Lajme

Mbi 700 qytetarë u ankuan për kamatë shtesë nga bankat në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 11:21 | 12 October 2020

Pandemia COVID-19 përveç pasojave shëndetësore, ka shkaktuar dhe pasoja ekonomike në tërë botën.
Kësaj krize nuk i ka shpëtuar as Kosova.

Si pasojë e krizës individët dhe bizneset janë detyruar që të kërkojnë nga bankat e Kosovës shtyrjen e pagesës së këstit të kredisë.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka deklaruar se në periudhën mars, prill, maj dhe korrik janë parashtruar afër 78 mijë kërkesa për shtyrje të këstit të kredisë.

“Nga 77,629 kërkesa të parashtruara për shtyrje të kësteve për periudhën mars-prill-maj-korrik, janë aprovuar 70,564 kërkesa nga të cilat 57,443 për personat fizik dhe 20,186 për personat juridik”, ka deklaruar Ahmeti.

-Advertisement-

Banka Qendrore e Kosovës ka pranuar edhe 746 ankesa për rritje të kamatës.

“Divizioni i ankesave në BQK, deri më tani ka pranuar 746 ankesa, nga të cilat 131 janë zgjidhur në favor të palëve, të tjerat janë kryesisht ankesa për interesin e rregullt të përllogaritur e që rezulton të jenë me përgjigje negative për palët”, ka thënë Ahmeti.

Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, BQK-ja në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës pati vendosur që personave dhe bizneseve t’u pezullohen pagesat e kësteve të kredisë nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera