Lajme

KEDS transformon linjën problematike të fshatrave të Gollakut

Autori: Gazeta inFokus 14:55 | 22 October 2021

Fshatrat e Malësisë së Gollakut po bëhen me rrjet komplet të ri elektrik nga KEDS. Largpërçuesi i Tensionit të Mesëm 10 kV Grashticë-Radashevc, po bartet i tëri përskaj rrugës ndërsa rrjeti i vjetër që dikur kalonte në malet e Gollakut do të eliminohet në tërësi.

Ky investim, përpos që do të ofrojë siguri në furnizim stabil për konsumatorët, do të mundësojë edhe intervenim më të shpejtë nga ekipet e terrenit.

Lidhur me këtë, Koordinatori i mirëmbajtjes në distriktin e Prishtinës në KEDS, Nexhat Fazliu, tha se largpërçuesi në fjalë ka qenë një nga linjat më problematike në këtë anë.

-Advertisement-

“Largpërçuesi i Grashticës ka qenë një ndër linjat më problematike në distriktin e Prishtinës, kështu që me këtë investimin që është duke u bërë në Grashticë është bërë dislokimi i largpërçuesit përskaj rrugës që të na lehtësojë operimin… Ky projekt është në përfundim e sipër dhe me përfundimin e këtij investimi po i bëhet zgjidhje largpërçuesit Grashticë-Radashevcë”, tha ai.

Ndërkaq, Zyrtari për Komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, tha se përmes këtij investimi po rritet siguria në furnizim për banorët e fshatrave të Gollakut.

“Investimet e KEDS në rrjetin elektrik tashmë kanë filluar të transformojnë edhe fshatrat e Gollakut. Largpërçuesi i tensionit të mesëm 10 kV Grashticë-Radashevcë tashmë është duke u punuar dhe pas përfundimit të tij do të mundësohet që konsumatorët e kësaj ane të kenë furnizim shumë më kualitativ dhe stabil me energji elektrike. Pra, bëhet fjalë për një dislokim të rrjetit në distancë prej 7.5 kilometrash. Ky rrjet më herët kalonte në brendësi të Gollakut, pra të Malësisë së Gollakut dhe që në zonat e caktuara intervenimi ishte thuajse i pamundur në kohë të dimrit. Kështu që me intervenimet të cilat po bëhen në këtë anë po mundësohet që kohëzgjatja e ndërprerjes së energjisë elektrike të reduktohet apo të minimizohet, njëkohësisht të mundësohet intervenim i shpejtë në rast nevoje dhe sigurisht të përmirësohet kualiteti i furnizimit për këtë anë”, tha ai.

Ramadani tha se KEDS ka investuar edhe gjatë vitit të kaluar në atë pjesë, më saktësisht në fshatrat: Keqekollë, Hajkobillë e Prapashticë.

Këto investime i kanë mirëpritur banorët e fshatrave të Gollakut, të cilët thonë se tashmë nuk do të kenë probleme me energji elektrike.

Shaban Berisha, banor i fshatit Grashticë, tha se shpresojnë që me këtë investim të zgjidhet problemi i tyre me energji elektrike.

“Jemi shumë të kënaqur, besoj që ka pas nevojë. Shpresojmë që edhe rryma të jetë më stabile për shkak se këto pjesë kanë pasur gjithmonë probleme me energji elektrike…Përmes këtij investimi po i bëhet një zgjidhje një prej problemeve të kamotshme të Grashticës”, tha ai.

Përveç pjesës së Gollakut, KEDS është duke kryer investime të shumta edhe në zona tjera gjithandej vendit. Këto investime tregojnë përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë sa më afër konsumatorit./KP/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera