshuar modelin opozitar që e kemi në Kosovë”, përfundon ai.

Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së në korrik të vitit 2021. Me të në krye, PDK-ja pati rezultat të mirë në zgjedhjet lokale, duke fituar disa komuna.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera