Lajme

7 vite burg për pjesëmarrësin në sulmin ndaj Kapitolit

Autori: Gazeta inFokus 10:30 | 28 September 2022

Gjykatësja dha dënimin me shtatë vite burgim për një pjesëmarrës në sulmin ndaj Kapitolit që kishte ndihmuar edhe gjatë sulmit të vazhdueshëm ndaj një oficeri policie.

Gjykatësja Amy Berman Jackson dha dënimin e gjatë për Kyle Young në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit, duke vënë në dukje se ai kishte pranuar se kishte ndihmuar në sulmin ndaj një punonjësi të policisë gjatë trazirave të 6 janarit 2021. Gjykatësja njohu si pjesë të dënimit 17 muajt që ai ka kaluar nën arrest. Kjo do të thotë se tashmë ai do të vuajë dënimin në burg për rreth gjashtë vite.

Ky është një ndër dënimet më të gjata deri më tani për pjesëmarrësit në këtë sulm, që ndërpreu çertifikimin e fitores në zgjedhje të Presidentit Joe Biden dhe që i detyroi ligjvënësit të largoheshin për të shpëtuar jetën e tyre. Dënimi më i rëndë, me 10 vite burgim, iu dha një ish-oficeri policie nga Nju Jorku, i cili sulmoi një oficer policie në Kapitol duke përdorur një shtizë flamuri prej metali. Deri më tani janë ngritur akuza për rreth 900 persona për sulmin ndaj Kapitolit. Mbi 400 kanë pranuar fajësinë ose janë dënuar në gjyq.

-Advertisement-

I dënuari Young qau ndërsa i kërkoi ndjesë ish-oficerit të policisë së Uashingtonit, Michael Fanone, dhe tha se do të kishte dashur t’i zhbënte veprimet e tij të asaj dite.

Zoti Fanone tregoi në gjykatë eksperiencën pothuajse fatale që përjetoi në duart e sulmuesve, të cilët e rrahën dhe e goditën në mënyrë të përsëritur me pistoletën me elektroshok. I dënuari Young pranoi se ia dha pistoletën me elektroshok një tjetri që e përdori ndaj oficerit Fanone, si dhe se i mbërtheu dorën ndërsa ai përpiqej të mbrohej nga turma që e sulmonte.

Zoti Fanone tha se nga ky sulm mori fund karriera e tij në polici.

Ai i tha Gjykatëses Jackson se për zotin Young duhet të jepej një dënim me 10 vite burgim.

“Ajo që shpresoj të bësh gjatë kësaj periudhe, është që të vuash”, i tha ish-oficeri Fanone të dënuarit Young, gjatë rrëfimit të tij emocional të ngjarjve të asaj dite.

Pasi u dha dënimi, zoti Fanone u përqafua me një ish-koleg jashtë godinës së gjykatës. Ai nuk foli me gazetarët kur u pyet për reagimin e tij ndaj dënimit të dhënë.

Zoti Fanone ishte ndër oficerët që dëshmuan përpara komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton dhunën e asaj dite. Ai u tha hetuesve të Kongresit se më “tërhoqën, më rrahën, më goditën me elektroshok, ndërkohë që më quanin tradhtar ndaj vendit tim”. Sulmi, që ndali vetëm kur u tha se kishte fëmijë, i shkaktoi një infrakt.

I dënuari Young, në moshën 38-vjeçare dhe me origjinë nga qyteti Redfield, i shtetit Ajova, u përball fillimisht me 12 akuza, por pranoi fajësinë për akuzën e sulmit ndaj një punonjësi policie.

Ai shkoi tek Kapitoli, selia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, bashkë me djalin e tij 16-vjeçar. Videot që paraqitën prokurorët federalë e tregojnë atë gjatë përleshjeve në tarracën e ulët në pjesën perëndimore të Kapitolit, duke hedhur madje në një moment edhe një altoparlant të rëndë që godet një tjetër pjesëmarrës në sulm dhe madje e gjakos atë. Ai përdori gjithashtu dritë me rreze për të verbuar oficerët e policisë, dhe në një moment ia kaloi atë të birit që edhe ai të merrte kështu pjesë në përleshje, fakt që gjykatësja e përmendi për të ilustruar revoltimin e saj ndaj veprimeve të tij atë ditë.

“Ndër çështjet gjyqësore që unë kam, ti je ndër shkelësit më të rëndë të 6 janarit, dhe ti ishe personalisht i përfshirë dhe me rol të rëndësishëm gjatë një prej sulmeve më të tmerrshme ndaj oficerëve në atë godinë”, i tha gjykatësja të dënuarit Young. “Gjatë viteve të mia në detyrë rrallë më është paraqitur një çështje e tillë”./DW

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera