Lajme

‘Rrethanat lehtësuese’ të gjykatës në dobi të dhunuesit të 15-vjeçares: Ka një vajzë 4 muajshe dhe ka shprehur keqardhje

Autori: Gazeta inFokus 15:54 | 25 October 2021

Gjykata Themelore e Pejës kishte vlerësuar rrethanat lehtësuese për personin me inicialet P.K., para se ta dënonte me 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunimin e një 15-vjeçareje në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, bashkë me dy shokët e tij të mitur. Si rrethana lehtësuese gjykata ka vlerësuar se P.K., ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhje për veprën që ka kryer, faktin se tani ka një lidhje jashtëmartesore dhe një vajzë 4 muajshe si dhe nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite. Janë marrë për bazë edhe lehtësime të tjera, të cilat konsiderohen skandaloze. Express sjell detaje nga aktgjykimi.

Rrethanë lehtësuese për 31-vjeçarin, i cili në vitin 2012 ishte 21-vjeç kur kishte kreyer veprën, është marrë edhe shoqërimi i tij me dy të mitur që sipas gjykatës, flasin për ‘pjekurinë e tij psikike’. Si dhe deklarata e të miturës në polici e prokurori se me rastin e marrëdhënies seksuale nuk kishte pasur lëndime. Ndërsa, rrethana rënduese gjykata nuk gjeti.

P.K., në seancën gjyqësore ka deklaruar se është penduar thellë për atë që ka ndodh, “tani ka krijuar lidhje jashtëmartesore dhe nga kjo lidhje ka një vajzë 4 muajshe, mirëpo bashkëshortja e tij dhe fëmija jetojnë në Gjermani dhe së shpejti pret që ta zyrtarizojnë martesën dhe të jetojnë së bashku, andaj nga këto arsye e lut gjykatën që t’i ketë parasysh këto rrethana”.

-Advertisement-

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të cilin Gazeta Express e kishte publikuar para tre muajsh, P.K., në janar të vitit 2012, në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, së bashku me të miturit F.H., dhe A.I., kishin dhunuar vajzën 15-vjeçe. “Në atë mënyrë që gjersa viktima natën kritike kishte dalë nga Spitali i Gjakovës, i pandehuri P.K., së bashku me të miturin A.I., me dhunë nën kërcënimin e thikës nga ana e të miturit A.I., e kishin marrë viktimën, e kishin dërguar në një shtëpi të pabanuar e pastaj me telefon, A.I., kishte thirrë të miturin F.H., i cili kishte shkuar në shtëpinë në fjalë dhe aty gjatë tërë natës i pandehuri dhe të miturit kishin kryer veprën penale të dhunimit. Pastaj e mitura në orët e hershme të mëngjesit kishte ikur nga shtëpia dhe rastin e kishte paraqitur ne polici”.

Në vitin 2012 të dyshuarit ishin dënuar me nga një vit burgim, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim dhe dhunuesit, që tash është 31 vjeçar, iu zbut dënimi.

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, në korrik të këtij viti, ka shpallur fajtor P.K., për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”. Ai është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 8 muaj e 8 ditë, duke llogaritur kohën sa ka qëndruar në paraburgim.

P.K., ka qëndruar në masën e paraburgimit nga data 29.02.2012 deri më 06.11.2012. I mituri F.H., në paraburgim ka qëndruar nga data 29.02.2012 deri më 30.03.2012, i mituri A.I., gjithashtu ka qëndruar në paraburgim nga data 29.02.2012, thuhet në aktgjykim, por kohëzgjatja e tij në paraburgim nuk është e shkruar në aktgjykim.

Prokurorja i ka propozuar gjykatës se me rastin e marrjes së vendimit mbi shqiptimin e dënimit t’i marrë parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të dhunuesit.

“Prokurorja për të mitur në fjalën përfundimtare ka deklaruar se, pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe kualifikimit juridik të veprës penale të përshkruar në dispozitivin e aktakuzës duke propozuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, i propozon gjykatës se me rastin e marrjes së vendimit mbi shqiptimin e dënimit t’i merr parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si pranimi i fajësisë për veprën e kryer, se nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite, rrethanën se i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë madhor i ri, i kishte 21 vjet, që do të thotë se karakteristikat personale të të akuzuarit në atë kohë shoqëria që është shoqëruar, pra dëshmitarët F.H dhe A.I, të cilët kanë qenë të mitur dhe të cilët i ka pasur shokë, këto rrethana flasin për pjekurinë e tij psikike në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori ku kishte deklaruar se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime, për cka edhe në shkresat të lëndës nuk figuron ndonjë ekspertizë mjeko-ligjore”.

Në aktgjykimin dënues ndaj P.K., thuhet se gjykata ka gjetur vetëm rrethana lehtësuese, teksa nuk ka gjetur asnjë rënduese.

“Gjykata i ka vlerësuar të gjitha rrethanat Iehtësuese dhe rënduese në kuptim të nenit 70 dhe 71 të KPPRK-së. Kështu si rrethana lehtësuese për të akuzuarin gjykata gjeti se, i akuzuari ka treguar sjellje korrekte gjatë shqyrtimit fillestar, e për më tepër ka pranuar fajësinë dhe ka shpreh keqardhje për veprën që e ka kryer, tani ka krijuar lidhje jashtëmartesore dhe nga kjo lidhje ka një fëmijë-vajzë 4muajshe, se nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite, si rrethanë lehtësuese giykata pati parasysh edhe rrethanën se, në kohën e kryerjes së veprës penale i akuzuari ka qenë madhor i ri i moshës 21 vjet, e po ashtu karakteristikat personale të të akuzuarit se në atë kohë, është shoqëruar me dëshmitarët F. H. Dhe A. I., të cilët kanë qenë të mitur dhe të cilët i ka pas shokë, këto rrethana flasin për pjekurinë e tij psikike në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori ku kishte deklaruar se me rastin e marrëdhenieve seksuale, nuk ka pas lëndime. I akuzuari asnjeherë nuk kishte qenë i dënuar nga ana e gjykatës më herët, ndaj tij nuk udhëhiqet ndonjë procedurë tjetër penale. Andaj, të gjitha këto rrethana kjo giykatë i ka pranuar si rrethana lehtësuese në dobi të të akuzuarit. Si rrethana rënduese për të akuzuarin nuk gjeti”.

Tutje në këtë aktgjykim theksohet se në seancë nuk është paraqitur e dëmtuara e as punëtori nga Qendra për Punë Sociale, edhe pse sipas Gjykatës, “ftesën e kanë marrë, por mungesën nuk e kanë arsyetuar”.

Për dënimin prej 8 muajsh e 8 ditë burgim ndaj dhunesit të 15-vjeçares, reagoi sot, pas tre muajsh, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Vendimin e gjykatës ajo e ka quajtur absurd e të padrejtë.

“Sapo përfundova fjalën në konferencën që i dedikohej viktimave të krimit, u njoftova me lajmin që dhunuesi seksual ndaj vajzës 15 vjeçare qenka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, pa asnjë rrethanë rënduese dhe fatkeqësisht shumë rrethana lehtësuese. Jam shumë e shqetësuar në raport me këto vendime absurde të padrejta dhe që motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj në Facebook.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera