Ekonomi

INDEP publikon buletinin e parë “Rimëkëmbje për Qëndrueshmëri”

Autori: Gazeta inFokus 18:36 | 30 August 2021

Dëmet nga Pandemia COVID-19, kanë lënë gjurmë në zhvillimin ekonomik  të vendit dhe mbesin ende të pariparueshme. Dëmet e shkaktuara si rezultat i mbylljeve të tërësishme të vendit dhe masave tjera parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë janë të mëdha. Sektorë të ndryshëm kanë pësuar humbje të mëdha të cilat janë vështirë të rikthyeshme. Si rrjedhojë e  gjithë këtyre zhvillimeve, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka hartuar pakon e tretë me radhë e cila parasheh rritjen e aktivitetit ekonomik, e me këtë edhe korrigjimin e deformimeve ekzistuese në strukturën e Prodhimit Bruto të Brendshëm.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me datë 16 Korrik 2021, miratoi në parim Projektligjin nr.08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Ndërsa me datë 28 Korrik 2021, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancën plenare, ku në rend të ditës ishte shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në po të njëjtën datë, miratoi Ligjin Nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kjo pako përmban në vete masat përmes të cilave do të u ofrohet ndihmë  sektorëve të dëmtuar si pasojë e pandemisë COVID-19. Në tërësi këto masa janë të kategorizuara në pesë kategori të cilat përfshijnë sektorë të ndryshëm. Këto masa janë 1. Mbështetja e punësimit 2. Ringjallja e ekonomisë dhe prodhimit 4. Mbështetja për publiken 3. Mbështetja për familjen 5. Investimi në infrastrukturë dhe ambient

-Advertisement-

Për të gjitha këto INDEP ka publikuar buletinin e parë në kuadër të projektit “Rimëkëmbje për Qëndrueshmëri”.

Ky projekt ka për qëllim të promovojë një perspektivë të Agjendës së Gjelbër në pakot e ardhshme të rimëkëmbjes, të monitorojë zbatimin e masave nxitëse dhe të sigurojë një mënyrë të dobishme për qytetarët që të përfshihen në diskutim duke përfituar nga teknologjia e informacionit. Edicioni i parë i buletinit përmban një përshkrim të tërësishëm të masave të përcaktuara në Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Duke monitoruar zbatimin e kësaj pako dhe pakove tjera pasuese, përmes këtij dhe buletinëve të radhës, INDEP do të informojnë publikun për zbatimin e pakos duke ndikuar kështu në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies mes institucioneve relevante dhe qytetarëve të Kosovës.

Po çka përmbajnë këto masa.

Mbështetja e punësimit

Përmes kësaj mase, Qeveria e Republikës së Kosovës synon që të mbështesë qytetarët të cilët kanë humbur vendet e punës si pasojë e pandemisë COVID-19, dhe atyre që kanë kërkuar vende pune. Kjo do të arrihet duke krijuar vende të reja pune dhe duke krijuar kushte për rikthimin e punëtorëve në pozitat paraprake. Në total, kjo masë ka të parashi kuara 50 milionë Euro, shumë kjo e cila do të ndahet në disa kategori.

Ringjallja e Ekonomisë dhe Prodhimit

Masa e dytë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, synon të mbështesë dhe të inkurajojë investimet në teknologji dhe inovacion, prodhimtari dhe eksport, duke ndihmuar kështu bizneset e prekura nga pandemia në mënyra të ndryshme. Kjo masë parasheh të ndajë 108 milionë Euro, me qëllimin e vetëm, që të shtyejë përpara këto kategori të ndikuara dhe të dëmtuara. Përmes kësaj mase kategori mjaft të rëndësishme do të mbështeten, ku me këtë rast do të lehtësohet rimëkëmbja ekonomike e vendit.

Mbështetja për familjen

Pandemia COVID-19 ka dëmtuar mirëqenien sociale. Shumë familje janë prekur dhe janë dëmtuar ekonomikisht por edhe moralisht e fizikisht. Të gjitha këto kanë sjellur dëme të cilat pa ndihmën e jashtme vështirë se do të mund të rikthehen si më parë. Kjo ka bërë që në Pakon e Ringjalljes Ekonomike të përfshihet edhe masa e cila është e dedikuar për ndihmën ndaj familjeve, sidomos atyre më të prekura. Kjo ndihmesë tenton që sadopak të lehtësojë dëmet e shkaktuar si pasojë e pandemisë.

Mbështetja për publiken

Mirëqenia sociale ndikon shumë në produktivitetin dhe arritjet qytetare. Me shfaqjen e pandemisë dhe gjatë saj, ky sektor u ndikua shumë, ku për pasojë edhe stagnoi në shumë drejtime. Shëndetësia, arsimi, kultura dhe sporti, por edhe siguria janë ndër fushat më të prekura. Andaj është vendosur që kjo pako të përfshijë edhe sektorët e lartpërmendur, me ndihma në vlerë prej 112 milionë Euro.

Investimi në infrastrukturë dhe ambient

Pako e Ringjalljes Ekonomike ka paraparë mbështetje edhe për infrastrukturën dhe ambientin. Gjithsej kjo masë përmban 100 milionë Euro investime. Këto investime kanë të bëjnë me projekte në infrastrukturën rrugore, hekurudhore e po ashtu edhe në mbrojtjen e ambientit. Sa i përket investimeve në mbrojtjen e ambientit, ato do të fokusohen në efiçiencë dhe energji elektrike. Në kuadër të ambientit, thuhet në Pakon e Ringjalljes Ekonomike se janë ende duke u negociuar me akterë dhe investitorë të ndryshëm për të sjellur investime në këtë drejtim.

Ky buletin u përgatit me mbështetjen e Balkan Trust for Democracy, një projekt i German Marshall Fund e Sh.B.A.-së dhe USAID.  /Gazeta Infokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera