Ekonomi

Ministria e drejtuar nga Aliu e Durmishi jep edhe dy tender të dyshimtë

Autori: Gazeta inFokus 15:49 | 02 August 2021

Trendi i dhënies së tenderëve me procedurë të negociuar, që konsiderohet si forma më e dyshimtë e tenderimit, nuk ka të ndalur në Ministrinë e Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga ministri, Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi.

Kjo ministri deri më tani ka dhënë dhjetëra tenderë duke e aplikuar këtë procedurë të prokurimit, përkundë kritikave të shumta se në këtë formë në vazhdimësi janë favorizuar biznese të caktuara dhe është modeli me i përfolur për korrupsion, shkruan Gazeta Infokus.

Madje edhe sot, (e hënë, 02.08.2021) ka njoftuar për nënshkrimin e një kontrate me kompaninë të cilën e ka përzgjedhur me procedurë të negociuar, pa shpallje të tenderit dhe pa lejuar garën e hapur ku mund të aplikojnë edhe kompani të tjera.

-Advertisement-

Tenderin “Rikonstruimi i Rrugës Miradi – Zona Industriale” e kanë fituar grup i Operatorëve Ekonomik “Fidaie Bytyçi B.I”. “K.N.P.SH. PAPENBURG & ADRIANI COMPANY SH.P.K”.

Në njoftimin për dhënie të kontratës, të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus, nuk thuhet nëse është vazhdim i punimeve, por vetëm specifikohet se është ndjekur procedura: “E negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 75 mijë e 972 euro e 38 cent dhe fiks ky ka qenë edhe çmimi i ofertës se fituar të tenderit, pra asnjë cent më pak se që ka qenë çmimi i procedurës së negociuar.

Por ky nuk është i vetmi tender qe ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu  ka dhënë pas kritikave të shumta qe mori kur u publikua hulumtimi i Gazetës Infokus ” Skandal: Ministria e Infrastrukturës për dy muaj dha 28 tenderë me mbi 5 milionë euro pa procedura të hapura”

Vetëm tri ditë me herët, të premten, datë 30.07.2021, Gazeta Infokus ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër duke përzgjedhur kompaninë përmes procedurës së njëjtë, të negociuar.

Kjo kontratë, përshkrimi saktë i të cilës është për; “Asfaltimi i Rrugëve në Kamenicë” i është dhënë operatorit ekonomik  “N.N.T.”A.B.C.” nga Podujeva.

Vlera e parashikuar e kësaj kontratë ka qenë 85 mijë e 40 euro e 29 cent, kurse njëjtë sikur edhe në tenderin paraprak, vlera e dhënës së kontratës është po ashtu fiks sa parashikimi i kontratës, 85 mijë e  40 euro e 29 cent.

Ndërkaq, ditë më parë zëvendës ministri Hysen Durmishi ka thënë se 1ë nga data 22 mars në ministrinë që ai drejton është nënshkruar vetëm një kontratë përmes procedurës së negocimit dhe atë ka të bëjë projektin e zgjatjes së pistës së aeroportit.

“Kjo është kontratë me kompaninë mbikqyrëse për këtë projekt tepër të rëndësishëm për ne. Projekti ka rifilluar pasi që ishte ndërprerë para 1 vit e gjysmë për shkak të pandemisë.  Kompanisë mbikqyrëse ndërkombëtare i kishte skaduar kontrata të cilën e kishte me afat kohor për 18 muaj, prandaj duhej kontratë e re me të njëjtën për të ruajtur vazhdimësinë e projektit”, pati thënë Durmishi.

Të gjitha kontratat tjera sipas tij janë aneks kontrata për punë shtesë.

Të gjitha këto aneks kontrata për punë shtesë ishin aprovuar nga menaxhmenti i kaluar gjatë vitit 2019 dhe 2020. Pas nënshkrimit të këtyre aneks kontratave kanë filluar punimet në të gjitha këto projekte që ishin bllokuar për dy vite. Gjithçka që kemi bërë e kemi bërë në përputhje me ligjin dhe në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Durmishi.

Megjithatë, në dy kontratat e fundit, të cilat i ka siguruar Gazeta Infokus, nuk thuhet se është vazhdim i punimeve, por vetëm se është ndjekur procedura: “E negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”.  /Gazeta Infokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera