Lajme

HIV/AIDS ka marr jetën e mbi 50 personave në Kosovë 41 të tjerë po trajtohen në QKUK

Autori: Elvira Haxhiu 12:22 | 01 December 2021

HIV/AIDS vazhdon të mbetet një problem i madh i Shëndetit Publik në gjithë globin.

E nga ky infeksion nga viti në vit po preken edhe shumë kosovarë.

Dhjetëra persona të prekur nga ky infeksion po trajtohen aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare në Kosovë.

-Advertisement-

Gjatë vitit 2021 nga ky infeksion janë prekur tetë persona.

Shefi i Repartit për HIV në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti, tha për Gazetën Infokus se aktualisht në këtë klinikë janë dukë u trajtuar rreth 41 persona të infektuar me HIV/AIDS.

Ndërsa numri total i të infektuarve në Kosovë nga viti 1986 kur edhe është identifikuar rasti i parë ka shkuar në 139 raste, ku mbi 50 prej tyre kanë humbur jetën.

Por, si trajtohet ky infeksion në Kosovë?

“Ky infeksion trajtohet me barna që ne i quajmë barna antiretrovirale edhe me marrjen e këtyre barnave zakonisht pacientët ndihen mirë, kalojnë mirë dhe nuk kanë ndonjë telash”, tha Mehmeti për Gazetën Infokus.

Pra, medikamentet që përdoren për trajtimin e këtij infeksioni janë ARV Terapia.

Kjo trapi sigurohet falas nga Ministria e Shëndetësisë për personat e infektuar.

Gjithashtu, ai ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare ka kapacitete të mjaftueshme për trajtim e këtij infeksioni.

“Ka edhe të atillë që hezitojnë me fillu terapinë, duke e pasur parasysh se është terapi që zgjat tërë jetën. Hezitojnë në fillim, mirëpo normalisht që ne duhet me u ulë e me bisedu me ta, me ju tregu avantazhet e terapisë”, tha Shefi i Repartit për HIV në QKUK, Murat Mehmeti.

Mehmeti po ashtu tregon se ka pasur raste kur terapia e dhënë nuk ka funksionuar dhe është nevojitur ndryshimi i terapisë në mënyrë që efikasiteti i saj të rritet.

Ai tregoi se për trajtim të këtij infeksioni nuk ka nevojë që pacientët të shtrihen në spital, përveç rasteve të rënda.

Mosha e cila është më e atakuar më shumë me këtë infeksion në Kosovë është mosha më e re e cila është seksualisht aktive. Pavarësisht kësaj të prekurit nga HIV/AIDS zhvillojnë jetë normale.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se për 35 vite në Kosovë janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS.

Numri më i madh i takon gjinisë mashkullore me 73%. Grup mosha më e atakuar është 25-34 vjeç ku kapë 31% dhe grup mosha 35-44 po ashtu 31%.

Gjithashtu është njoftuar se si pasojë e AIDS-it deri më tani kanë vdekur 50 persona.

Transmetimi i HIV-it mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.

1 dhjetori është Dita Botërore e Luftës kundër HIV/AIDS. Në këtë ditë kërkohet ndërgjegjësimi më i lartë i shoqërisë në lidhje më këtë infeksion.

Kjo ditë organizohet për të shpërndarë informacion lidhur me shkaqet, pasojat dhe trajtimin e këtij infeksioni/Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera