Lajme

Pse po përhapet kaq shumë koronavirusi në Kosovë?

Autori: Gazeta inFokus 09:44 | 29 June 2020

Gjendja në Kliniken Infektive në Prishtinë është jashtëzakonisht e rënduar dhe kapacitetet e klinikës janë pothuajse të mbushura, infektologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Sipas tij, në klinikat e QKUK-së deri të dielën në mbrëmje janë shtrirë 122 pacientë pozitivë ne COVID-19 – në Klinikën Infektive janë 109 persona, në Pulmologji 10, e disa janë të shtrirë edhe ne repartin intensiv në Qendrën e Mjeksisë Sportive.

“Gjendja shëndetësore e tyre është jashtëzakonisht e rëndë, kemi mbi 50 pacientë të cilët janë në oksigjenoterapi, dhe 6 prej tyre i kemi në kujdes intensiv në gjendje të rënduar. Shumica e tyre janë në moshë të shtyrë dhe me sëmundje paraprake, por kemi edhe mosha më të reja”, tha Krasniqi.

-Advertisement-

Kosova aktualisht i ka 1,203 raste aktive kurse numri i të vdekurve nga koronavirusi është 49.

Numri i të shtrirëve në Kliniken Infektive ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka filluar faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Më 26 maj, në Kliniken Infektive kanë qenë të hospitalizuar 10 raste, kurse te dielën në mbremje 109. Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste te reja. Ditëve të fundit ka ndodhë se deri 46% të testuarëve ne 24 ore kanë dalur pozitiv në COVID19.

“Fakti se kemi përqindje të madhe të rasteve që rezultojnë pozitivë në raport me numrin e përgjithshëm të të testuarve, flet për një përhapje në masë të virusit”, thotë Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, paralajmëroi të dielën se nëse vazhdon ritmi i rritjes së rasteve me COVID-19, “do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ne Twitter ka deklaruar se “rritja e konsiderueshme, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve”.

Infektologu Krasniqi, thotë se tre faktorë janë duke ndikuar në rritjen e numrit të madh të rasteve dhe ato janë: lirimi i përnjëhershëm i qytetarëve nga masat restriktive, moszbatimi i masave të rekomanduara dhe “ideja që po qarkullon në popull që nuk ka virus”.

“Kjo është duke dëmtuar mjaft shumë situatën, sepse siç duket qytetarët kanë filluar të besojnë më shumë në teori konspirative, sesa në realitetin në të cilin ne jemi duke e jetuar”, thotë Krasniqi.

Instituti Kombëtar i Shëndëtësisë Publike të Kosovës vazhdimisht ka bërë thirrje që të respektohët distanca fizike, të përdoren maska dhe të pastrohën duart.

Krasniqi është i mendimit se nuk është i mjaftuesëm rekomandimi i këtyre masave, por ato duhet të jenë obligative. Ai shtoi se qeveria duhet të gjejë mekanizma që të detyrojë qytetarët për të zbatuar ato.

“Një masë tjetër që poashtu duhet të zbatohet me përpikëri është edhe monitorimi ose kontrolli rigoroz i pacientëve COVID-pozitivë, që janë nëpër shtëpi, për të mos lejuar qarkullimin dhe lëvizjen e tyre”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se një fenomen tjetër që është vërejtur në Klinikën Infektive është se familjarët janë duke tentuar të vizitojnë pacientët, familjarë që i kanë të shtrirë këtu në klinikë, e që “shumica nga ta janë COVID-pozitivë vet”.

“Normalisht, ne nuk mund të lejojmë hyrjen e tyre në klinikë, mirëpo duke qenë COVID-pozitivë ata rrezikojnë përhapjen e virusit më tutje”, tha Krasniqi.

Përndryshe, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj një ditë më herët deklaroi se ata të cilët nuk janë duke i respektuar masa mbrojtëse duhet të ndëshkohen, duke mos e precizuar si do të ndodhë ky ndëshkim.

Në ditët e fundit, Kosova ka kryer mes 200 dhe 300 teste çdo 24 orë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, tha per Radion Evropa e Lirë se Kosova ka teste të mjaftueshme per COVID-19, duke mos dashur të deklarohët për numrin. Ai shtoi se aktualisht ne Kosovë testohën kontaktet e afërta të rasteve me simptomatologji.

Sipas tij, me prioritet testohën të gjitha rastet e hospitalizuara ne Klinikën Infektive dhe repartet tjera ku janë pacientët me COVID-19, personeli shëndëtësor me shenja dhe simptoma te infeksionit, kontaktet e afërta të personit pozitiv të cilët kanë shenja dhe simptoma, të moshuarit dhe persona me sëmundje kronike. Personat asimptomatikë udhëzohën në vetëizolim 14 ditor si dhe në monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore.

Hoti më 14 qershor deklaroi për REL se Instituti Komëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka në dispozicion rreth 10 mijë teste për COVID-19. Në ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar edhe 6500 teste nga organizata “Qatar Charity”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera